E Diel, 1 Nëntor 2026

Qafë-Botë, dy ditë marshim antigjenocid

Parashtrohet një memorandum me 8 kërkesa: Greqia të kërkojë falje publike

Greqia duhet të kërkojë falje publike për gjenocidin ndaj popullsisë çame. Kështu deklaroi kreu i PDU-së, deputeti Shpëtim Idrizi, mbrëmjen e së shtunës nga Qafë-Bota, pas marshimit të organizuar në përkujtim të 66-vjetorit të masakrës ndaj 2900 burrave dhe grave çame nga ushtria greke. Mijëra persona nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në këtë kalvar përkujtimor, ku me flamuj kombëtarë dhe kurora në duar bënë homazhe në varrezat masive që gjenden në Kllogjer dhe pas kësaj marshuan drejt pikës së kalimit kufitar të Qafë-Botës. Në fjalën e tij Idrizi iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverisë shqiptare që t’i imponojë Greqisë, një shteti anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, qëndrim të ri në disa drejtime lidhur me çështjen çame. Idrizi ka deklaruar se tashmë kauza çame është gjithnjë e më pranë realizimit. “Marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Shqipërisë dhe Greqisë kalojnë përmes zgjidhjes së drejtë të problemit çam”, tha ai.

Në emër të komunitetit që ai përfaqëson, Idrizi parashtroi një memorandum me tetë kërkesa për bashkësinë ndërkombëtare dhe qeverinë shqiptare. Mes të tjerash kërkohet pranimi publik i fajit prej Greqisë, dëmshpërblimi për familjarët e viktimave; amendimi i ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen etj. Në fjalën e tij deputeti tjetër i PDU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi përpara mijëra pjesëmarrësve se pas një viti, ky aktivitet do të zhvillohet në Igumenicë. “Motra dhe vëllezër, unë ju deklaroj se pas një viti, ne të gjithë bashkë do jemi duke festuar në Igumenicë, si të parët tanë”. Në këtë përkujtimore përshëndetën dhe figura të njohura nga trevat shqiptare. Deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe shkrimtarja e njohur, znj. Flora Brovina, deklaroi se çamët nuk janë të vetëm në çështjen e tyre, por kanë mbështetjen e të gjithë popullit shqiptar, kudo që ndodhet. Po kështu, ka përshëndetur Ligur Naliu, nënkryetar i lëvizjes “Vetëvendosja”.

Ndërkaq, paraditen e së dielës, me organizimin e shoqatës atdhetare “çamëria” dhe me mbështetjen e PDI-së, varreve masive të viktimave të gjenocidit në Kllogjer, pikës së Qafë-Botës dhe memorialit në Konispol i janë drejtuar sërish qindra njerëz.

Në pllakën përkujtimore të varreve masive që gjendet aty, u vendosën kurora dhe u bënë homazhe për njerëzit e dashur, të humbur 66 vjet më parë, nën përndjekjen dhe gjenocidin e ushtruar nga bandat zerviste greke. “Kthimi në çamëri do të jetë premtimi ynë i mbajtur”, u shpreh në fshatin Kllogjer kryetari i shoqatës atdhetare “çamëria”, Ardian Tana.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›