Grupi i 99-shave feston sot kapjen për fyti të FRESSH-it
Sot në orën 11.00, në Pallatin e Kongreseve do të festohet fitorja e marrjes së kontrollit kapilar të forumit rinor eurosocialist nga ana 99-ve. Zaptimi i strukturave të larta të partisë socialiste ka qenë një plan i hershëm i anëtarëve të ish-organizatës “Mjaft”, e mandej shndërrimit të saj politik. I pranishëm sot në këtë zijafet publik është ideologu i 99-ve, dora vetë Edi Rama dhe krahu i tij i djathtë, Erjon Veliaj. Ky i fundit i sapo emëruar sekretar për rininë socialiste dhe çështjeve të diasporës. Me një karrierë të rrufeshme brenda PS-së, Veliaj ka arritur majat më shpejt se cilido tjetër, edhe pse pa merita dhe kontribute cilësore në forumet dhe strukturat e kësaj organizate politike.
Megjithatë afërsia me kryetarin e sotëm të PS-së ka qenë një faktor determinant në karrierën e këtij politikani, domethënë në djegien e të gjitha etapave të mundshme, pa fituar qoftë dhe një herë me votë postin që ka merituar. Sepse në krye të organizatës rinore “Mjaft” u komandua prej bamirësve të jashtëm dhe të brendshëm. Dhe në krye të partiçkës politike “G99” u vetë emërua kryetar, pasi u udhëzuar të formëzonte lëvizjen rinore me jeniçerët 99-sh në një kontenitor politik të dukshëm mediatikisht, me synimin e interceptimit të disa votave rrjedhëse të PS-së dhe të zhvaste ca vota që shkonin drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky truk prestigjiatorësh përfundoi me një dështim për t’u mbajtur mend.
Gjithsesi kooptimi i Erjon Velisë dhe shumë 99-shave të tjerë (Olta Xhaçka, Endri Fuga, Arbër Mazniku, Elisa Spiropali, etj) në forumet e larta të PS-së është përfundimi i një rezultanteje të njohur: transfuzioni i gjakut të ri brenda një organizmi të konsideruar i sëmurë. Kontingjenti i 99-shave feston sot kapjen për fyti të një organizate të rëndësishme politike që ka nxjerrë funksionarë të lartë shtetërorë deri dhe kryeministra. FRESSH është themeluar më 15 janar të vitit 1992 nga një grup të rinjsh studentë dhe gjimnazistë me prindër komunistë dhe sot drejtohet nga Elisa Spiropali, ish-drejtuese e fondacionit Mjaft.
Më editoralin e ditës së djeshme, Edi Rama shkruante se: “Kundërshtarët sulmojnë në këtë pikë sepse kjo është një pikë e forte”. Dhe në paragrafin pasues: “Shqipëria Europiane s’ka gjasë të ndërtohet pa ndërtuar rrugën e meritës për të rinjtë”. E kemi të vështirë të gjejmë qoftë dhe një arsye për përligjur transfuzionin e gjakut të radikalëve të 99 në FRESH, paçka se mund të ketë ardhur si nevojë apo si pasojë e meritës dhe kontributeve të këtyre rioshëve. E vetmja betejë që u mbahet mend këtij grupimi prej 99-sh, që kanë kapur sot për fyti Fresshin është sulmi ndaj qeverive socialiste, ndaj liderit historik të socialistëve Fatos Nanos. Sidoqoftë Forumi Rinor Eurosocialist feston sot njëzet vjetorin e saj, pa themeluesit, por me zaptuesit e rinj: Occupy Fresh. Dy nga themeluesit, Ilir Meta dhe Pandeli Majko janë sot më larg se kushdo tjetër nga Partia Socialiste. Ilir Meta për motive të njohura. Kurse Pandeli Majko i izoluar prej politikës radikale të Ramës po kërkon të “strehohet” në një zyrë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, edhe pse gjasat janë të pakta. Për ironi të fatit njëzet vjet më parë Majko dhe Meta si dy socialist të rinj luftoheshin ashpër nga Edi Rama që sulmonte verbalisht Partinë Socialiste, bile duke kërkuar të ajo të deklarohej e paligjshme; kurse njëzet vite më pas Edi Rama është kryetar i Partisë Socialiste dhe Majko dhe Meta janë shpallur “outlaw” të paligjshëm.