E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi A, rrugëtimi për në Euro 2012

Një muaj pa filluar Euro 2012, ueb faqja goal.com është marrë detajisht me rrugëtimin e skuadrave pjesëmarrëse deri te kualifikimi në këtë eveniment. Në Grupin A, Polonia si mikpritëse u kualifikua direkt, kurse punë aspak të lehtë nuk patën Greqia, Rusia e Republika e Çekisë, që shkoi në Evropian falë barazhit.

Kur ka mbetur edhe një muaj para fillimit të Euro 2012, vëmendja e të gjithë sportdashësve është përqendruar te ky eveniment, i cili do të fillojë më 8 qershor. Ueb faqja goal.com është marrë detajisht me rrugëtimin e skuadrave në kualifikimet për Evropian, duke filluar nga Grupi A deri te ai D.

Dhe, siç e do rendi, fillojmë me grupin e parë, në të cilin bëjnë pjesë mikpritësi Polonia, pastaj Greqia, Rusia dhe Republika e Çekisë. Ky është grupi i vetëm ku asnjëri ekip nuk gjendet në top 10 të renditjes botërore të FIFA-s. Është një grup me katër ekipe mesatare, por që secili beson që mund të përparojë në fazën e eliminimit.

Greqia, fituese e këtij evenimenti më 2004, do të jetë vështirë të mposhtet pas suksesit që e arriti në kualifikime. Por, favorit i këtij grupi do të jetë Rusia, e cila po ashtu impresionoi në rrugëtimin drejt Polonisë dhe Ukrainës. I vetmi ekip në Grupin A që u kualifikua në Evropian pas play-offit është Republika e Çekisë, e cila e eliminoi Malin e Zi.

Polonia

Polonia ishte kualifikuar vetëm një herë në Evropian dhe ai ishte edicioni 2008, kur ishte eliminuar në fazën e grupeve. Si mikpritëse e këtij evenimenti, Polonia nuk pati nevojë të luante në kualifikime, por u mor vetëm me ndeshje miqësore për ta komponuar sa më mirë ekipin.

Në ndeshjet kontrolluese, polakët shfaqën lojëra pozitive dhe me ndihmën e shikuesve vendës do të mundohen ta arrijnë kualifikimin historik për të ecur në çerekfinale.

Greqia

Fituesi i Euro 2004 do të mundohet t’i harrojë kujtimet e këqija të edicionit 2008, kur dështoi ta gjente fitoren dhe u eliminua në fazën e grupeve.

Kampanja e kualifikimeve të grekëve nuk ishte prej më të mirave, duke i barazuar dy takimet e para, por më pas e realizuan fitoren e parë ndaj Letonisë. Pastaj ata e vazhduan serinë e pamposhtësisë, duke i fituar dy takimet e radhës ndaj Maltës

Grekët e vazhduan serinë e mirë dhe e siguruan kualifikimin automatik pas fitores ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e fundit. Greqia ishte fituese e grupit me një goldallim prej +12.

Rusia

Rusia e nisi mirë fazën kualifikuese pas fitores 2:0 ndaj Andorrës. Më pas rusët vuajtën, duke humbur nga Sllovakia në shtëpi. Pastaj u treguan të suksesshëm në duel me Republikën e Irlandës. Ata ishin më të mirë edhe se Maqedonia.

Fitorja ndaj Sllovakisë ia siguroi kualifikimin edhe matematikisht në Euro 2012 ekipit të Advocaat. Pasi u kualifikuan në këtë eveniment, rusët do të mundohen ta përsërisin suksesin e arritur në Euro 2012, kur kishin shkuar deri në gjysmëfinale. Rusët konsiderohen favoritë për ta kaluar fazën e grupeve.

Republika e Çekisë

Republika e Çekisë e kishte nisur në mënyrë tronditëse fushatën për Euro 2012, pas humbjes në shtëpi nga Lituania. Mirëpo, skuadra e Michal Bilek u rikthye pas fitoreve ndaj Skocisë dhe Lihtenshtajnit. Më pas, çekët humbën nga kampioni evropian dhe botëror – Spanja.

Kualifikimi automatik i Çekisë u vështirësua pas dy humbjeve nga Spanja. Sidoqoftë, shpresat e tyre u shtuan pas barazimit me Skocinë. Ata fituan më pas nga Lituania për ta siguruar një vend në barazh. Në dy duelet me Malin e Zi, Çekia u tregua më e suksesshme dhe shkoi në Evropian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›