Grupi i PS-së: Protesta dhe greva e urisë do të vazhdojnë pa ndërprerje
Socialistët diskutojnë edhe mundësinë e zëvendësimit të grevistëve
Protestat maratonë të opozitës dhe greva e urisë do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në plotësimin e kërkesave të opozitës, të paraqitura që prej 10 muajsh. Vendimi është marrë në unanimitet nga të gjithë deputetët socialistë dje paradite, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e cila zgjati 2 orë. Ky është takimi i parë i Grupit të PS-së që pas fillimit të protestës masive dhe mosbindjes civile që ka ndërmarrë opozita. Grupi Parlamentar socialist diskutoi gjithashtu edhe mundësinë e zëvendësimit të grevistëve të ngujuar në çadrat përpara selisë së Kryeministrisë, por për këtë pritet të merret një tjetër vendim politik. Në bazë të kompromisit që vjen nga ndërkombëtarët, socialistët janë dakord që të hetohen materialet zgjedhore dhe hapja e kutive të bëhet nga Komisioni i Venecias.
Kodheli
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar pa praninë e medias, deputetja Mimi Kodheli është prononcuar për mediat. “Vendimi për vazhdimin e qëndresës është një vendim që vjen në emërues të përbashkët nga të gjithë parlamentarët socialistë. Do të ketë një aksion politik, i cili do të finalizohet me strategjinë për ta realizuar këtë gjë. E rëndësishme është që ne kemi qenë të gjithë në unanimitet për vendimin politik që kemi marrë për vazhdimin e qëndresës dhe pjesëmarrjen kur të jetë e nevojshme në grevën e urisë. Kemi një listë të pafund mbështetësish, të cilët kanë shfaqur dëshirën dhe kanë shënuar emrin për të qenë atje brenda”, - deklaroi deputetja Kodheli.
Vendimi
Një vendim tjetër para mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është bërë i ditur para pak ditësh nga deputeti Fatmir Xhafa, në një intervistë për Zërin e Amerikës. Sipas tij, PS-ja i ka lënë qeverisë një afat për të reflektuar mbi kërkesat e opozitës. Drejtuesi i grevës së rreth 200 deputetëve dhe mbështetësve të PS-së që janë ngujuar në grevë që prej mbrëmjes së 30 prillit, tha se në rast të mosplotësimit të kushteve, përveç delegjitimitetit, do të kërkohen edhe zgjedhje të parakohshme. “Nuk do ta njohim qeverinë dhe as Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit nëse nuk do t’i hapet rrugë transparencës së plotë të zgjedhjeve”, - tha Xhafa. Ai theksoi se këto janë pjesë të lëvizjeve që po bën Partia Socialiste për hetimin e zgjedhjeve parlamentare dhe greva është në funksion të misionit për transparencë.
Kushtet
Vetëm pak ditë më parë, grupi organizator i grevës u bëri një mesazh të hapur organizmave ndërkombëtarë dhe mediave të huaja, ku përcaktoi gjashtë kushtet për maxhorancën. Përveç kërkesës për hapjen e kutive të votimit, ndër kërkesat e parashtruara ishin edhe transparenca e situatës ekonomike, emërimi konform procedurave ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, si dhe zbardhja e autorëve të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. “Plotësimi i këtyre kërkesave me interes publik e kombëtar dhe aspak partiak apo në favor të një pale kundër një tjetre, do t’i kthejë vendit normalitetin e munguar politik e institucional dhe do të përshpejtojë procesin e demokratizimit e të integrimit europian të vendit”, - thuhet në deklaratën e bërë më datë 7 maj, në ditën e 7-të të grevës. Tashmë grevistët paralajmërojnë radikalizim të kushteve nëse nuk do të gjendet zgjidhje gjatë kësaj jave.
19 Maj 2010