E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola refuzon 15 mln euro nga elsi

Pep Guardiola refuzon stolin e Çelsit. Sipas mediave angleze, trajneri spanjoll nuk ka pranuar një super-ofertë të marrë nga pronari i klubit londinez, Roman Abramoviç. As “çmenduria” financiare e manjatit rus nuk e ka bindur teknikun në ikje të Barcelonës që të mos qëndrojë një vit pushim, ashtu si ka deklaruar kur konfirmoi largimin nga katalanët.
Menjëherë pas lajmit se Guardiola nuk do të rinovonte kontratën në “Kamp Nou”, ishin të shumta klubet europiane që shpresonin të punësonin trajnerin që me Barcelonën dhe taktikat e tij mahniti botën. Çelsi tentoi të mposhtte konkurrencën e të gjithë rivalëve, duke bërë dy oferta konkrete.
Por, pas refuzimit fillestar, Abramoviç nuk u dorëzua dhe i ofroi Guardiolës një kontratë, nga e cila sipas gazetës “Daily Express”, Pep do të përfitonte 12 milionë sterlina, e thënë ndryshe 14 milionë e 877 mijë euro. Përveçse do ta bënte trajnerin më të paguar në botë, pronari I Çelsit ishte i gatshëm ti ofronte Guardiolës është një buxhet të jashtëzakonshëm për merkaton, ku fondet në dispozicion do të ishin të pakufizuara.
Megjithatë, trajneri 41-vjeçar kërkon të pushojë pas katër sezoneve mjaft të lodhshëm dhe të mbushur me trofe te Barça, duke e refuzuar ofertën. Guardiola ka qenë objektivi kryesor i Çelsit që prej largimit të Vilas-Boas në muajin mars, megjithatë anglezët duhet ta shtyjnë për më vonë ëndrrën për drejtuesin e stolit.
Refuzimi i Guardiolës duket se i ka hapur rrugë konfirmimit të Roberto Di Mateos në drejtimin e skuadrës, pasi italiani i ka udhëhequr blutë drejt triumfit në finalen e Fa Cup përballë Liverpulit dhe mbi të gjitha në finalen e 19 majit në Champions League, ku Çelsi do të luajë kundër Bajernit të Mynihut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›