E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen ndëshkimet në Rregulloren e Kuvendit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 23-02-2011 10:51

Çdo deputet që do të tentojë të bllokojë për tre minuta foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, do të përjashtohet nga jeta parlamentare për tre javë. Mazhoranca e djathtë ka miratuar dje në Komisionin e Ligjeve, vetëm me votat e saj, ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit, ku ndryshe nga sa parashikohej, në nismën fillestare të grupit demokrat, është ulur me një javë masa e penalizimit, por janë shtuar veprat që konsiderohen të dënueshme, siç është edhe ajo bllokimit të foltores. Jo vetëm ky amendim, por edhe e gjithë nisma në tërësi, është kundërshtuar fort nga deputetët socialistë, të cilët duke e konsideruar atë si përpjekje për të eliminuar zërin e opozitës, janë larguar nga mbledhja.

Mbledhja

Komisioni i Ligjeve ka mbyllur dje debatin, lidhur me ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit, si dhe shtimin e një aneksi të veçantë për kufizimin e imunitetit. Ashtu siç edhe pritej, mbledhja për shkak të rendit të ditës ka nisur e tensionuar, dhe deputetët e të dyja krahëve kanë debatuar ashpër mes njëri-tjetrit. Diskutimet janë bërë më të nxehta, për shkak edhe të disa amendimeve të tjera të paraqitura nga deputeti Eduard Halimi, dhe që i’u janë shpërndarë në sallë, ku natyrisht në listën e veprave të dënueshme, propozohej të përfshihej edhe tentativa e deputetit, të prishë punimet e seancës plenare, nëpërmjet bllokimit të podiumit. “Kur deputeti pengon zhvillimin e rregullt të seancës, nëpërmjet zaptimit të foltores, nuk lejon deputetin pasardhës të marrë fjalën, për më shumë se 2 minuta, atëherë Kryetari i Kuvendit i tërheq vërejtjen dhe e paralajmëron për marrjen e masës së përjashtimit në rast vazhdimi. Në rast se deputeti vazhdon të mbajë të uzurpuar foltoren, edhe pas tërheqjes së vërejtes, për më shumë se një minutë, përjashtohet nga seanca plenare dhe komisionet, me maksimumin e parashikuar në nenin 65 të Rregullores’, - ishte përmbajtja e amendamentit të Halimit. Ndërkohë që në sallë, vet kryetari i komisionit Ilir Rusmali ka propozuar që masa e propozuar prej 30 ditësh përjashtim për deputetët shkelës të rregullores, të ulej në 21 ditë. Të dyja këto propozime janë konsideruar nga deputetët e majtë, si një përpjekje për të bllokuar fjalën e opozitës. “Jemi duke kaluar një krizë të thellë politike, e cila siç e thashë dhe në seancën e kaluar, nuk mund të tejkalohet me ndryshime teknike të rregullores”, - tha deputeti, Pandeli Majko, duke ftuar në të njëjtën kohë kolegët e vet, që të lënë sallën në shenjë mospajtimi me qëndrimin e mazhorancës. Por përveç deputetëve të opozitës, nuk kanë munguar edhe zëra të tjerë nga vet mazhoranca, siç ishte rasti i deputetit, Dashnor Sula, i cili ka shprehur dyshime se amendamenti “Halimi” nuk bënte të qartë se si do merrej masa përjashtuese, në rastin kur foltoren e zapton më shumë se 1 person njëherësh. Pavarësisht kundërshtimeve dhe largimit të opozitës, mazhoranca ka vijuar diskutimin, duke votuar fillimisht ndryshimet në rregullore.

Imuniteti

Pasi ka votuar nismën për ndryshimin e rregullores, së bashku me amendimet përkatëse, Komisioni ka kaluar në diskutim nen për nen të aneksit të propozimeve, për kufizimin e imunitetit. Gjatë diskutimit të kësaj nisme, ka pasur përpjekje nga deputetët për të qartësuar çështjen e kufizimit të imunitetit, edhe për ministrat që s’janë deputetë. Ai që e ka ngritur si shqetësim ka qënë sërish deputeti Dashnor Sula, i cili ka theksuar nevojën e qartësimit të kësaj kategorie, si e prekshme nga efektet e kësaj nisme. Por sipas kreut të komisionit, Ilir Rusmali, një evidentim i tillë ishte i panevojshëm, pasi vet përmbajtja e neneve të kësaj nisme e parashikonte një gjë të tillë. Një pikë tjetër që ka ngrënë debat ka qenë dhe propozimi i deputetit, Enkelejd Alibeaj, për të përfshirë kufizimin e imunitetit të deputetit edhe në rastin e arrestimit. Por as kjo ndërhyrje nuk është pranuar, pasi sipas Rusmalit në rastet e arrestimit, Kushtetuta parashikon të detyrueshme votimin në seancë. Për rrjedhojë, edhe kjo nismë është miratuar pa asnjë votë kundër, nga të gjithë deputetët e mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›