Propozimi, mesatare e ponderuar për gjimnazet
MASH: Asnjë vlerësim i ri. Urdhri është keqkuptuar, do të mbahet qëndrim
Eksperimentet me shkollat dhe nxënësit duket se nuk kanë përfunduar ende në arsimin shqiptar parauniversitar. I fundit ka qenë propozimi i hedhur nga disa drejtues shkollash të kryeqytetit, sipas të cilëve, mesatarja e dikurshme e katër viteve të shkollës dhe provimeve të maturës të mos aplikohet më. Ajo duhet të zëvendësohet me atë që është quajtur mesatare e ponderuar. Kjo e fundit, sipas propozuesve të saj, është më reale dhe konsiderohet si një tregues më afër të vërtetës lidhur me përgatitjen e një nxënësi.
“Ideja është që të mos nxirret më mesatare aritmetike, por me mesatare të ponderuar. E reja do ishte që këto nuk mund të jenë njëlloj. Nuk mund të jetë njëlloj si një punë të cilën një nxënës ndoshta edhe e kopjon dhe ne prapë e vlerësojmë, por nuk është e njëjta notë me atë të testimit. Pra, që ato të kenë koeficiente të ndryshme kur të nxirret mesatarja”, është shprehur dje Luljeta Basha, drejtoreshë e gjimnazit “Partizani” në kryeqytet. Ajo është edhe një nga propozueset e kësaj ideje. Kjo logjikë konsiston në faktin se nuk duhet të përdoret më mesatarja aritmetike për të nxjerrë një rezultat përfundimtar, por duhet të vendoset një sistem vlerësimi me një mesatare të re, e cila përdoret nga vendet europiane.
“Vlerësimi me mesatare të ponderuar është një vlerësim shumë më real se me mesatare aritmetike. Unë jam dakord që të zbatohet që këtë vit”, ka vijuar më tej drejtoresha e gjimnazit “Partizani”, Luljeta Basha.
Por mënyra e re e vlerësimit, e cila është mësuar edhe nga nxënësit, ndonëse në variante jo fort të qarta e të shpjeguara me kujdes, ka shkaktuar kaos, madje ka çuar deri në protesta. I tillë ishte rasti i nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa”, që e kundërshtuan në mënyrë kategorike aplikimin e një metode të re vlerësimi mbi bazë të krediteve, provimeve dhe mungesave.
Nga ana tjetër, në këtë debat i shpejtë ka qenë edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që është gjendur mes dy zjarresh, atë të nxënësve të pakënaqur dhe drejtuesve të shkollave. Duket se MASH ka preferuar që t’i qetësojë të rinjtë, duke garantuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim në sistemin vlerësues për ta. Madje drejtues të këtij dikasteri kanë shpejtuar të shprehen se bëhet fjalë thjesht për një keqkuptim apo keqinterpretim të urdhrit të fundit të mbërritur në shkollat e mesme prej Ministrisë së Arsimit.
Këshilltari i kreut të Arsimit, Jovan Kristiqi, ka deklaruar dje se nuk ka asnjë urdhër të këtij institucioni për të ndryshuar mënyrën e vlerësimit të nxënësve. Ai thekson se nuk ka një vlerësim me kredite, por vazhdon të mbetet vlerësimi i vjetër sipas sistemit të mëparshëm të aplikuar në vendin tonë. Kristiqi e ka konsideruar një keqkuptim urdhrin e dalë nga Ministria e Arsimit për shkollat e mesme. Sipas tij, ky urdhër është keqkuptuar nga disa drejtues shkollash, pasi nuk bëhet fjalë për ndryshim të mënyrës së vlerësimit të nxënësve. Ai mohon të jetë dhënë një urdhër i tillë. Nga ana tjetër, bën të ditur se përmes urdhrit të dalë nga MASH, i vihet në ndihmë asaj kategorie nxënësish, të cilët rezultojnë jokalues në një lëndë. Në këtë rast, ata nuk do ta humbasin vitin shkollor, por do të kalojnë në vitin pasardhës, kur dhe u jepet përsëri e drejta për t’iu nënshtruar provimit për të kaluar lëndën e humbur një vit më parë. Kjo është një skemë e ngjashme me atë që aplikohet në shkollat e arsimit të lartë në vend.
Gjithashtu, këshilltari i ministrit të Arsimit dhe Shkencës nuk ka munguar që të lëshojë edhe një paralajmërim të fortë për gjendjen e krijuar në gjimnazet e kryeqytetit. Kristiqi ka deklaruar se do të merren masa për të gjithë ata drejtues shkollash që e kanë keqinterpretuar dhe tjetërsuar urdhrin e Ministrisë së Arsimit, duke krijuar konfuzion mes nxënësve.
#