Internacionalja, Rama në Nju Jork për krizën

Shqetësimet opozitare për transparencën e zgjedhjeve pritet të fitojnë një audiencë të re ndërkombëtare. Mbledhja e parashikuar e Këshillit të Internacionales Socialiste që do të mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në datat 21-22 qershor do të ketë si pjesëmarrës të vet edhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, që do të shoqërohet nga sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, dhe sekretari i grupit parlamentar, Taulant Balla. Edhe pse axhenda zyrtare e saj, që me zhvillimin në Pallatin e Qelqtë, fiton një simbolikë të re, parashikon trajtimin e problemeve të tilla si ndryshimet e klimës, perspektiva e lëvizjes së majtë në botë në kontekstin edhe të situatave të reja ekonomike, apo edhe mospërhapja e armëve, është e pritshme që një apel të bëhet edhe për situatën në Shqipëri. Për më shumë që Dade u shpreh dje se “mbledhja do të miratojë të gjitha rezolutat e miratuara deri më tani nga takimet e mëparshme”. Por shanset për këtë angazhim publik shtohen po të mbahet parasysh se në takim do të jenë edhe përfaqësues të njohur të politikës ekzekutive në Europë, si Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, dhe ai spanjoll, Hose Lusi Zapatero, të cilët janë edhe njerëz me ndikim në lëvizjen e majtë ndërkombëtare. Pavarësisht pra, nga diapazoni shumë i gjerë dhe kompleks i mbledhjes së Nju Jorkut, është i pritshëm një mesazh i ri edhe për krizën aktuale në Shqipëri, e cila ndodhet nën menaxhimin e huaj që prej datës 19 maj, kur edhe u mbyll greva e urisë së organizuar nga Partia Socialiste. Konotacionin shpresëdhënës të saj e ka përforcuar edhe Dade, e cila në një prononcim për TV “Alsat” dje, ka nënvizuar mundësitë e reja që ofron Këshilli i IS. “Internacionalja socialiste mban mbledhjen e këshillit. është interesant fakti që mbledhja e këshillit bëhet në Nju Jork, në selinë e OKB. Besoj që delegacioni shqiptar i kryesuar nga Edi Rama do të ketë një pjesëmarrje aktive, në mënyrë të veçantë, dhe pas mbledhjes që u mbajt në Tiranë”, deklaroi ajo. Në hapësirën kohore që ndan aktivitetin në fjalë me momentin e tanishëm, negocimi për zgjidhjen e situatës ka arritur maksimumin dhe me gjasë mund të sjellë disa zhvillime që mund të nxjerrin nga axhenda e delegacionit shqiptar termin krizë. Kjo pasi vetëm këtë javë, diplomacia europiane ka përcjellë mesazhe cilësisht të reja ndaj ekipit politik në Tiranë pa harrur me këtë rast edhe përpjekjet për firmosjen e një marrëveshjeje finale. Për sa i përket kësaj të fundit, socialistët kanë rikonfirmuar edhe dje gatishmërinë për të nënshkruar draftin e përgatitur nga përfaqësuesit europianë, çka nënkupton ekzistencën e një dokumenti përfundimtar, përmbajtja e të cilit refuzohet nga shumica e drejtuar nga Sali Berisha. “Ne jemi dakord me draftin, i cili ka qenë në duart e politikës, por edhe në duart e ekspertëve respektivë... Ne kemi ardhur tani në një limit, i cili është i përputhshëm edhe në opsionet që ofrojnë vetë BE dhe partnerët tanë euroatlantikë të mbështetur dhe nga SHBA dhe i takon Sali Berishës që të japë OK dhe të mos i çojë gjërat përtej caqeve”, ka deklaruar sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arta Dade.
#