E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në hetim një noter dhe një përkthyese



TIRANË - Falsifikimet e dokumenteve kanë çuar në pranga tre persona dhe dy të tjerë janë vënë në hetim. Policia e Tiranës tha mbrëmë se Seksioni Kundër Korrupsionit, pas një hetimi disamujor, me anë të operacionit të koduar "Porta e mbyllur", ka bërë arrestimin e tre personave për falsifikim dokumentesh. Sipas burimeve të policisë, janë arrestuar: Nazmi Meta, 38 vjeç, Naim Gjoshi, 38 vjeç, Mariglen Nikaj, 51 vjeç, gjithashtu po hetohen në gjendje të lirë noteri Pandi Prifti dhe përkthyesja Shaniko Hadaj, pasi në bashkëpunim me këta shtetas legalizonin dokumente, të cilat ishin të falsifikuara. Këta persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë siguronin dokumente të falsifikuara si leje drejtimi, diploma, dëftesa, siguracione, kryesisht për persona që kërkonin të studionin jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilat i përkthenin, i noterizonin në kundërshtim me aktet normative që normojnë punën e tyre, pranë zyrave të noterive në Tiranë, pa qene prezent personi, si dhe duke noterizuar e legalizuar dokumente të ndryshme kundrejt shumës së parave që varionin nga 300 deri në 1000 euro për një dokument. Gjithashtu, policia thekson se vazhdon intensivisht kryerja e veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe identifikimi dhe arrestimi i personave të tjerë të implikuar.

24 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›