E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria superfuqi e çimentos, pse jo?

Opinion

Industria më fitimprurëse për Shqipërinë do të ishte industria e grumbullimit e përpunimit të plehrave – tha ing. Perlati, në një ndërhyrje të tij pa leje të moderatorit, në takim para pak javësh organizuar nga lëvizja “Mjaft!” në Vlorë, teksa diskutohej me disa shoqata mjedisore për strategjitë e zhvillimit të vendit. Dhe ai e argumentoi idenë e tij me shifra e fakte të pakundërshtueshme. Natyrisht, asnjë nuk dha kundërargumente dhe asnjë nuk ka ndërmend që ta shohë seriozisht ndonjëherë një ide të tillë. E tentoi këtë Fatos Nano në vitin 2004 për të sjellë prej Italisë plehra për t’u grumbulluar e djegur në Kashar të Tiranës dhe busti i tij në kompensatë, mu para Kryeministrisë, u rikompozua me vezë e domate të prishura.

Po kaq e parealizueshme është dhe ideja e marrë jo pa seriozitet e qeverive të Berishës për instaluar parqet me mullinj ere më të mëdhenjtë në Europë në Karaburun e gjetkë. Dhe qeveria argumenton në këtë rast jo me terma ekonomikë, si Perlati në rastin e plehrave, por me terma ekologjikë, se Shqipëria ka platforma ere “të papara” gjëkundi tjetër në Europë.

Por ajo që është marrë seriozisht, dhe po bëhet realitet, për fat të keq me shumë seriozitet, nga qeveria është prerja e pyjeve, ngrënia e kodrave e shqyerja e maleve dhe gatimi i çimentos. Pardje u vendos nga qeveria të priten 311 ha pyll për të ndërtuar një tjetër fabrikë çimentoje e karriera guri, duke e çuar në 10 numrin e fabrikave të çimentos që janë miratuar përfshi dhe ato që funksionojnë.

Sa fiton e sa humbet Shqipëria nga këto fabrika këtë asnjë nuk e di, por pa dyshim kompanitë që investojnë vetëm fitojnë e fitojnë shumë. Por nëse me këtë lloj investimi fiton dhe Shqipëria, madje fiton më shumë se turizmi, qëkurse nuk ka investitorë që investojnë në turizëm, por ka dyndje investitorësh për fabrika çimentoje, natyrshëm vijmë tek ideja e Perlatit. Pse të mos presim të themi gjysmën e pyjeve të Shqipërisë e të japim leje jo për 10 sa tani, por për 100 fabrika çimentoje e më pas veç portit të ri të Shëngjinit për transportin e çimentos në Itali të kemi dhe një port në Gjirin e Lalëzit dhe një tjetër në Durrës dhe një në Divjakë dhe padyshim në Portin e Vlorës? Rrugët për në bregdet, qeveria është angazhuar t’i ndërtojë brenda 2010-s. Në fund të fundit, të gjitha fabrikat e çimentos tani janë brenda standardeve të Bashkimit Europian dhe nuk ka problem me ndotjen, pasi janë brenda standardit. Sigurisht, kjo pyetje do merrte përgjigje negative nga vetë qeveria. Po të themi jo 100, por 20 fabrika, qeveria edhe mund të thotë Po, madje mund të lançohet fuqishëm fushata e superfuqisë së çimentos (për t’u menduar në Rajon apo në Europë). Si i bëhet kësaj pune? E para e punës, qeveria të anulojë këtë vendim të fundit të ekspansionit të çimentos, apo ta pezullojë atë deri në një kohë tjetër. Dhe koha tjetër është dhe duhet të jetë fundi i vitit 2011, kur Shqipëria sipas ligjit të Planifikimit të Territorit të prillit të vitit të kaluar duhet të ketë përfunduar hartimin e miratimin e Planin të Përgjithshëm Kombëtar (PPK), ndryshe “kushtetutën” e zhvillimit ekonomik të vendit. Duke ditur që qeveria duhej të angazhohej me fillimin e punës për hartimin e PPK, sipas ligjit në fund të vitit të kaluar, dhe që nuk e ka bërë një gjë të tillë, natyrshëm lind pyetja. Mos vallë qeveria nuk e harton PPK me qëllim që të japë dhe më shumë leje se deri më sot për prerje qindra hektarë pyje, të japë leje për super TEC-e, të japë leje për super park eolik, për superport, për superfuqi çimentoje, për….?. Nëse mbetemi te vendimi i fundit për fabrikë të re çimentoje është e patolerueshme të mos zbatohet legjislacioni mjedisor shqiptar që kërkon në këto raste, sipas të cilit është e detyrueshme të bëhet vlerësim strategjik mjedisor. Opozita nuk mund të mjaftohet me një votë kundra në seancë plenare në Kuvend. Shoqëria civile duhet të shkundet nga apatia e tmerrshme që e ka pushtuar dhe të reagojë. Përfaqësuesit e shoqatave mjedisore të Shqipërisë në forumin mjedisor të organizuar nga Komisioni Europian nuk mund të mos i ngrënë këto çështje jetike për të ardhmen e Shqipërisë në takimin e tyre të përcaktuar me Komisionerin për Mjedisin, Janez Potočnik, në Bruksel më 28 shtator 2010. Fundja ne jemi mësuar që problemet tona të na i zgjidhë Brukseli.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›