Nejmar 104 gola me Santos

Për klasin dhe talentin e Nejmar ka kohë që nuk ekzistojnë më dyshime. Megjithatë, tani është edhe ligji I matematikës që e përfshin talentin brazilian me të drejta të plota në historinë e futbollit.
Sulmuesi mbetet pika e referimit të skuadrës së tij, duke e udhëhequr Santosin në fitoren 3-0 në kampionatin paulist kundër Guaranit. 20-vjeçari shënoi dy gola në këtë sfidë, duke u ngjitur në kuotën e 104 rrjetave me fanellën e Santosit.
Në këtë mënyrë, Nejmar arrin në klasifikimin special të golashënuesve historikë të klubit brazilian dy legjenda si Zhao Paulo dhe Serxhinjo Çulapa, ky i fundit protagonist me “seleçaon” në Botërorin 1982, të cilët kryesonin renditjen për më tepër gola të shënuar që prej epokës së Peles.
Pasi mësoi për statistikat e frikshme, Nejmar u shfaq modest. “Të jem i sinqertë, as që nuk po e kuptoj se çfarë po bëj aktualisht. Di vetëm që po shënoj gola për Santosin, skuadrën time”, tha ai.
Nejmar ka realizuar 23 gola në 22 ndeshje në sezonin aktual në Brazil dhe nëse vazhdon të gjejë rrugën e rrjetës me këto ritme, Barcelona dhe Reali I Madridit, dy klubet që interesohen më shumë për të, do të rrisin presionin dhe natyrshëm ofertat për shërbimet e sulmuesit të talentuar.