Grupi Blushi zbarkon në Bruksel

Priten takime me socialistët europianë. Kundërshtarët dublojnë Ramën edhe në SHBA
Deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe nisin tur ndërkombëtar për të gjetur mbështetje në kauzën e kthimit të Partisë Socialiste në Parlament. Pas një mbledhjeje mes tyre, ku është përcaktuar strategjia e mëtejshme, tre deputetë, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Andis Harasani u nisën dje drejt Brukselit, ku mësohet se do të kenë disa takime me faktorë të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian. Burime nga grupi i deputetëve bënë me dije se janë rreth dhjetë takime me faktorë të ndryshëm të partive të majta e të djathta europiane dhe në qendër të të cilave do të jetë bojkoti i Partisë Socialiste dhe rikthimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë. Të njëjtat burime saktësuan se në varësi të zhvillimeve politike të mëtejshme në Shqipëri është programuar edhe një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Turi i deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe nis paralelisht me turin e Ramës. Aktualisht ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa janë konfirmuar takime në Bruksel me drejtues të Komisionit Euopian, siç është komisioneri për zgjerimin, apo edhe drejtues të internacionales socialiste. Një ndër takimet më të rëndësishme të tre deputetëve do të jetë ai me Martin Shultz, kryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian. Pak kohë më parë në lidhje me krizën në vend dhe qëndrimin e grupit parlamentar socialist, Martin Shultz është shprehur se “vendi ka nevojë për zgjidhje të forta dhe duhet të ketë një perspektivë europiane dhe për këtë perspektivë europiane, duhet që të gjitha partitë në vend të gjejnë zgjidhje të përbashkëta. Nuk më takon mua që të influencoj mbi deputetët apo liderë partie për çështje të brendshme. Unë e informova Kryetaren e Kuvendit në Shqipëri, se socialistët po përgatisin një konferencë në Tiranë për situatën në Ballkan dhe ne do të flasim për situatën e Shqipërisë dhe të majtën shqiptare në këtë konferencë”. Vizita e tre deputetëve të LMN-së vjen në të njëjtin moment kur në Strasburg, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës diskutohet draft-rezoluta e kësaj strukture e hartuar nga dy reporterët që mbërritën në Shqipëri në muajin nëntor vitin e kaluar. Përveç takimeve që ata patën me drejtuesit dhe kryetarin e opozitës zhvilluan takime edhe me deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Në këtë mënyrë, jo vetëm bojkoti i opozitës, protestat dhe kriza në vend merr karakter ndërkombëtar, por me të njëjtat përmasa është tanimë edhe mendimi i deputetëve të Partisë Socialiste që kërkojnë hyrjen e PS në Parlament. Deputetët e LMN-së kanë bërë me dije se nuk do t’i djegin mandatet e tyre duke paralajmëruar hyrjen në seancën e katër marsit. Ndër të tjera, ata deklarojnë se brenda grupit ekziston mendimi i kthimit në Parlament, por kanë frikë të shprehen për shkak, se sipas Blushit, në PS nuk ka liri mendimi. Nisur nga kjo, Blushi ka deklaruar se kur të diskutohet për çështjen e bojkotit të Parlamentit do të kërkojë që votimi në grup të bëhet me votim të fshehtë sepse sipas tij, vetëm kështu do të ketë një votim serioz. Ndërsa nga ana tjetër, ata që e mbështesin vendimin për bojkot, kanë siguruar se mandatet nuk do të digjen pa sqaruar asnjë detaj më tepër se si do të mund të realizohet kjo, pa thyer vendimin për bojkot. Sakaq, pritet që brenda muajit shkurt të ketë një mbledhje të Asamblesë Kombëtare, ku do të diskutohet pikërisht çështja e bojkotit të socialistëve.
#