Rinisin negociatat, Patozi e Ruçi takohen sot, priten diskutime për Komisionin dhe fletët e votimit
Eljona Ballhysa
Menjëherë pas vizitës së ambasadorit belg në Tiranë, vendi i të cilit merr Presidencën e radhës së BE-së, politika shqiptare ka dhënë sinjalet e para për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ndërsa ndërkombëtarët e kanë kushtëzuar dhënien e opinionit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe ecurinë e proceseve të tjera integruese, me zgjidhjen e krizës, dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së kanë vendosur të takohen rreth orës 11 të paradites së sotme në Kryesinë e Kuvendit. Për të lënë këtë takim mësohet se kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka zhvilluar një “vizitë” në zyrën e kreut të deputetëve socialistë Gramoz Ruçi në Kryesinë e Kuvendit gjatë ditës së djeshme. Takimi i parë informal Patozi - Ruçi ka zgjatur vetëm 20 minuta dhe palët vendosën që bisedimet për zgjidhjen e krizës të nisin pikërisht gjatë ditës së sotme. Mësohet se dy krerët e grupeve parlamentare do të shoqërohen edhe nga dy deputetë njohës të ligjeve.
Çështjet
Dy kryetarët e grupeve parlamentare pritet të diskutojnë gjatë ditës së sotme fillimisht për modalitetet e ngritjes së komisionit të ri parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ashtu sikurse parashikohet në Rezolutën e PE-së, duhet që Parlamenti të miratojë ngritjen e një komisioni të ri ku postin e kryetarit dhe shumicën e anëtarëve ta ketë opozita socialiste. Ndërkaq, pikë e fortë debati pritet të jetë objekti i hetimit të zgjedhjeve. Kjo për faktin se të dyja partitë politike, ashtu sikurse ndodh zakonisht, edhe këtë herë e lexojnë ndryshe Rezolutën e PE-së. Kështu, demokratët janë të gatshëm të tolerojnë hetimin e materialeve zgjedhore me kusht që të digjen menjëherë fletët e votimit, ashtu sikurse parashikohet në Kodin Zgjedhor. Ndërsa socialistët, duke iu referuar Rezolutës së PE-së, kërkojnë hetimin e plotë të zgjedhjeve, duke nënkuptuar pezullimin e fletëve të votimit deri në përfundimin e procesit hetimor dhe rinumërimin e tyre në rast se lind nevoja. Pikërisht kjo çështje, që prej gati një viti ka përbërë atë që quhet krizë politike, pritet që të jetë pjesë e diskutimeve të sotme mes Patozit dhe Ruçit, dy të mandatuarve të PD-së dhe PS-së për të arritur konsensusin. Takimi mes dy krerëve të grupeve parlamentare mësohet se do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa pjesëmarrjen e mediave, por pas takimit mësohet se do të ketë një deklaratë për shtyp.
Negociatat
Negociatat mes dy partive politike u nxitën të rifillonin sërish fill pas vizitës së ambasadorit belg, Mark Mishelsen, vendi i të cilit merr Presidencën e Bashkimit Europian për gjashtë muajt në vijim. Mishelsen, gjatë një konference për shtyp, ku prezantoi programin e Presidencës belge të BE-së, ndërsa i bëri apel udhëheqjes politike shqiptare për zgjidhjen e krizës, nënvizoi se proceset e integrimit europian varen pikërisht nga zgjidhja ose jo e kësaj krize. Madje ai tha se kriza duhet të zgjidhet para muajit nëntor, muaj në të cilin pritet që Komisioni të japë opinionin për kërkesën e Shqipërisë për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat në BE. Fill pas kësaj deklarate gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë, Berisha, mandatoi kryetarin e Grupit të PD-së, Patozi, që të nisë negociatat me PS-në. Ndërsa pranoi ngritjen e një komisioni të ri hetimor, Berisha u shpreh se përsa i përket rinumërimit të votave, socialistët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ose Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Edhe socialistët mandatuan gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar kreun Gramoz Ruçi për të negociuar me PD-në. Gjatë mbledhjes së sotme pritet që të dyja partitë të dalin me një qëndrim të ri për zgjidhjen e krizës në vend.
Ristani: “Kodi Zgjedhor e përcakton si do të veprohet me fletët e votimit”
Një ditë para nisjes së negociatave mes socialistëve e demokratëve, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, bën të ditur se debati që po vijon prej një viti mes maxhorancës dhe opozitës është vetëm politik, pasi ligji, sipas tij, flet për materialet zgjedhore, për fletët e votimit dhe destinacionin përkatës të dy llojeve të kutive. Edhe pse ka deklaruar disa herë se fati i fletëve të votimit është djegia e tyre, sipas ligjit, kriza politike deri tani e ka penguar ta bëjë një gjë të tillë. Por, nëse ligji deri tani është interpretuar, sipas Ristanit, nuk lë më hapësirë për interpretim dekretimi i datës së zgjedhjeve të ardhshme, datë që nga kreu i shtetit duhet të shpallet 9 muaj para përfundimit të mandatit të krerëve aktualë të njësive vendore. Nëse politikës do t’i hyjë në punë, KQZ-ja ka përgatitur një draft për përmirësimin e Kodit Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe defektet e zgjedhjeve të shkuara. Por, ndërkaq, Ristani bën thirrje se, nëse palët kanë ndër mend të bëjnë ndryshime thelbësore në Kod, ato nuk duhet ta vonojnë.
Meta: “Socialistët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, ka përsëritur edhe njëherë dje thirrjen drejtuar opozitës që për të zgjidhur krizën politike t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërt, sipas tij, PS-ja po përdor alibi për të zgjatur krizën artificiale. Meta, gjatë një konference për shtyp, ka përshëndetur dje Rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, ndërsa ka theksuar se në Rezolutë është përcaktuar mënyra e hetimit të zgjedhjeve. “Rezoluta PE-së është tepër e qartë. Përderisa ka mosmarrëveshje të thella, kur nga njëra anë PS-ja e konsideron hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit si një të drejtë kushtetuese dhe maxhoranca thotë se është antikushtetuese, atëherë e vetmja rrugë mbetet çuarja e kërkesës nga PS-ja në Gjykatën Kushtetuese. Dhe maxhoranca do të respektojë vendimin e Gjykatës”, - është shprehur Meta. Sipas tij, PS-ja i ka të gjitha mundësitë dhe deputetët për t’iu drejtuar gjykatave. Sa i takon hetimit të materialeve zgjedhore, Meta saktësoi se hetimi do të bëhet ashtu sikurse përcaktohet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht se ky ligj u miratua me kundërshtimin e partisë që ai drejton, LSI-së. Për kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, instrumentet e zgjidhjes së krizës janë të shprehura në Rezolutën për integrimin e Shqipërisë që Parlamenti Europian miratoi një javë më parë. Ai përshëndeti propozimin e kryeministrit Berisha për t’iu drejtuar opozitës për zgjidhjen e krizës duke punuar së bashku në implementimin e Rezolutës së PE-së. “Dëshiroj që dhe udhëheqësi i PS-së të ketë vullnet të plotë dhe të kuptojë qartë se integrimi i vendit drejt BE-së është përgjegjësi e të gjitha forcave politike”, - është shprehur Meta.
Gjatë fjalës së tij Meta ka mbështetur votën pro të deputetit të LSI-së, Nasip Naço, ndaj kandidatit për anëtar në Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmata. Në cilësinë e kryetarit të LSI-së, Meta tha se politika e partisë së tij është se do të mbështesë të gjitha dekretet e Presidentit.
14 Korrik 2010