E Diel, 1 Nëntor 2026

Migen Memelli, edhe Besa në garë sulmuesi kërkon një klub jashtë

Problemet e Migen Memellit me Tiranën kanë vënë në lëvizje skuadrat e tjera elitare në vend. Pezullimi i sulmuesit nga trajneri Tafaj dhe vonesat në rinovimin e kontratës me bardheblutë, kanë nxitur idenë se 29-vjeçari do të jetë në merkato. Pas Vllaznisë, e interesuar për shërbimet e Memellit është shfaqur edhe Besa. Kavajasit kanë probleme të theksuara në repartin ofensiv dhe një lojtar me kualitetin e pogradecarit do t‘i japë edhe më shumë rrezikshmëri verdhezinjve të drejtuar nga Shpëtim Duro. Edhe pse mbajnë vendin e dytë në Superiore, me 13 gola të shënuar në 13 takime, kavajasit (së bashku me Tiranën) kanë sulmin më të dobët mes gjashtë ekipeve të para. Si për Besën, ashtu edhe për Vllazninë (edhe shkodranët kanë shumë probleme në finalizim), Memelli do të ishte zgjidhja ideale. Megjithatë, vetë lojtari duket se nuk do t‘i marrë në konsideratë ofertat nga skuadrat e kampionatit shqiptar. Synimi i tij është që të luajë në një kampionat jashtë vendit, ku niveli është më i lartë dhe përfitimet financiare janë më të mëdha. Përpara kësaj dëshire të sulmuesit, Tirana, por edhe dy rivalet e tjera duhet të dorëzohen dhe të kërkojnë alternativa të tjera në merkato.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›