Rrëshqitjet e tokës shkaktuan 144 milionë lekë dëme në Fier
Këshilli i Qarkut të Fierit ka përfunduar verifikimin në terren të dëmeve të shkaktuara disa muaj më parë si pasojë e fenomenit natyror të rrëshqitjes së tokës. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut, Luan Muçaj, nga rrëshqitjet masive janë dëmtuar 200 shtëpi banimi, ndërkohë që fatura financiare shkon në 144 milionë lekë të reja.
Verifikimi i dëmeve nga rrëshqitjet e tokës është kryer prej një komisioni të posaçëm ngritur pranë Këshillit të Qarkut, ku marrin pjesë edhe gjeologë. Veprimtaria e këtij komisioni ka nisur me verifikimin e raportit të kryer nga çdo komunë dhe bashki, territoret e të cilave u dëmtuan nga rrëshqitjet e tokës.
Njësitë vendore të prekura nga dëmtimet janë 22. Kjo doli pas verifikimit në terren të çdo raportimi të kryer. Gjithashtu, pas përpilimit të faturës financiare, e cila shkon në 144 milionë lekë, Këshilli i Qarkut i është drejtuar Drejtorisë së Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme për lëvrimin e fondit të dëmshpërblimit për familjet e dëmtuara.
“Përfundimisht mbaroi procesi i verifikimit në terren i dëmeve të asaj katastrofe që na shoqëroi dimrin e shkuar. U arrit nxjerrja e një fature financiare, e cila është bërë me korrektësi nga specialistët e komisionit të ngritur për këtë qëllim. Tashmë është qeveria dhe autoriteti përkatës, drejtoria e emergjencave në Ministrinë e Brendshme që ka përgjegjësinë e shlyerjes së kësaj fature. Shpresojmë që sa më shpejt të lëvrohet fondi, pasi na është premtuar”, tha kryetari i këshillit të Qarkut Fier, Luan Muçaj. Zyrtarët e këshillit të qarkut apelojnë për lëvrimin sa më shpejt të fondit, sepse mbi 200 familje kanë mbetur pa strehë.
Për kryetarin e këtij këshilli, Luan Muçaj, dëmshpërblimi për familjarët shpresohet që të kryhet në kohën më të shpejtë të mundshme dhe shpresohet të përfundojë brenda këtij viti kalendarik.
#