Grupi i punës nis fazën e selektimit
29/12/2009 Sekretarët e këshillave socialistë raportojnë për ndryshimet në statut
Organizatat, pas zgjedhjeve konstituimi i asambleve socialiste
Grupi i punës për ndryshimet në statut pranë Partisë Socialiste pritet të nisë shqyrtimin e opinioneve të anëtarësisë mbi funksionimin e “kushtetutës” së kësaj partie. Mësohet se një proces i tillë do të nisë në fillim muajin e ardhshëm. Gjatë ditës së djeshme sekretarët e këshillave socialistë në rrethe, gjatë një mbledhje në selinë rozë, veç raporteve rreth kësaj çështjeje, informuan edhe për ecurinë e zgjedhjeve në organizatat socialiste. Pas dorëzimit në të gjitha degët e PS-së në rrethe të pyetësorit drejtuar anëtarësisë së saj për përthithjen e mendimeve për funksionimin e statutit, ishte parashikuar që deri më 25 dhjetor strukturat drejtuese ta përfundonin këtë proces. Por ky afat nuk është respektuar, pasi jo të gjitha degët kanë sjellë përgjigjet e pyetësorëve sa i takon një çështje të tillë. Po kështu dhe zgjedhjet në organizatat socialiste nuk janë organizuar në të gjithë vendin. Për këtë arsye gjatë takimit të djeshëm bëhet e ditur se drejtuesit e PS-së në qendër kanë kërkuar nga sekretarët e këshillave socialistë në rrethe që këto dy procese të përfundojnë në javët e para të janarit të vitit që po vjen, me qëllim që pas përfundimit të zgjedhjeve të reja në organizatat socialistë të nisë konstituimi i asambleve socialiste. Ndërsa në ato organizata ku është zhvilluar ripërtëritja, ky proces duhet të nisë menjëherë. Ndalur te përgjigjet e dhëna në pyetësorët për ndryshimet në statut, pritet që grupi i punës i ngritur posaçërisht për një çështje të nisë një tjetër fazë: atë të analizës së hollësishme të të gjitha këtyre materialeve. Vetëm pas testimit të të gjitha mendimeve ky grup pune do të mund të hartojë një draft, i cili do t’i paraqitet kryesisë së Partisë Socialiste, që është parashikuar të zhvillohet po në muajin e ardhshëm, ku do të paraqiten opsionet mbi mënyrën e funksionimit të “kushtetutës” së kësaj partie. Pikërisht për këtë arsye, kupola rozë hartoi këtë pyetësor, pra për përmirësime e ndryshime në statutin e PS-së. Megjithatë, i mbetet Kongresit të muajve të parë të vitit 2010 që të vendosë mbi ndryshimet në librin e rregullave të kampit rozë. Pyetësori i drejtuar bazës socialiste ishte një dokument orientues, ku do të mbështetej procesi i konsultimit për tërheqjen e mendimeve. Por në këtë dokument gjatë pyetjeve që janë shtruar për testim për strukturat e partisë vihen re disa ndryshime të pritshme mbi mënyrën e organizimit të PS-së në nivel vendor. Gjithashtu në këto pyetje shihet tendenca që shumë struktura të Partisë Socialiste të ndryshojnë mënyrën e të drejtuarit. Në këtë dokument anëtarët do të japin mendimin e tyre edhe lidhur me institucionalizimin e mendimit ndryshe, pra oponenca kolektive e organizuar brenda Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe në Kongresin e PS-së.
Kokteji
Me rastin e festave të fundvitit lidershipi socialist organizoi dje një koktej për drejtues të Partisë Socialiste në rrethe. Ishte menduar që pas përfundimit të mbledhjes së sekretarëve të këshillave socialistë në rrethe me sekretarin për çështjet ligjore pranë kësaj partie Fatmir Xhafa, të organizohej një koktej me ta në shenjë urimi për festat e këtij fundviti.
Afati
Grupet e punës të ngritura për ndryshimet në statut dhe programin politik të Partisë Socialiste duhet që brenda muajit janar të vitit që vjen të kenë përfunduar zbatimin e programit të punës në funksion të detyrës për të cilën janë ngritur dhe funksionojnë. Në këtë mënyrë, ndryshimet në statut dhe përmirësimi i programit politik i kësaj partie janë ndër çështjet kryesore ku duhej të ishin përqendruar grupet e punës.
Ndryshimi
Ndryshimet në statut pritet të prekin edhe përbërjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Konkretisht është përfshirja në mënyrë të drejtpërdrejtë e deputetëve anëtarë partie në një forum të tillë, gjë do të rishikohet nga kupola rozë. Grupi i punë i ngritur për këtë çështje do të kërkojë që përfshirja e deputetëve në Asamblenë Kombëtare të mos jetë më automatikisht, por t’i nënshtrohen votimit në kongresin e kësaj partie.