Drejtori i KESH-it raporton në prokurori për përmbytjet

Shkodër, Muharrem Stojku pyetet për hapjen e portave
Drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, paraqitet në Prokurorinë e Shkodrës për të dhënë sqarime për përmbytjet që u regjistruan në zonën e Nënshkodrës në fillim të këtij viti. Organi i akuzës shkodrane, rreth 10 ditë më parë i ka dërguar një kërkesë kreut të KESH-it, të paraqitet për të dhënë sqarime në lidhje me shkarkimet e ujërave nga hidrocentralet që shkaktuan përmbytjen e zonës së Nënshkodrës.
Megjithëse prokuroria nuk ka nisur procedim penal për këtë çështje, ka kërkuar sqarime për mënyrën se si është menaxhuar situata dhe për të parë nëse kemi të bëjmë me rast të shpërdorimit të detyrës apo jo. Pas 10 ditëve që nga koha kur është bërë kërkesa, drejtori i KESH-it është paraqitur dje rreth orës 11:00 pranë godinës së Prokurorisë së Rrethit Shkodër, ku ka qëndruar deri rreth orës 13:00.
Për rreth dy orë, prokurorët e Shkodrës e kanë pyetur Stojkun për mënyrën se si është proceduar. Pas daljes nga prokuroria, drejtori i KESH-it nuk ka pranuar të flasë për mediat. Ndërkaq, burime nga Prokuroria e Shkodrës bëjnë të ditur se Muharrem Stojku është pyetur në detaje për situatën para hapjes së portave të hidrocentralit të Fierzës, prurjet dhe nivelin e ujit në diga.
Më pas Stojkut i janë kërkuar sqarime për ditën e parë kur janë hapur portat e hidrocentraleve dhe rrjedhën e situatave në ditët në vazhdim. Ndërkohë, burime nga prokuroria pohuan se drejtori i KESH-it ka sqaruar arsyet e shkarkimit të ujërave që kanë nisur në datën 27 dhjetor 2009 e deri ditën që janë ndërprerë shkarkimet e ujit.
Zyrtarisht ende nuk bëhet e ditur nëse Prokuroria e Shkodrës ka nisur një procedim penal apo vazhdon të mbetet ende në fazën e njohjes me mënyrën e menaxhimit. Por burime nga prokuroria pohuan për gazetën se procedimi penal mund të nisë vetëm nëse vihen re konsumime të veprës penale që kanë të bëjnë me shpërdorim detyre me pasojë prishjen e pronës së tjetrit. Shkarkimet e ujërave nga hidrocentralet mbi lumin Drin për dy javët e para të muajit janar mbajtën të përmbytur pothuajse gjithë zonën e Nënshkodrës dhe disa lagje periferike të qytetit. Për pasojë, 11400 ha tokë dhe 2500 shtëpi u përmbytën, ndërsa mbi 5 mijë persona u detyruan të braktisin banesat e tyre për rreth dy javë.
#