E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruevski politikani më i vlerësuar në Maqedoni

Sipas një sondazhi të kryer nga Agjencia Rejting, lideri I BDI-së, Ali Ahmeti vjen i treti në listë, dhe pas tij ai i PDSH-së, Menduh Thaci.

Nga të anketuarit është kërkuar që të vlerësojnë punën e politikanëve, në shkallë nga 1 deri në 20. Gruevski ka marrë notën më të lartë 10.6, Branko Cërvenkovski 6.4, Ali Ahmeti 4.5, dhe Menduh Thaçi 3.1.

Ndërkohë, nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin nesër, 27.5 për qind e të anketurave janë shprehur se do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 14.4 për qind për LSDM-në, 5.8 për qind për BDI-në dhe 3 për qind për PDSH-në. 18.8 për qind nga të anketuarit janë shprehur të pavendosur, ndërsa 19.3 për qind se nuk do të votonin fare.

Anketa tregon se shqiptarët dhe maqedonasit kanë perceptime të ndryshme sa u përket marrëdhëniet ndëretnike. 11.8 për qind nga maqedonasit vlerësojnë se marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa 32.5 për qind vlerësojnë se janë përkeqësuar. Tek shqiptarët 11.7 për qind vlerësojnë se janë përmirësuar, ndërkohë që 44.6 për qind se janë përkeqësuar.

Në pyetjen nëse Maqedonia po ecën në drejtimin e duhur, 33 për qind vlerësojnë se Maqedonia është në këtë rrugë, ndërsa 32.3 për qind janë përgjigjur se po ecën në drejtim të gabuar. Parë nga këndi i bashkësive etnike, dallimet tek shqiptarët dhe maqedonasit janë të dukshme.

Vetëm 18.6 për qind e shqiptarëve vlerësojnë se Maqedonia po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa tek maqedonasit ajo përqindje arrin në 37.9 për qind. Ndërkohë që 51 për qind e shqiptarëve mendojnë të kundërtën, pra Maqedonia po ecën në drejtim të gabuar, ndërsa tek Maqedonasit ky numër arrin në 24.8 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›