City, ekstra bonuse për titull

Futbollistët e Manchester Cityt do të jenë të motivuar dhe do të kenë shkas që ta fitojnë titullin e kampionit në Premierligë. Përpos prestigjit, ata do ta kenë një motiv shtesë, pasi që pronari i klubit, Sheikh Mansour, do t’i mbulojë me para nëse e fitojnë titullin pas 44 vjetësh për këtë klub.
Sipas mediave angleze, miliarderi arab u ka premtuar futbollistëve nga 250 mijë funte për kokë si bonus, në rast se e gëzojnë në fund të sezonit.
Skuadra e Roberto Mancinit është afër ta shkruajnë historinë, e cila është larg vetëm një ndeshje, duke e festuar titullin e kampionit për herë të parë që nga viti 1968.
Pasi e mposhtën Manchester Unitedin në derbin e qytetit, Sheikh Mansour e ka gjetur mënyrën më të mirë për t’i motivuar lojtarët për ndeshjen me Queens Park Rangers, duke u ofruar para të majme.
Sipas ‘The Daily Star’, ai është i gatshëm t’i humbasë nga kasa e tij 4.5 milionë funte vetëm për të festuar ekipi i tij në Etihad Stadium. City ka pikë të njëjta me Manchester Unitedin para xhiros së fundit të Premierligës.
Mirëpo, ekipi i Mancinit ka gol diferencë shumë më të mirë se rivali lokal dhe ‘Citizens’ e dinë se fitorja, me çfarëdo rezultati, do t’ua mundësonte atyre ta ngrehin lart trofeun pa marrë parasysh se çfarë ndodh në ndeshjen tjetër ndërmjet United dhe Sunderlandit.