Parlamenti si Qeveria, Holanda: Për Shqipërinë, sa më shpejt data për negociatat me BE-në

Parlamenti holandez ka mbështetur vendimin e qeverisë së Holandës, e cila është pro përcaktimit sa më parë të datës së konferencës ndërqeveritare Shqipëri-BE. Lajmi është dhënë sot nga mediat holandeze, ndërkohë që pritet që pas Komisionit të Jashtëm në parlamentin holandez nesër pritet të konfirmohet edhe nga seanca plenare.
Pak ditë më parë Holanda i dha ‘dritën jeshile’ Shqipërisë, duke zbutur skepticizmin e saj prej vitesh në lidhje me nisjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Këtë qëndrim e konfirmoi po sot edhe Ministrja e jashtme holandeze, Sigrid Kaag, para parlamentit holandez, ku tha se “Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”.
Qeveria e Holandës është dakord që konferenca e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahet sa më shpjetë, ndërsa ministrja e Jashtme ka vlerësuar përparimet e bëra mbi reformat dhe luftën kundër korrupsionit, megjithatë shtoi ajo shqetësues mbetet numri i dënimeve të zyrtarëve të lartë.
“Pritet që një numër shtetesh anëtare të bëjnë përsëri presion për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Qeveria mirëpret përparimin e bërë së fundmi nga Shqipëria me reformat mbi temat prioritare, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Statistikat tregojnë gjithashtu progres në këtë fushë, por megjithatë numri i dënimeve të zyrtarëve të lartë, mbetet një shqetësim. Qeveria miraton përfundimin e Komisionit se Shqipëria tani ka bërë përparim të mjaftueshëm në këto kushte. Ky përfundim ndahet nga vendet anëtare që, ashtu si Holanda, ishin ende kritike një vit më parë. Si pjesë e qasjes së rreptë dhe të drejtë të qeverisë për zgjerimin e BE-së, Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”, tha ministrja holandeze në lidhje me raportin që i është dorëzuar parlamentit.
Holanda prej vitesh është një prej shteteve më skeptike dhe ka penguar hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Megjithatë përpos zbutjes së qëndrimit të saj, Holanda ka disa rekomandime ku kërkohet më shumë punë në drejtim të forcimit të institucioneve dhe se politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, të përfundojë Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në fushën e drejtësisë. Më 22 qershor pritet mbledhja e Këshillit Evropian, ku unioni do të vendosë nëse do të ketë apo jo një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.