E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski, një “Millosheviç i vogël” dhe neofashist

22-09-2012 / Gazeta 55

Partitë politike shqiptare të opozitës në Maqedoni kanë arritur që kryeministrin Nikolla Gruevski ta krahasojnë me kriminelin serb, Sllobodan Millosheviç. Edhe në komunikimet e tyre publike, partitë shqiptare janë konsistene në qëndrimin se, Gruevski tashmë është një “Millosheviç i vogël”.
Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Orhan Ibrahimi e ka quajtur neofashist kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevskin, duke i krahasuar qëndrimet e tij me politikat e ish – kryekriminelit dhe udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviç.
Reagimi i deputetit të PDSH-së ka ardhur pas deklaratave nacionaliste të Gruevskit se nuk lejon frikësimin dhe nënçmimin e dinjitetit kombëtar maqedonas dhe se shqiptarët duhet të ndryshojnë duke hequr dorë nga kërkesat kombëtare. Deputeti i PDSH nuk ndryshon qëndrim në krahasim e politikave të Gruevskit me ato të kasapit të ballkanit, Milosheviç.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi kohë më parë lidhur me arrestimet e shqiptarëve për vrasjen në Smilkovc, theksoi se Qeveria e Gruevskit po bën arrestimet sikur në kohën e Millosheviçit.
Edhe Demokracia e Re e krahason qeverisjen e Gruevskit me atë të ish diktatorit serb. Sipas DR-së, fjalimet e tij, të cilat janë përjashtues, dëshmojnë qartë se ky kryeministër  aspak nuk lëviz nga qëndrimet e tij nacionaliste dhe njëkohësisht ofenduese, luftënxitëse dhe anti NATO e BE.
“Këso fjalimesh folklorikë të Gruevskit të njëjta si të Slobodan Milosheviqit 1988/89  e çojnë popullin në një rrugë të pakthyeshme dhe te rrezikshme për të ardhmen e tyre,kurse popujve tjerë i tregoi  se ai nuk është i interesuar për bashkë jetesë. Ai njëkohësisht deklaron se është i përgatitur me çdo çmim të paguajë për mbrojtjen e dinjitetit të Maqedonasve ndërsa harron se në këtë  shtet të posa krijuar jetojnë edhe popuj tjerë. Shqiptarët kemi paguar dhe po paguajmë gjithmonë për këtë dinjitet, por dallimi mes neve dhe tij është se ne asnjëherë nuk mendojmë se respekti për të tjerët na e ulë dinjitetin, përkundrazi ne mendojmë se respekti për të ndryshmen është vyrtit”, thuhet në reagimin e DR-së.
Fazli Veliu, i rebeluari në radhët e “integristëve” është ndër të parët që shpërtheu duke e krahasuar Nikolla Gruevskin dhe veprimet e tij të ngjashme me ato të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, si një ndër kryekriminelët për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Nëse Gruevski vazhdon njësoj sikur Milosheviçi, e pret i njëjti fat, atje ai ku vetëshkoi dhe vetëpërfundoi”, thotë Veliu.
Identifikimi i kryeministrit Nikolla Gruevski me politikat e tij në stilin e sfiduesit kundër shqiptarëve është një temë debati edhe nëpër mediumet politike sikurse edhe në forumet e ndryshme shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›