E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreshqet toka, mbyllet muzeu arkeologjik i Apolonisë

FIER - Muzeu arkeologjik i Apolonisë mbyll dyert për vizitorët. Shkak për këtë është bërë rrëshqitja e vazhdueshme e tokës, e cila ka vënë në rrezik objektet me vlera të mëdha muzeale.

Edhe pse shenjat për dëmtime të muraturave dhe objekteve muzeale janë shfaqur edhe më parë, reshjet e fundit të cilat kanë qenë me intensitet të lartë dhe me një kohëzgjatje më të madhe, kanë ndikuar për keq. Ato kanë shkaktuar një rrëshqitje masive të tokës, e cila ka theksuar më shumë çarjet dhe ka sjellë edhe më afër rrezikun.

Drejtori i Muzeut të Apolonisë, Marin Haxhimihali ka kërkuar ndihmë nga autoritetet përkatëse për të bërë të mundur ndalimin e rrëshqitjeve të mëdha të tokës, pasi sipas tij është ndërprerë hyrja për vizitorët. Rreziku më i madh është ai i shembjes së portikut ku mbahen statujat antike të qytetit. Reshjet e fundit kanë shkaktuar dhe çarjen në themel të murit rrethues, ndërsa vet portiku ka marrë krisje të mëdha të cilat rrezikojnë shembjen e tij.

Vetë drejtori Marin Haxhimihali- citon GSH- ka deklaruar se i vetmi shpëtim është ndërhyrja e Institutit të Monumenteve, pasi sipas tij, ky portik mund të shembet shumë shpejt. Haxhimihali ka theksuar se, duke parë se situata mund dhe të përkeqësohet si pasojë e vazhdimësisë së rrëshqitjeve të tokës në zonën e Apolonisë, në muze po zbatohet plani i emergjencës, që planifikon evakuimin e sendeve të lëvizshme. “Do e kemi të vështirë për 8 statuja të mëdha që paraqesin probleme për t’u zhvendosur, por do të bëjmë të pamundurën që asnjë prej tyre të mos dëmtohet”, - ka theksuar ai.

Apolonia
Muzeu i Apolonisë është ndër më të vjetrit në vendin tonë, në të cilin ndodhet vepra të vjetra antike më shumë se dy mijë vjeçare. Prej disa vjetësh në portikun ku ekspozohen të gjitha gjetjet në qytetin antik të Apolonisë, janë konstatuar çarje arkitektonike. Ky portik ndodhet brenda perimetrit të Manastirit, dhe çarja ka ardhur si rezultat i gërmimeve që janë bërë në vitet ‘90 në pjesën e pasme të këtij oborri ose brenda tij, duke dobësuar kështu strukturat. Për rrjedhojë, çdo vit konstatohen shkarje të këtij portiku. Pas dëmtimit, duken qartë të çara në dyshemenë kryesore si dhe në mure, e si rrjedhojë i këtij rreziku është hequr një pjesë e madhe e statujave. Në këtë portik ekspozohen statuja të dimensioneve të mesme dhe të vogla, ku një pjesë e tyre, të detyruara nga këto kushte, janë futur në rezervat e muzeut arkeologjik dhe një pjesë tjetër është dërguar në Tiranë në fondet e Institutit Arkeologjik Shqiptar. Për këtë situatë është njoftuar edhe Instituti i Monumenteve, që e ka për detyrë mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve. Sipas Haxhimihalit, edhe pse situata dihet deri tani, për fat të keq nuk është marrë asnjë përgjigje konkrete.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›