Mbeten në mes të detit peshkatari dhe i nipi
29/12/2009 Shpëtojnë, 55-vjeçari kaloi 6 orë në koma
DURRES- Roja bregdetare në Durrës ka mundur të nxjerrë nga deti një peshkatarë që është vënë në rrezik për jetën si pasojë e dallgëve dhe erës së fortë detare. Ramazan Hyseni ka dalë në peshkim në orët e mëngjesit të së dielës dhe me barkën e tij ka shkuar disa milje larg nga bregu. Peshkatari ka pasur në barkë së bashku me të nipin, por është ndier në vështirësi në kohën që ka hyrë në barkun e detit. Dy motovedeta të rojës bregdetare shqiptare kanë dalë në det sapo është dhënë sinjali SOS duke ndërhyrë për të shpëtuar jetën e peshkatarit. Hyseni ka mundur të dalë në breg falë ndihmës së afruar nga nipi i tij me të cilin ka dalë në gjueti. 55-vjeçari nga Durrësi e ka ndier rrezikun shumë vonë pikërisht në çastet kur është vënë përpallë dallgëve shumë të forta të detit. Fare pak mjete gjuetie kanë lënë kalatën për të provuar fatin së bashku me të tjerë gjuetarë. Rreziku për peshkatoren e Ramazan Hysenit ka ardhur disa orë, pasi ka dalë në gjueti duke vënë në pikëpyetje jetën e peshkatarit të njohur. Së bashku me të kanë qenë edhe dy peshkatarë, të cilët pasi kanë hedhur rrjetat kanë nisur të vëzhgojnë situatën. Sipas kapitanerisë së portit në Durrës, deti fillimisht ka qenë relativisht i qetë dhe më pas situata ka nisur të ndryshojë duke vënë në rrezik jetën e peshkatarëve. Dispeçeria e flotës në Durrës ka bërë të ditur se ka urdhëruar peshkatarët të qëndrojë në kalatë deri në përmirësimin e kushteve. Por jo të gjithë anijet dhe peshkatarët kanë “mbajtur” fjalën mes tyre edhe gjuetari i njohur Hyseni. Ai së bashku me të nipin u kanë besuar aftësive të veta duke menduar se mund të përballen me detin dhe dallgët. Në mëngjesin e së dielës dallgëzimet kanë ardhur duke u trazuar dhe deti ka shënuar deri në 8 ballë. Kjo situatë ka vënë në vështirësi peshkatarët, të cilët janë ndeshur me dallgë të forta. Sipas informimeve zyrtare të kapitanerisë së portit, deti ka nisur të trazohet në orët e paradites për të shënuar edhe pikun e “tërbimit” pak orë më pas. 55-vjeçari Hyseni e ka ndier kërcënimin dhe i ka kërkuar të nipit të kthehen në kalatë. Peshkatorja e tyre ka qenë diku rreth 15 milje larg bregut dhe era e fortë ka filluar të vërë në provë aftësitë e ekuipazhit dajë e nip. Për të shpëtuar nga të papriturat ata kanë filluar të mbledhin rrjetën, por deti është tërbuar në pak minuta duke dallgëzuar valët. Më shumë se 5 orë u është dashur peshkatarëve të përpiqen për të shpëtuar nga kthetrat e situatës së vështirë. Hyseni dhe i nipi tij kanë mundur të ndeshen me një mot me 8 ballë det dhe erë shumë të fortë. Mbijetesa e gjuetarëve është vënë në pikëpyetje për shkak të stuhisë së fortë që ka detyruar portin e kapitanerinë të marrin masa për të siguruar mjetet. Por krejt ndryshe është paraqitur gjendja për Hysenin dhe të nipin pasi dallgët kanë vënë para barkën e tyre të peshkimit. Sinjali SOS është kapur nga roja bregdetare, e cila ka nxjerrë në det dy motovedeta. Katër orë pasi kanë mundur të identifikojnë vendin ku gjendeshin dy peshkatarët ekipi i kërkimit e shpëtimit ka afruar ndihmën. Sipas ekuipazhit të rojës bregdetare ka qenë e pamundur të shpëtohet mjeti i gjuetisë, ndërkohë që peshkatari dhe i nipi kanë dalë në breg. Burime nga flota e peshkimit bëjnë të ditur se Hyseni ka humbur ndjenjat në mes të detit dhe vetëm fal motovedetave ka mbijetuar. Ai është tërhequr nga nipi pak milje dhe më pas ekipi emergjencave detare e ka pikasur duke afruar ndihmë. Hyseni është dërguar në spitalin e Durrësit dhe për afro 6 orë ka qëndruar në gjendje koma.