E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapitullimi i Akademisë së Enver Hoxhës ndaj Titos

05-06-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Mjafton të kujtojmë sesi për Akademinë tonë të kohës së diktaturës, Kosova nuk ishte veçse një shprehje gjeografike. Librat e nxënësve dhe të studentëve kishin vetëm disa shënime të përcipta. Boshllëqet në këtë sferë përmbusheshin nga autorë në mërgim, madje edhe të huaj. Ata libra meritojnë nderimin tonë. Libri i studiuesit të dëgjuar bullgar, Stefan Karajastojanovit për Kosovën, e ruan aktualitetin édhe sot. Gazeta jonë  ka pas shkruar për këtë vepër disa kohë më parë. Duke e lexuar kohët e fundit, më erdhi vetvetishëm të pasqyroj disa nga çështjet thelbësore, që janë vërtet sensibilizuese për çka bëhet sot në Kosovë. Para se të hyj në temë, më përftohet një refleksion: Vendet totalitare, kur ua do puna, veçanërisht pas destalinizimit në shkallë botërore (1957),  shndërrohen në “të moderuar”, vetëm sa të marrin gjendjen në dorë, kur i nxjerrin sërish kthetrat. Sadam Hyseini e deklaronte veten açik si ithtar të Stalinit. Pas Gjirit Persik, e humbi luftën nga faktori ndërkombëtar demokratik. Por lufta përfundoi para kohe. Dhe, si e mbushi kupën pas ngjarjes me Kuvajtin, tirani i Bagdadit nuk i shpëtoi dot gjyqit ndërkombëtar, që e dënoi me vdekje. Por sa viktima e shoqëruan atë lëshimin e parë? Kur Millosheviçi, Arkani, si edhe forcat militare dhe paramilitare bënë atë holokaustin e paparë pas Luftës II Botërore, në Kosovë, dhe Sllobodani u sulmua nga forcat e NATO-s, karrieristët e rinj i ngritën puplat, duke menduar për regjimin e mëpasëm. Sa morën pushtetin, i ngritën pimzat ndaj Kosovës. Dhe tani kërkojnë të hyjnë në BE, duke mbajtur ndaj Kosovës të njëjtin qëndrim kolonialist. Doemos që lidhjet e ngushta i mbajnë, tanimë, me Rusinë e Putinit. Dihet se Rusia ka qenë historikisht antishqiptare. Dhe, në ditët e sotme, ata që ia zunë vendin Sllobodan Millosheviçit dhe që ndjesitë ndaj Kosovës i kanë si ky i fundit, paçka se të veshura me një pelerinë që ka një dukje të rreme, por me njolla përbrenda. Ato njolla u kujtojnë se kolonializmi nuk mund të ketë më të ardhme.
***
Autori bullgar na thotë se vetëm gjatë viteve njëzet, në Kosovë na prunë 15.000 familje serbe, të cilave u dhanë 200 mijë hektarë tokë të punueshme. Në vitin 1981 Obradoviçi, në një vepër për reformën agrare, na vërteton për konfiskimin e tokave të pronarëve kosovarë që kishin dalë kaçakë për t’iu kundërvënë serbëve, që nga shkurti i vitit 1914. Serbët e tjerë i blenë thuajse falas tokat kosovare. Nikolla Pashiçi kishte blerë, në këtë mënyrë, 3000 ha tokë në afërsi të Prishtinës. Një dekret shpallte se, pas ripushtimit të Kosovës (1919), u shpërndaheshin toka falas ushtarëve dhe vullnetarëve kolonë. Këto toka kishin të drejtë t’i shisnin pas dhjetë viteve. Shteti u paguante falas transportin dhe të gjitha shpenzimet e shpërnguljes. Sipas Malkolmit, 10 % e popullsisë së Kosovës u shtuan me këta njerëz që i ranë qylit me pasuritë e të tjerëve.
E këta të papronë, që u pasuruan me njëqind privilegje nga pasuria vendore, na u dashkan që të trajtohen si agallarë e me dorë në zemër, si në asnjë vend tjetër të botës, sepse janë pakicë kombëtare, njerëz në minoritet të cilët, ndaj autoktonëve, ishin si ato shushunjat që sa s’plasnin nga gjaku që u kishin thithur vendalinjve. Dhe më vonë na flisnin për gjendje të mjeruar ekonomike kosovare, në vend që të bënin kompensime në trajtë rimbursimesh, për pasurinë e skajshme që kishin venë, në kurriz   pronarëve të ligjshëm!
E këtë pasardhësit e Milosheviçit e quajnë drejtësi të shekullit XXI!
***
Akademia jonë nuk e ka pas bërë këtë detyrë sensibilizimi, në kohën e diktaturës. Tani jemi para kushtesh të vështira, ndërsa serbët kanë mbështetjen e Rusisë së Putinit dhe as që duan të dinë për  hyrjen ne BE.  Udhëheqësit e tanishëm të Serbisë dhe ndjekësit e Putinit në Rusi, e ndiejnë veten bashkëvëllezër. Jo vetëm në ideologji e në marrëdhënie gjaku, por edhe në frymëzimin e njëjtë për politikën zhvatëse kolonialiste. Një arsye më tepër pse e nderojmë librin e Stefan Karajastojanovit. Që nga pikëpamja juridike, Kosova kurrë nuk ka qenë e përfshirë në shtetin Serb; këtë duhet të na e thoshte e të na e përsëriste Akademia jonë, në vend që të frymëzoheshim nga libra si ky të cilin, bashkë me shumë libra të tjerë, e kemi tani si libër të nderuar. Gjer në kohën kur Enver Hoxha u prish me jugosllavët, Kosova studiohej në shkollat tona si një shprehje gjeografike e përciptë. Cili nga nxënësit tanë të asaj kohe do të kishte sqarimin më të vogël se: Pushtimi i Kosovës (1912-’13) nuk u votua në Kuvendin e Lartë Popullor, ndërsa në kreun 4 të Kushtetutës (1903) thuhej se çdo zgjerim territorial serb duhej sanksionuar nga Kuvendi. Ky kuvend nuk u mblodh kurrë për këtë çështje. Pra, nuk kemi një akt legjislativ të bashkimit të Kosovës me Serbinë. Nuk pati as ratifikimin përkatës Traktati i Londrës  për peshqeshet që i bëri Serbisë. Nga ana tjetër Turqia, si vend cedues i territoreve dikur në vartësi të saj, në traktatin e Ankarasë (1925) kishte pranuar se banorët e Kosovës nuk ishin qytetarë të Serbisë, por të mbretërisë së re, MSKS-së (Mbretërisë Serbi, Kroaci Slloveni). Në traktatin e Bukureshtit (1913) Perandoria osmane nuk kishte marrë pjesë dhe ligjërisht kjo do të thoshte se bashkimi i territoreve osmane me Serbinë ka qenë i pavlefshëm.
Në kohën e Titos, Kosova ishte krahinë autonome e RSFJ (Republikave Socialiste Federative të Jugosllavisë). Por Jugosllavia u shpërbë. A kishte ndonjë prokurë legale Serbia që të ishte përfaqësuesja e Jugosllavisë së zhbërë? Të ishte, si të thuash, trashëgimtarja ligjore e së ndjerës Republikë Federative? Përse Serbia s’e mbajti dot Malin e Zi, qoftë edhe për të bërë një dyshe me të drejta të barabarta? (Kjo do t’i jepte mundësinë Ariut rus, që të dilte në detin Adriatik!).Sepse mali i Zi e fitoi pavarësinë me referendum. Kosovës nuk i pranohet referendumi, sepse nuk ishte Republikë, por autonomi! (Ja, pra, përse shqiptarëve të Kosovës nuk duan t’u kujtohet kjo fjalë e qëllimtë dhe e përdhosur “autonomi”, për vazhdimësinë e kolonializmit anakronik të sh. XXI!). Ishte RSFJ-ja që e bëri Republikë Malin e Zi, qoftë edhe me 600 mijë banorë! Tani ia hedhin fajin Kosovës edhe për padrejtësitë e kolonizatorëve! Por, ama, Kosova e kërkoi me gjak Kosovën-Republikë, veçse jugosllavët ia hoqën edhe autonominë, fare! Tani u dashka thënë “Le roi est mort. Vive le roi”?
Pra, do të ishte një paradoks që Serbisë t’i shpëtonte nga dora një vend sllav, me të folur që merreshin vesh për bukuri, me histori të njëjtë e me interesa të përbashkëta, si Mali i Zi, dhe t’i mbetej si koloni Kosova, një vend me të folur që sllavët s’e kuptojnë fare, një vend me gjak shqiptar, me një histori të dhunshme, që njeh vetëm masakra dhe shpërngulje prej serbëve. Koshtunica, pasardhësi i Millosheviçit në mëtimet ndaj Kosovës, mbështetej në ato qarqe të cilat ishin gati t’i tregonin munxët BE-së, vetëm të kishin Kosovën nën skllavërí. Por edhe Tadiçi, si më i moderuar (kinse), për efekte zgjedhore, kur vjen puna në këtë pikë të nxehtë, thotë se “Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe njerëzit tanë”. Po cilët na qenkan këta “njerëzit tanë”, hele, hele? Serbët? Sigurisht, ata janë mësuar të kenë plebenjtë për shërbëtorë, duke qenë vetë patricët! Erdhën nga Uralet dhe nga Karpatet në viset tona autoktone në sh. VI-VII pas Krishtit dhe vunë nën zgjedhë vendas, banues aty që në epokën e gurit! (Shekuj e shekuj para Krishtit).
Pra, edhe Tadiçi “i moderuar” luan me blofin. Pasi thotë se ai kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës (po kosovarët a do ta pranojnë skllavërinë e tyre?!) hidhet në krahun e kundërt dhe bën fjalë për “zgjidhje paqësore me proces megociator”! Libri është marrë edhe me politikën shovene serbe. Duket se Serbia, sipas mjaft analistëve dashamirës, duhej vënë, që në fillim, në kushtet e kapitullimit pa kushte. Si Sadami, herën e dytë! Qëndrimi i tanishëm i Milutinoviçit, e ka rënduar gjendjen dhe duket se e përforcon atë argumentin drastik të NATO-s, që sapo u cek.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›