E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi kriminal B13, në pranga anëtarët e fundit

SARANDË- Policia e Sarandës ka arrestuar të fundmit e një prej bandave më të rrezikshme kriminale që ka vepruar në qytetin e Sarandës, e njohur si B 13. Ndalimi i tyre është bërë mbrëme vonë, pak orë pasi kishin kryer grabitjen e rradhës. Sipas policisë, në pranga janë vënë Lisjen Kazo dhe Fatjon Abazi, të dy nga 21 vjeç, që ishin personat më të kërkuar në Sarandë prej datës 22 dhjetor 2011.

Ata i shpëtuan operacionit Lëkurësi që policia e Sarandës ndërmori për shkatërrimin e grupit kriminal B 13, të akuzuar për 14 grabitje dhe shkatërrimin me eksploziv të automjeteve të dy zyrtarëve të lartë të policisë së Sarandës. Kryerja e një grabitjeje në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ka bërë që agjentët kriminalë të bien në gjurmët e tyre. Sipas policisë, biznesmeni Andi Mane ka denoncuar grabitjen e lokalit të tij duke u gdhirë dita e mërkurë.

Televizorë, lap top e pajisje kuzhine ishin zhdukur nga lokali i tij, në një grabitje të cilën më pas policia do ia faturonte sërish bandës B 13. Policia ka ushtruar kontroll në banesat e tyre dhe ka zbuluar një sërë materialesh të vjedhura si televizorë plazma, lap-top, pajisje kuzhine, të grabitura disa orë para arrestimit tek lokali i shtetasit Mane në Sarandë. Gjithashtu policia ka sekuestruar disa doreza, një kapuç që përdorej si maskë, një gërshërë prerëse hekuri, 6 telefona celularë si dhe disa çelësa.

Të arrestuarit i janë nënshtruar gjatë gjithë natës hetimeve, ndërkohë që ndaj tyre, veç 14 akuzave për grabitje dhe 2 për shkatërrim të pronës me eksploziv, i është shtuar edhe akuza e grabitjes së lokalit të shtetasit Andi Mane. Veç grabitjeve, grupi kriminal B 13, akuzohet se ka hedhur në erë me tritol makinën e ish-shefit të krimeve të Sarandës, Ilir Zhupa dhe makinën e ish-shefit të grupit të gatshëm të Sarandës, Aleksandër Lilo dhe shkaterrimin me eksploziv te Pub-it te Hotel “Butrinti”.    SHPRESA DINE

GRUPI KRIMINAL B 13

Lisjen Kazo, 21-vjeç

Fatjon Abazi, 21-vjeç Nole

Sildjon Sulejmanasi, 23-vjeç Çakalli

Sentjon Lame, 24-vjeç

Y.Kola 17-vjeç

O.Abazi 16-vjeç

K.Ruçi 15-vjeç

E.Elezi 14-vjeç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›