E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gruaja merimangë”, shqiptarja Zharga nën akuzë për 10 krime

“Gruaja merimangë”, shqiptarja Zharga nën akuzë për 10 krime

Artan CENA
ATHINË - Zbardhen pjesë të reja të historisë disavjeçare të shqiptares Evangjelina Zharga në Greqi, ku mendohet se ka vrarë të paktën një person dhe ka mashtruar dhjetëra të tjerë. Për vrasjen e biznesmenit Tasos Tsagaropoulos ajo kishte hedhur ilaç gjumi në lëngun e portokallit dhe më pas e kishte qëlluar me thikë dy herë në qafë. Pas saj ka qenë bashkëpunëtori ai që e ka qëlluar 4 herë me sqepar në kokë, duke i sjellë vdekjen 43-vjeçarit grek. Kjo ka qenë skema e vrasjes së biznesmenit grek nga shqiptarja minoritare Evangjelina Zhaga, një vit më parë, në banesën e saj në qytetin grek Dikofto. Ndërkaq, media greke dje ka zbardhur ditarin e 54-vjeçares së arrestuar, ku në të janë gjetur letrat erotike që ajo i kishte dërguar viktimës së radhës, Tasos Tsagaropoulos. Siç është bërë e ditur, Zharga kërkonte nga 43-vjeçari një lidhje jo vetëm profesionale, por dhe një lidhje dashurie me të. Por Tsagaropoulos e refuzonte dhe nuk pranonte që marrëdhënia e punës të ngatërrohej me jetën private. Ky dyshohet të jetë dhe një nga shkaqet e vrasjes së tij, të ndodhur në muajin maj të vitit 2009, përveç arsyeve të dhëna nga e akuzuara. Zharga gjatë marrjes në pyetje nga policia ka deklaruar se krimi kishte ndodhur pasi Tsagaropoulos e shfrytëzonte për të mashtruar të moshuarit grekë me qëllim marrjen e parave të tyre.
Ditari i shqiptares
Gjenden letrat erotike që shqiptarja Evangjelina Zharga i dërgonte biznesmenit grek Tasos Tsagaropoulos, ku i kërkonte të lidheshin bashkë. Në letrat që gjeti policia greke në shtëpinë e 42-vjeçarit, të shkruara dhe dërguara nga 54-vjeçarja minoritare shqiptare, thuhet se ajo i kërkonte që të mos kishin vetëm lidhje “profesionale”, por edhe erotike. Në polici ajo deklaroi se e donte si e çmendur 43-vjeçarin, ndërsa ai e shtynte dhe e shante. Policia beson se rol të madh në faktin që biznesmeni grek dhe minoritarja nuk ishin lidhur në një histori dashurie luante diferenca e madhe e moshës. Gjithashtu, një shkak tjetër për moskryerjen e një lidhjeje dashurie mes shqiptares dhe grekut mendohet të ketë qenë dhe fakti që 54-vjeçarja, për shkak të “profesionit”, të saj si mashtruese, do të sillte përplasje mes “çiftit”. Sipas medias helene, Zharga kryente akte erotike për të mashtruar viktimat e saj, që zakonisht ishin të moshuar.
Si ndodhi vrasja në Dikofto?
Evangjelina Zharga u arrestua në shtëpinë e saj në (Luca) kur po tentonte të zhdukej. Pas shumë orësh hetimi ajo pranoi se kreu vrasjen dhe përshkroi ngjarjen. “43-vjeçari nga Athina më kishte para borxh. Më detyronte të mashtroja burra të moshuar dhe nuk më jepte para. Kur erdhi në Dikofto i futëm në gotën me lëng portokalli ilaç për gjumë. Më pas burri im e qëlloi me hekur në kokë dhe e hodhëm në bodrum”, - ka shpjeguar në Policinë e Patrës ajo, duke bërë me faj bashkëshortin e saj, i cili vdiq tre muaj pas krimit në spital. Policia është duke hetuar arsyet se pse vdiq 61-vjeçari, burri i së arrestuarës. 54-vjeçarja ka 10 dosje ku akuzohet për mashtrime, vjedhje, grabitje dhe vrasje në Athinë, Patra dhe Selanik. Policia beson se nuk punonte vetëm dhe është në kërkim të grupit të mafies.
Akuzat e reja
Pra, përveç Athinës, Pireut dhe Selanikut, 54-vjeçarja shqiptare pritet të “vizitojë” dhe autoritetet gjyqësore në Volos, ku ata kanë nisur hetimet pas denoncimeve të qytetarëve, të cilët ishin viktima të mashtrimit që shqiptarja mendohet se ka ndërtuar. Prokuroria tha se ka ngritur akuzat e “vrasjes në bashkëpunim”, “përdorimin e armëve”, “mbajtje pa leje të armëve” dhe “mashtrimit”.

Flasin prindërit e Zhargës nga Saranda: “U martua 5 herë dhe i vdiqën të gjithë burrat”
SARANDË - Pak ditë pas lajmit për arrestimin e Evangjelina Zhangas në Greqi për vrasjen e një biznesmeni dhe akuzat për vrasjen e ish-bashkëshortëve të saj, reagojnë prindërit nga fshati Dhivë i Sarandës. Me një gjuhë të ashpër ata kanë rrëfyer historinë e vajzës së tyre duke pranuar dhe se 54-vjeçarja ishte martuar 5 herë me burra të ndryshëm dhe i kishte braktisur 5 fëmijët e saj që në lindje. “Haram qumështin që i kam dhënë”, - janë fjalët më të rënda që mund të dalin nga shpirti i një nëne të lënduar për fëmijën e saj që duket se e ka zhgënjyer më shumë se askush tjetër. Janë të vetmet fjalë me të cilat Alekso Zhanga i drejtohet në greqisht vajzës së saj Evangjelina Zhanga, e cila u arrestua të shtunën pasi pranoi se kishte vrarë biznesmenin Tasos Tsagaropoulos. Kanë kaluar disa ditë kur e gjithë media greke gati e harroi krizën në të cilën është përfshirë dhe u fokusuan te Evangjelina Zhanga, një grua Shqipëria, por me origjinë minoritare greke. Historia nga e cila mori emrin “Gruaja merimangë” ka tronditur më së shumti familjen e saj në fshatin Dhivër, rreth 65 km larg Sarandës, aty ku ende jetojnë dy prindërit e moshuar. Babai i 54-vjeçares, Thanas Zhanga, na tregon se vajza e tij ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortit të parë të saj në vitin 1982, krim për të cilin kishte vuajtur vetëm 2 vjet nga 15, pasi ishte shtatzënë. Me dhimbjen që përcjellin dhe lotët që ai në moshën 75 vjeç nuk mundet dot t’i shmangë, rrëfen pa drojë se si vajza e tij që në moshë të re kishte marrë drejtim tjetër nga 4 fëmijët e tjerë.
Pas publikimit të lajmit për Evangjelinën, fshati i vogël duket sikur ka nisur të zgjojë dhe historinë e xhaxhait të saj, i cili dekada më parë pati vrarë ish-gruan, histori që na e tregon dhe vetë babai i 54-vjeçares. Evangjelina Zhanga u arrestua të shtunën në Luca dhe mbi të rëndojnë 10 urdhër-arreste dhe tri dënime për mashtrim, vjedhje dhe plaçkitje.

Jeta e 54-vjeçares Zhanga në Luca
Policia beson se 54-vjeçarja nga Saranda kishte gjetur viktimën e saj në Luca dhe po përgatitej të vepronte. 54-vjeçarja Evangjelina, por që fqinjëve u thoshte se quhej Maria, i mbushi mendjen të moshuarit që gjeti në Luca që ky të shiste një pronë në lagjen “Peristeri” pa u treguar të afërmve dhe të blinin një vend afër banesës së tyre në Luca për të ndërtuar një vilë. Pasi u arrestua 54-vjeçarja, burri që kishte banesën në Luca u zhduk, bashkë me atë u zhdukën edhe dy të rinj që punonin ditët e fundit aty. Policia është duke bërë hetime në banesë se mos ndoshta punimet ishin bërë për të zbukuruar shtëpinë kishin pasur si qëllim për të betonuar njerëz.

Dëshmia e fqinjës së Evangjelinës

Në një intervistë që ka dhënë pronarja e banesës në Dikofto, kriminelja minoritare deklaronte se ishte greko-amerikane dhe jo minoritare e rritur në Sarandë. “Erdhi në Dikofto dhe na tha se kishte lexuar në gazetë se ne jepnim me qira shtëpinë. Na telefonoi dhe nuk më takoi mua, por rastësisht u takua me djalin tim”, - thotë pronarja, e cila kërkoi të mbetet anonime. Më pas ajo tregon shumën e parave që i dha “greko-amerikania“ nga Saranda djalit të saj. “Kur u takua me djalin tim i dha një shumë të madhe parash dhe i dha të kuptonte se ishte shumë e pasur. Më pas erdhi të jetonte me një 61-vjeçar. Nuk kaluan disa muaj dhe dëgjuam që gati gjithë Dikoftoit i kishte kërkuar para borxh dhe nuk njihej si e pasur, por si e varfër”, - përfundon zonja që i dha me qira shtëpinë vrasëses minoritare.

Nga sa persona përbëhet grupi kriminal?

Do të kalojë shumë kohë që ngjarja të përfundojë dhe të mësojmë realitetin. Bashkëpunëtorët e 54-vjeçares me shumë emra janë grekë dhe shqiptarë. Një vilë e marrë me qira ku kishte banuar “merimanga” ishte paguar nga një 38-vjeçar taksist, i cili ishte shqiptar dhe që 54-vjeçarja e kishte fajësuar në fillim si autor të vrasjes. Policia beson se 38-vjeçari i hoqi pllakat e vjetra në bodrum, vendosi trupin e biznesmenit grek dhe më pas rivendosi pllaka të reja për të humbur gjurmën. Besohet se dëshmia më me vlerë është bërë nga një shqiptar, i cili kishte telefonuar në një media lokale dhe kishte dhënë shumë informacione për 54-vjeçaren. Në polici ai tha se ishte ftuar për të prishur dhe rindërtuar pllakat e dushit, mirëpo kishte refuzuar, pasi pronari nuk kishte lejë për një punë të tillë.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›