Reformohet shoqata "Albautor"
Në një takim jo të mediatizuar, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë është organizuar dje, pas 18 vjetësh, asambleja e shoqatës "Albautor". Prej disa vjetësh, pavarësisht ekzistencës, kjo shoqatë ka qenë jo shumë e pranishme për sa i përket diskutimit mbi çështjet e së drejtës së autorit, të kompozitorëve, poetëve dhe arranxhatorëve. Në këtë mbledhje është kërkuar një reformim i kësaj shoqate ortakësh, pjesë e së cilës ishte edhe zgjedhja e një këshilli të ri drejtues. Një minutë heshtje për themeluesit e vërtetë të kësaj shoqate, kompozitorë të njohur që sot nuk jetojnë më, si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi e të tjerë. Diskutimet kanë vazhduar me leximin e një raporti mbi veprimtarinë e të drejtave të autorit, ku nga pjesëmarrësit u kërkua më shumë transparencë dhe vlerësimi në të gjitha pikëpamjet si ligjore, si administrative i së drejtës të autorit, si një e drejtë prone. Shqetësimi i gjithë pjesëmarrësve ishte pamundësia që në kushtet e reja ku ndodhet vendi, të realizohen standardet në fushën e të drejtave të autorit, nëse nuk reformohet shoqata "Albautor", që siç u theksua duhet të jetë partner me Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit, me ligjin "Për të drejtën e autorit", për të mbështetur shërbimin e merituar të krijimtarisë intelektuale të kompozitorëve të të gjitha llojeve, të arranxhatorëve, poetëve dhe orkestruesve. Po në këtë mbledhje u zgjodhën anëtarët e këshillit të ri drejtues, në përbërje të të cilit ka pesë anëtarë (dy kompozitorë të muzikës klasike, dy të muzikës së lehtë dhe një poet), të cilët kanë edhe të drejta vendimmarrjeje brenda shoqatës. Shpëtim Saraçi, Piro Çako (si kompozitorë të muzikës së lehtë), Jorgo Papingji si autor teksti dhe Mentor Kraja e Vaso Tole si kompozitorë të muzikës klasike janë anëtarët e këshillit të ri drejtues. Në një mbledhje që do të mbahet sot paradite, këshilli drejtues i dalë nga mbledhja e djeshme do të përzgjedhë presidentin e "Albautor", drejtues i së cilës ishte Neshat Tozaj para se të ndahej nga jeta, dhe do të diskutojnë vendimet e para që do të merren për një profil të ri të kësaj shoqate.