E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupimi "Dhjetori ‘90", përkujton 20 Shkurtin

Në nderim të aktit të rreth 723 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës (18-20 shkurt 1991), që hynë në grevën e urisë pa afat duke kërkuar depolitizimin dhe heqjen e emrit të diktatorit “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës, 19 vite më pas, Grupimi “Dhjetori ‘90”, është përkujtuar kjo ditë që solli ndryshime të mëdha në vendin tonë.

Kryetari i Grupimit “Dhjetori ‘90”, Bislim Ahmetaj duke përshëndetur të pranishmit, tha se "qindra studentë dhe pedagogë u mblodhën pikërisht në këtë godinë, ku 19 vite më parë u futën në të parën grevë të urisë, në atë që solli më pas përmes protestave të tyre edhe rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha”. "Dëshironim të kishim një flamur pa yll. Sot në krahun tim, është flamuri i NATO-s, i Kosovës dhe i Bashkimit Evropian, të cilin ne do ta meritojmë shumë shpejt", tha Ahmetaj. Sipas tij, "nuk mund të kishte demokraci në Shqipëri, duke pasur bustin e Enver Hoxhës në çdo shesh të Shqipërisë".

Grupimit të Dhjetorit, tha Ahmetaj, ia bashkua lëvizja e shkurtit të po atij viti, ajo që ç’mitizoi krejtësisht shoqërinë shqiptare nga simbolet e komunizmit. Aktorja Rajmonda Bulku, deputete e PD-së, një nga protagonistet e ditëve të paharruara të dhjetorit '90, që çoi më pas në protestat e qytetarëve të Tiranës për rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha, tha se "rinia e atyre viteve mori përsipër të sakrifikonte shumë dhe i takoi atyre të ishin pararoja e një lëvizjeje madhore të rrëzimit të një sistemi, që duhej të hiqej qafe njëherë e mirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›