“Grupimi për Partinë Demokratike”: Nuk e njohim Bashën! Të largohet!

“Grupimi për Partinë Demokratike” një grupim kundërshtar i kreut të sapozgjedhur të PD në opozitë Lulzim Basha, akuzoi të mërkurën ashpër këtë të fundit duke e konsideruar si aleat kryesor të ryeministrit Edi Rama.
Anëtarë të këtij grupimi me në krye kandidaten për postin e Kryetarit të PD-së Edit Harxhi, thanë se nuk do të njohin zgjedhjet e 13 Qershorit për kreun e ri të PD dhe do të vijojnë të kërkojnë largimin e Bashës nga drejtimi i PD-së. “Këto zgjedhje nuk ishin zgjedhje nuk ishin as zgjidhje, ishin jashtë çdo standardi vendor, e jo më ndërkombëtar për t’u quajtur zgjedhje. Ne do të vazhdojmë të punojmë brenda PD-së. për të ringritur PD nga A-ja për ta rithemeluar. Nuk ka përfunduar me datën 13 qershor, kjo do të vazhdojë dhe ky grup ka të njëjtin qëndrim. Këto nuk ishin zgjedhje. Nëse vazhdon që të quhet kryetar partie le të vazhdojë të jetë” u shpreh ashpër zonja Harxhi.
Mes kundërshtarëve të zotit Basha është rreshtuar edhe kreu i Këshillit Kombëtar të PD, ish presidenti Bujar Nishani. Ai tha se Grupimi për Partinë Demokratike përfaqëson më pak se 30% të anëtarësisë së PD-së. “Është një shqetësim jo vetëm i joni. Besoj se është një shqetësim i shoqërisë. Po evidentojmë s e kemi probleme thelbësore me zgjedhjet në këtë vend. Ngrihet pushteti shfrytëzon të gjithë fuqinë e tij, i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të vet. Bëhen zgjedhjet në parti ngrihet i pushtetshmi brenda partisë dhe i vjedh zgjedhjet në favor të pushtetit të tij”.
Ish-sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i Komisionit të Apelimit brenda PD-së, Arben Ristani, tha se nga e drejta për të votuar për zgjedhjen e kryetarit të ri janë përjashtuar mbi 28 mijë anëtarë të PD-së, ndaj dhe procesi është absolutisht i pavlefshëm. “Kanë të drejtën kushtetuese që t’u jepet një vendim i arsyetuar se pse ty zotëri të mohohet e drejta për t’u zgjedhur çdo shkelje statutore i jep mundësinë çdo anëtari që të ankohen kundër shkeljes statutore. Është një komision që merr përsipër të gjykojë ankesat për shkeljet satutore. Është kompetencë e Gjykatës së partisë. Por çfarë ndodh, gjykata ka vetëm anëtari dhe nuk anëtarët. Nuk realizon dot shqyrtimin e ankimeve. Mohon të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Të heq të drejtën e ankimit, rrjedhimisht një proces që është në kufij të pavlefshmërisë absolute. Për mua është absolutisht i pavlefshëm” tha zoti Ristani.