E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grushte e ndërhyrje, Kupa shndërrohet në një "cirk"

Grushte e ndërhyrje, Kupa shndërrohet në një "cirk"
Kupa e Shqipërisë vazhdon të shfaqet si një aktivitet problematik. Në trofeun e dytë për nga rëndësia shfaqen episode, që gjithmonë e më shumë e shndërrojnë garën në një "cirk", i cili dëmton imazhin e sportit më popullor në vend. Në përballjen ndërmjet Dinamos, dominuese në Kategorinë Superiore dhe Bylisit, kryesuese e Kategorisë së Parë, loja e tensionuar është shoqëruar me incidente në tribuna. Rivaliteti i fortë për të siguruar një "biletë" në çerekfinale dhe terreni i rënduar kanë bërë që lojtarët të mos i kursejnë ndërhyrjet e ashpra. Tolerimet në disa raste të gjyqtarit Jorgji, i cili është treguar më i butë nga sa duhet me lojtarët kryeqytetas, kanë shkaktuar nervozizëm në radhët e stafit teknik të ballshiotëve. Për kontestime dhe hyrje të paautorizuar në fushë, "bilbili" ka larguar nga stoli trajnerin e portierëve të Bylisit, Arbër Sino. Ky është edhe momenti kyç, nga ku më pas situata ka degjeneruar në tribuna. Kur kronometri tregonte 80 minuta lojë dhe Bakaj ka realizuar golin e dytë për Dinamon, që kualifikonte virtualisht blutë e Muçës në çerekfinale, presidenti i skuadrës mike, Besnik Kapllanaj dhe trajneri i portierëve, Sino kanë filluar të shajnë lojtarin e Kombëtares. Ndaj ofendimeve ka reaguar zv/presidenti i Dinamos, Avni Braçe, i cili është kapur me duar me Kapllanajn, madje ka arritur të godasë edhe pjesëtarin e stafit të ekipit nga Ballshi. Pas disa minutave kaos në tribunë, forcat e rendit arritën të qetësojnë situatën, ndërsa Sino, pas largimit nga stoli, është detyruar të dalë edhe nga stadiumi.
Një tjetër episod ka ndodhur në Vlorë, ku Flamurtari barazoi 1-1 me Gramozin. Me këto shifra, fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë i kanë dhënë lamtumirën aktivitetit, një rezultat me të cilin ata e kishin shumë të vështirë që ta pranonin. Në qytetin bregdetar, Kupa shihej si aktiviteti me të cilin mund të shlyheshin "mëkatet" e kampionatit (ku kuqezinjtë renditen në vendin e fundit), madje kanë tentuar të gjitha mënyrat për kalimin e turit. Një prej tyre ishte edhe ndërhyrja te trajneri i kolonjarëve Agim Canaj, të cilit i është kërkuar që të mos t‘i jepte direktiva Gramozit që të luante fort, sepse në këtë mënyrë po ndëshkonte ekipin e vendlindjes. Kjo e ka detyruar Canajn të braktisë stolin, kur mungonin edhe dhjetë minuta përpara përfundimit të takimit.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›