E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS: Vendim politik kundër ndryshimeve në Rregullore

Takimi Deputetët e opozitës do të diskutojnë në seancë për nisjen e transparencës

Deputetët socialistë do të votojnë kundër ndryshimeve të rregullores së Parlamentit, të cilat parashikojnë instalimin e votimit të hapur për personat. Në mbledhjen e zakonshme të Grupit Parlamentar, deputetët kanë rënë dakord për kundërshtimin në bllok të nismës “blic” të shumicës së djathtë, e cila përmes ndërhyrjeve të shumta ka sjellë një përmbysje në dokumentin që rregullon procedurat parlamentare. Formalisht riformatimi i rregullores pasoi vërejtjet e shumta që u bënë ndaj rrëzimit të cilësuar si të “paarsyetuar” të dekretit presidencial për emërimin e Vangjel Kostës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Një paralelizëm me praktikat e SHBA, i sjellë në vëmendje nga ambasadori amerikan në Tiranë, duket se ka sjellë përpilimin e ndryshimeve që me votën e hapur pretendon transparencën parlamentare. Por qëllime të tilla, komprometohen shumë nga prapavija e marrëdhënieve që përcaktojnë tani raportin ndërpolitik në Shqipëri, si dhe nga grafiku i veprimeve të shumicës aktuale. Një lexim politik i pasojave që sjell votimi i hapur vjen nga deputeti socialist, Bashkim Fino, i cili ka deklaruar për gazetën “Shqip” se nisma nuk kufizohet vetëm tek anëtarët e gjykatave, por ajo teorikisht i referohet edhe zgjedhjes së Presidentit, një figurë edhe më e rëndësishme sesa anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. “Me votimin e hapur, Berisha po synon dhe po merr praktikisht edhe Presidentin e Republikës, sepse thjesht fare mund të bëjnë ndryshime edhe në këtë pikë dhe të kalohet në zgjedhje të hapur”, ka ironizuar Fino. Një optikë më afatgjatë kjo e pasojave të nxitura nga ndryshimi i rregullores, që sipas deputetit socialist edhe për shkak të kalimit me procedurë të përshpejtuar dikton votën kundër. Sipas deputetëve të selisë rozë i gjithë kuadri i ndryshuar në finale reflekton një përpjekje për të vënë në kontroll gjykatat kryesore në vend, çka në një pikëpamje rrezikon edhe parimet kushtetuese të pavarësisë së pushteteve dhe balancimit të tyre. Ndërkohë, grupi parlamentar socialist ka diskutuar dje edhe për sa i përket situatës politike në vend, e cila nuk po del nga gjendja e një krize që e ka futur edhe ligjërimin publik në kllapinë e përsëritjes së të njëjtave fjalë dhe kërkesa. Sipas njoftimit zyrtar të Partisë Socialiste, angazhimi politik dhe institucional i deputetëve për zhbllokimin e situatës politike do të vijojë edhe në ditët në vijim. Kështu është rënë dakord që edhe në seancën e sotme parlamentare të kërkohet realizimi i kërkesës së PS për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe arritjen e një kompromisi që e respekton këtë kërkesë. Ky apel që do të aktualizohet edhe në Parlament fiton së fundmi një kohezion të ri me mesazhet që mbërrijnë nga Parlamenti Europian që në datën 22 qershor pritet të miratojë një rezolutë për Shqipërinë dhe rrugën e saj për integrimin. Këtu ka vend të kujtohet se ky dokument i parashikuar për të kaluar gati 2 javë më parë, u shty pikërisht për t’i dhënë një shans politikës shqiptare në gjetjen e gjuhës së përbashkët në mënyrë që edhe përmbajtja e rezolutës të mos ketë karakter penalizues.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›