Rama: Nuk ndalemi. Mbi 2000 qytetarë, gati për grevë urie

Kryetari i opozitës deklaroi dje se nuk ka shanse që kjo grevë të përfundojë pa u hapur kutitë. Rama paralajmëron vazhdimin e grevës së urisë me të tjerë qytetarë
TIRANË - Duke parë refuzimin kategorik të mazhorancës dhe Kryeministrit Sali Berisha për të zgjidhur krizën politike përmes hapjes së kutive të votimit, opozita ka vendosur që të intensifikojë edhe më tej grevën e urisë.
Kreu i opozitës, Edi Rama, duke folur dje përpara protestuesve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" bëri të ditur se janë rreth 2000 persona që janë të gatshëm për të hyrë në grevë urie si shenjë proteste ndaj qëndrimit indiferent të mazhorancës.
Rama vuri në dukje se greva e urisë do të zgjerohet me numrin e saj derisa partia në pushtet të pranojë hapjen e kutive të votimit, si rrugë për të dalë nga ngërçi politik.
"Janë deri në çastin që po flasim 2173 qytetarë dhe qytetare të regjistruar për të hyrë në grevën e urisë dhe për të mos e ndalur këtë grevë, derisa dora që e mban peng demokracinë, që mban peng shtetin e së drejtës, që mban peng ekonominë e këtij vendi, duke mbajtur peng burimin nga rrjedh i gjithë procesi demokratik të mos ndalet dhe të mos largohet nga kutitë e mbyllura.
Nuk ka shans që kjo grevë të përfundojë dhe që kutitë të mbeten të mbyllura dhe që populli të mbetet në këtë udhëkryq, që është udhëkryqi po e mban peng vetëm e vetëm një qeveri që nuk buron nga vota e popullit, por buron nga një gënjeshtër madhe që nuk e lë të vërtetën të lirë dhe prandaj edhe lirinë tonë në këtë vend e bën përditë e më të gënjeshtërt", - tha dje Rama.
Lideri i opozitës specifikoi gjithashtu se zgjatja e grevës së urisë tregon qartë për dritëshkurtësinë e pushtetit politik që, sipas Ramës, nuk po i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve.
"Zgjatja e stërmundimshme e kësaj greve është prova e qartë e dritëshkurtër e këtij pushteti, i cili duke i mbyllur rrugën zgjidhjes dhe transparencës, i mbyll rrugën Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të këtij vendi', - u shpreh ai. Kryesocialisti theksoi se mazhoranca po përdor çdo mjet për t'iu kundërvënë zhvillimit të grevës së urisë.
Ai mohoi të gjitha akuzat dhe aludimet sipas të cilave, opozita pretendon që të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa nënvizoi se lëvizja e popullit opozitar për transparencën e zgjedhjeve nuk do të gjenerojë në akte të dhunshme. "Nuk po lënë gur pa luajtur e gjë pa bërë, për t'i ikur të vërtetës së kësaj greve, duke na sulur të gjitha forcat e propagandës qeveritare.
Nga turmat e mbledhura me lista, tek listat e intelektualëve të kthyer në turmë. Nga shpifjet për çka ndodh nga brenda çadrës, tek akuzat për çka jo vetëm nuk e kemi bërë, por as nuk e kemi menduar ndonjëherë në këtë lëvizje që kurrë nuk do të gjenerojë në dhunë", - nënvizoi Rama.
Kreu i së majtës, përsëriti qëndrimin se opozita po e bën këtë betejë, pasi janë cenuar standardet e zgjedhjeve, është rrënuar ekonomia e vendit si dhe në Shqipëri mungon shteti ligjor.
Transparenca e zgjedhjeve, sipas Ramës, do të bëjë të mundur zhvillimin e vendit në këto drejtime. "Kjo nuk është një betejë për ta përmbysur pushtetin nga rruga, por një betejë për t'i hapur rrugë rimëkëmbjes së Shqipërisë që ka rënë përmbys.
Kanë rënë përmbys zgjedhjet, prandaj ka rënë përmbys ekonomia, prandaj ka rënë përmbys shteti i të drejtës, prandaj po bie përditë përmbys demokracia dhe prandaj jemi ne këtu, prandaj 200 burra dhe gra janë në grevë urie, prandaj ju vini këtu çdo ditë në orën 6, prandaj disa qindra dhe mijëra disa ditë më parë, për të dëshmuar urinë për zhvillim demokratik dhe ekonomik", - sqaroi kryesocialisti.
Refuzimi i shumicës në pushtet për të mos hapur kutitë e votimit, sipas Ramës, bart një qëllim në vetvete që kërkon të deformohen sërish zgjedhjet e ardhshme.
Por, tashmë, sipas tij, shqiptarët e kanë kuptuar këtë të vërtetë dhe prandaj nuk ka shqiptar që sot të mos jetë i interesuar për transparencën e zgjedhjeve apo për politikat që ndjek pushteti politik. "Shqiptarët e kanë kuptuar këtë të vërtetë.
Votat janë vjedhur dhe mbahen mbyllur vetëm me një qëllim, që të vidhen përsëri e përsëri. Kjo është e vërteta, e këtë të vërtetë ne e mbrojmë duke kërkuar transparencë.
Nuk ka shqiptar të pa interesuar për pushtetin, që nuk është i interesuar për transparencën, për hapjen e kutive, për nxjerrjen nga ato kuti të armëve që vrau zgjedhjet e shkuara, dhe që për atë shkak po vret demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë shqiptare", - tha Rama.
Për këtë arsye, sipas tij, opozita është e vendosur që ta çojë deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve, pavarësisht indiferencës së Kryeministrit Berisha.
Ai specifikoi se opozita do të qëndrojë përballë selisë së Kryeministrisë deri në transparencën e zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që, sipas tij, Shqipëria të çlirohet një herë e mirë prej manipulimit të zgjedhjeve.