E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komedia politike e thirrjes dhe e kundërshtimit të referendumit

15-01-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Fabula është kësisoj: Tri komuna serbe thërrasin për referendum që të shpallin pavarësinë e tyre në veri. Beogradi bën dorëjashtin, gjasme nuk i ka nën kontroll dhe i kundërshton. Shfaqja synon Brukselin, që t’i bëjë Serbisë lëshime, për statusin e vendit kandidat për në BE.

As kur komunat e Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Mitrovicës së veriut njoftuan për referendum dhe as kur zyrtarë të ndryshëm të Beogradit kundërshtuan organizimin e referendumit, nuk kishte lëndë për lajm. I ashtuquajturi referendum për pavarësi në veri të Kosovës, për t’u organizuar diku nga mesi i muajit shkurt, është vetëm politikë e ricikluar, domethënë po ajo çorbë në tjetër vorbë. Ndërsa duhet cilësuar thjeshtë komedi politike - po, një estradë në serbisht, e shfaqur enkas për Brukselin, me të cilën nuk  mëtohet shkaktimi i të qeshurave, por marrja e përfitimeve “pasi Beogradi luan rol konstruktiv” ndaj serbëve që kërkojnë pavarësi. Nëse romaku i lashtë pati thënë, “Mos u besoni grekëve edhe kur u bëjnë dhurata”, kohët moderne këshillojnë “Mos u besoni serbëve kur shfaqin komedi”.
Ja sepse, njëherësh thirrja dhe kundërshtimi i referendumit, janë komedi për trysni politike:
Mëvehtësia që kërkohet për rreth 40 000 banorë, sa janë në veri, nuk është pavarësi por marrëzi. Askush nuk beson në seriozitetin e saj dhe prandaj thirrja e referendumit  është një estradë politike me qëllime të menduara. Kurse kundërshtimi që u shqiptojnë atyre disa zyrtarë të lartë serbë, për t’u tërhequr nga ky hap, është gjysma tjetër e estradës,  sepse Beogradi luan dorëjashtin. Nuk ka askund politikanë aq budallenj të  besojnë që një grusht serbësh në një cep të ngushtë të Kosovës nuk iu nënshtrokan thirrjeve të Serbisë. Ata janë  një pakicë e keqpërdorur politikisht sa s’ka, vetëm për të hedhur të tjerë  hapa përfitues, siç u keqpërdorën dhe kriminelët e luftës, duke u mbajtur  nën mëngë e u rifutën  përsëri në lojë atëherë kur i shërbyen Serbisë  përsëri. Pas barrikadave, hedhja në treg e referendumit për përplasje me ndërkombëtarët dhe pastaj tërheqja  me vështirësi,  në prag të rishqyrtimit të marrjes së  statusit të vendit kandidat për në BE të Serbisë, merr këtë domethënie:  Bruksel, ne e zhbëmë referendumin, ju jepni  statusin! Thirrja dhe kundërshtimi i referendumit ka të ngjarë të mbahen të zëshëm deri atëherë sa Beogradi të ketë marrë informacion të besueshëm se statusi do të jepet. E, nëse informacioni nga burime konfidenciale u bën me dije se edhe kësaj herë nuk do ta marrin, ata do t’i mbajnë ngatërresat ngritur, si gur nëpër këmbë, në zyrat e ndërkombëtarëve.
Pse ky lloj referendum  është lojë politike?
Sepse, të dy palët, tri komunat dhe e tërë Serbia e di që 40 000 banorë, në kohën tonë,  janë sa një fshat i madh. Çdo lloj mëvehtësie është tallje e asaj politike, e cila pak më përpara pati vendosur gjithandej portrete të  kryeministrit rus Vladimir Putin dhe  kërkuan që Kremlini t’u jepete pasaporta me shtetësi ruse. Por këta të keqpërdorur janë shumë e shumë më të pafajshëm se sa nxitësit, mbështetësit e financuesit e tyre në Beograd. Thirrjet kundërshtuese të zyrtarëve përreth presidentit Boris Tadiç janë hipokrizi  e pastër sepse çfarë tha Tadiç nga manastiri i Deçanit, ia kalon kërkesës së serbëve në veri. Presidenti serb zbriti në Kosovë më 6 dhe 7 janar, me premtimin se do të shkonte në manastir për të bërë kryq e për të mos thënë politikë. Ai keqpërdori  përfaqësinë e Bashkimit Europian në Beograd, nëse lejen për të hyrë në Kosovë e ka paraqitur përmes saj (siç u tha në lajme), dhe sjelljen e civilizuar të Prishtinës, në frymën e përpjekjeve për lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave. Ai atje tha dy deklarata të njohura, por e veçanta e atyre që tha  është se nuk i shqiptoi nga Beogradi apo Brukseli, siç bën rregullisht, po m’u në Kosovë: “Kjo është toka jonë” tha; për njohjen e Kosovës përsëriti, “Yow know my answer. It is short and clear – never” (Ju e dini përgjigjen time. Ajo është e shkurtër dhe e qartë - kurrë);  dhe thirri për të mos u shpërbërë strukturat paralele; ndërsa ministri për Diasporën i Kosovës, veç një javë më pas, u ndalua në vendkalimin e Konçulit, në kufirin Kosovë - Serbi, për një vizitë në Luginën e Preshevës. E çfarë është thirrja për referendum e një pakice sa një fshat i madh përpara politikës që Tadiç e përsëriti m’u midis Kosove, duke legalizuar dhunshëm dyshtetësi, si kundër  shtetit të Kosovës ashtu dhe ndaj faktorit ndërkombëtar e forcave të KFOR. Kjo po, kjo nuk është komedi. Beogradi sajon referendumin për të mbrojtur dyshtetin me strukturat paralele. Bashkimi Europian nuk duhet të ndikohet nëse veriu tërhiqet nga referendumi dhe kjo pastaj të trajtohet siç u bë me dorëzimin e krimineleve, që Serbia të nxjerrë përfitime. Serbia i dorëzoi kriminelët kur deshi ajo, dhe jo kur iu kërkua e kur duhej. Askush në Kosovë nuk beson që, çliruesit e të gjithë territorit të Kosovës nuk qenkan në gjendje të lirojnë një cep të  vogël në veriun e saj, dhe Serbisë t’i tregohet prerë deri ku e ka kufirin e vet territorial e politik. Ajo që po ndodh në veri në mënyrë të  dhunshme, të tejzgjatur, bllokuese dhe me struktura paralele antikushtetuese, nuk është as e drejta e pakicës atje dhe as fuqi e njëmendtë e Serbisë. E gjithë kjo është një lëshim i pafalshëm që në qershor 1999, lëshim i pafalshëm qysh prej 12 vitesh, lëshim i pafalshëm ndaj Serbisë keqpërdoruese politike e territorit të shtetit të Kosovës. Kosova është shtet i ri dhe, në ecjen e vet patjetër ka problem të mëdha edhe nga vetvetja, por Kosova do të kishte ecur dy herë më shpejtë nëse faktori ndërkombëtar do t’i vinte kufi dorës së zgjatur të Beogradit, që e mban Kosovën në trazim, edhe në prani të ndërkombëtarëve.
Por, ka dy dhimbje koke për politikën serbe: Thirrja e prerë e kancelares Angela Merkel,  edhe gjatë vizitës në Kosovë që, “…Serbia në Kosovë të mos ketë struktura paralele. Këtë e kam thënë në Serbi dhe sot e thashë edhe këtu…”, duket do të jetë një kusht për procesin e integrimit; dhe deklarata e ndihmëssekretarit të shtetit të SHBA, Philip Gordon se, “… jo tërheqja, por as zvogëlimi i numrit të forcave amerikanë në Kosovë nuk është në agjendën dhe programin e SHBA”, si ngrirje e humorit serb pas një lajmi se ushtarët amerikanë të Bondstilli do të largohen për në SHBA.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›