E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, delegacioni i KiE-së mbërrin sot në Tiranë

TIRANE- Një delegacion i nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vjen sot në mbrëmje në Tiranë, për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit politik. Delegacioni i përbërë nga rreth 10 komisionerë, kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, Mevlüt Çavusoglu do të takojë të parin kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi, herët në mëngjesin e ditës së hënë, në orën 09.15. Gjatë këtij takimi, delegacioni do të njihet me ecurinë e negociatave të deritanishme që janë zhvilluar nga Presidenti Topi. Më pas, pas informacionit të marrë, delegacioni i KiE do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në orën 11.45 është planifikuar takimi me kryeministrin Sali Berisha, në selinë e Kryeministrisë. Pas takimeve me tre krerët e shtetit, grupi i të dërguarve të Këshillit të Evropës ka në dispozicion 2 orë për të drekuar. Ende nuk është bërë e qartë nëse gjatë drekës do të marrin pjesë edhe drejtuesit e dy partive kryesore. Ndërkaq, më vonë, rreth orës 15:15, delegacioni do të takohet me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë. Për më shumë se një orë është menduar që grupi i raporterëve dhe përfaqësuesve të lartë të Asamblesë së Këshillit të Evropës do të dëgjojë kërkesat e socialistëve në opozitë. Një nga kërkesat kryesore është ajo e transparencës së plotë të zgjedhjeve të 2009, deri në hapjen e kutive të votimit. Pas të gjitha këtyre ecejakeve në bulevardin kryesor të Tiranës, delegacioni do të rikthehet rreth orës 17.00 në Presidencë, ku për rreth një orë do të kenë një takim përmbledhës me Presidentin Bamir Topi, që tashmë është pozicionuar në rolin e negociatorit. Misioni i Këshillit të Evropës ka planifikuar që të gjitha rezultatet e takimeve t’i bëjë të ditura në një konferencë për shtyp, ditën e martë, në orën 10:30. Përveç kreut të Asamblesë Parlamentare të KiE, do të jenë pjesë e këtij misioni edhe dy raporterët për Shqipërinë, Jaakko Laakso dhe David Wilshire. Të tjerë përfaqësues të lartë të KiE do të jenë në Tiranë: Luca Volontè, Andreas Gross, Anne Brasseur, Tiny Cox, etj.
Qëndrimet
Vizita e këtij misioni të KiE në Tiranë vjen si një përgjigje ndaj kërkesës së Asamblesë në Rezolutën e saj 1709, për të mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojë Presidentin Topi në rolin e tij si mediator dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik. Kjo përcaktohet në njoftimin zyrtar të Asamblesë. Në një seancë të posaçme, KiE miratoi një rezolutë ku përcaktoi se Shqipëria ndodhet në krizë politike dhe kjo duhet të zgjidhet përmes dialogut konstruktiv, i cili të drejtohet nga Presidenti i Republikës. KiE i drejtoi një thirrje urgjente qeverisë që, brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar, ndërsa opozitës i kërkoi të hyjë në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave. Por, nga ana e tyre si PS-ja, ashtu edhe PD-ja i kanë interpretuar sipas interesave partiake deklaratat e qëndrimet e Asamblesë Parlamentare të KiE. PS-ja kërkon hetim të plotë dhe hapje të kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nuk tërhiqet aspak nga kjo kërkesë. Ndërsa PD-ja, edhe përmes qëndrimit të paraqitur nga kryeministri Berisha në tryezën e Presidentit, nuk pranon “të shkelë mbi vendimet e gjykatave”. Nuk dihet nëse misioni do të paraqesë ndonjë rrugëzgjidhje, apo thjesht do të bëjë presion përmes deklaratave publike që zgjidhja të vijë nga palët dhe të firmoset më në fund një marrëveshje që do të mundësojë thyerjen e bojkotit të Parlamentit nga opozita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›