E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtypi anglez perhumbjen, Kapelo: Nuk dorehiqem

LONDER-Zhgënjim dhe inat në Angli për mënyrën e eliminimit nga Kupa e Botës. "Një komb në zi për disfatën e Anglisë", titullon The Sun, që vazhdon: "Një Angli e mjerë është jashtë Botërorit për shkak të një gabimi të turpshëm të treshes arbitrale". Daily Mirror shton: "Tre Luanët jashtë, të mundur nga Gjermania dhe arbitri". "FabiGo", shkruan me tej Mirror. Ndërkohë, Daily Mail zgjedh ironinë: "Të paktën dielli shkëlqen akoma! Gjermania "zbut" Anglinë me një ndihmë të madhe nga anësori uruguajan (Espinoza)". "Kjo është humbja më e keqe e Anglisë në një Botëror", shkruan The Guardian". Ndërsa Times, me një foto në faqe të parë të Lampard për golin e mosdhënë, shkruan: "Anglia mundet 4-1".

Kapelo: Gafë e arbitrit, nuk do jap dorëheqjen

Trajneri i Anglisë Fabio Kapelo ka qenë tepër i ashpër pas humbjes së djeshme, ndonëse nuk ka ngurruar të përgëzojë gjermanët për atë çfarë treguan në fushën e lojës. Por, goli që nuk iu akorduar Frenk Lampard nuk është kapërdirë lehtë nga tekniku italian. "Do të kishte qenë një tjetër ndeshje nëse rezultati do të shkonte 2-2, - deklaroi Kapelo. - është e habitshme që në ditët tona, në një kampionat botëror, nuk ka teknologji për të parë golat e dyshimtë apo që të mos ketë një arbitër prapa portës. Për fat të keq dikush duhet të paguajë gjithnjë dhe sot ishte radha jonë", shtoi ai. Analiza e Kapelos natyrisht që është përqendruar tek ai episod i minutës së 38-të, që do të kishte barazuar ndeshjen. "Ne gabuam, por gabimin më të madh e bëri arbitri. Me rezultatin 2-2 dhe me një pjesë loje për të luajtur do të kishte qenë çdo gjë ndryshe. Edhe në pjesën e dytë u nisëm mirë dhe goditëm traversën, por Gjermania na kapi në kundërsulm dhe na ndëshkoi. Dorëheqja ime? As që e mendoj. Ka kohë për të vendosur, por unë do të vazhdoj të bëj trajnerin. Në fillim më duhet të flas me presidentin e Federatës për të kuptuar nëse ai ka ende besim te mua apo jo", shtoi tekniku italian. Në të njëjtën linjë edhe Xherard: "Unë isha shumë pranë dhe e pashë golin, por nuk mund të gjejmë justifikime. Gjermania fitoi sepse dominoi dhe ishte superiore", tha ai.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›