Maja Hrgoviç fiton Bursën Ballkanike të Gazetarisë
Gazetarja kroate Maja Hrgoviç fitoi çmimin e parë në Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari të këtij viti me shkrimin e saj "Kur gratë shkojnë në Perëndim, çmimin e paguajnë familjet". Komisioni përzgjedhës vlerësoi cilësinë e raportimit te Maja Hrgoviç dhe në veçanti kërkimin e saj ndërkombëtar mbi një fenomen që u cilësua si i rëndësishëm për rajonin dhe Europën në tërësi. Ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në Berlin, nga Robert Bosch Stiftung me pjesëmarrjen e të dhjetë gazetarëve që morën pjesë këtë vit në Bursën Ballkanike për Ekselencë në Gazetari. Vendi i dytë iu dha Momir Turudiç, për artikullin e tij "Gjermania është ëndërr për romët e Serbisë", ndërsa Yana Buher Tavarnier, u përzgjodh e treta për artikullin "Institucionet mbesin depo për njerëzit e harruar". Seminari gjithashtu shënoi botimin e librit me të gjithë artikujt e pjesëmarrësve - rezultat i katër muajve kërkimesh në Ballkan dhe në BE. Këtë vit u trajtua tema e identitetit nga shumë kënde të ndryshme, duke hulumtuar peizazhin kriminal, social, ekonomik, fetar dhe ekonomik të Ballkanit. "Identiteti: kërkimi për rrënjë në një Europë në ndryshim", do të shpërndahet në prezantime në të gjithë Europën Juglindore.