E Diel, 1 Nëntor 2026

Grushte, sharje dhe kërcënime në seancën parlamentare

11/02/2011  Armando Prenga paditet në Prokurori nga PD për dhunën ndaj Palokës

Byroja e Kuvendit merr masa ndaj deputetëve socialistë

Partia Demokratike paditi pasditen e djeshme në Prokurori deputetin e Partisë Socialiste, Armando Prenga, i cili akuzohet se goditi për shkak të detyrës deputetin e PD-së, Edi Palokën. Kallëzimi penal erdhi pasi në seancën parlamentare që u zhvillua dje, deputeti socialist i Lezhës kishte sulmuar dhe goditur në fytyrë deputetin Paloka, në momentin që ky i fundit ishte duke folur në vendin e tij. Padia e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është e shoqëruar edhe me videon me pamje të skenës së dhunës që Prenga ka ushtruar pa shkak ndaj deputetit Paloka.

Konfrontimi

Pas fjalës së ministrit Olldashi, i cili akuzoi opozitën si fajtore të vetme të ngjarjeve të 21 janarit, mes zhurmave që u krijuan nga reagimi i përfaqësuesve të opozitës në Parlament për akuzat e Olldashit, fjalën e mori deputeti Edi Paloka. Deputetë të PS-së u përpoqën të ndalojnë fjalën e Palokës, që mes të tjerash iu drejtua kolegut socialist Paulin Stërkaj me fjalën “pusht”. Reagimi i Stërkajt ishte i menjëhershëm. Ai i tërhoqi mikrofonin që mbante Paloka në duar, që po fliste nga vendi, pasi foltorja ishte “pushtuar” nga truprojat e Kuvendit dhe deputetë të PS-së. Debati mes Stërkajt dhe Palokës bëri që të përfshihej në të dhe deputeti tjetër i opozitës, Armando Prenga. Një debat ky që degjeneroi në konfrontim fizik mes këtij të fundit dhe Palokës. Mjaftoi kaq që Kryetarja e Parlamentit të ndërpriste seancën parlamentare, për ta rinisur atë pas 30 minutash.

Në Parlament

“Tension, sharje, fyerje, akuza të ndërsjella, kërcënime ndaj njëri-tjetri, si dhe konfrontime mes deputetësh.” Kjo ishte pasqyra e asaj çka ndodhi në seancën e djeshme në Parlamentin shqiptar. Të përballur për herë të parë opozita dhe mazhoranca që pas ngjarjeve të 21 janarit, përfaqësues të grupeve parlamentare nuk kanë kursyer akuzat të njëpasnjëshme në adresë të njëri-tjetrit, duke pasur si kryefjalë vrasjet e 4 personave më 21 janar. Duhet theksuar se irritimi i socialistëve erdhi dhe nga fakti që Kryeministri Berisha dhe ministri i Brendshëm Basha nuk ishin dje të pranishëm në seancë.

Jozefina Topalli

Në hapje të seancës së djeshme, Kryetarja Jozefina Topalli duke iu referuar ngjarjeve sulmit ndaj rendit kushtetues më 21 janar, u shpreh: “Në sulmin kundër rendit kushtetues janë plagosur 81 gardistë, 27 policë, ka pasur katër viktima, ka pasur edhe të plagosur të tjerë. Unë në emrin tuaj, të nderuar deputetë, më lejoni tu shpreh ngushëllimet familjarëve të katër viktimave dhe ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje,” tha Kryeparlamentarja.

Gramoz Ruçi

Duke hequr çdo përgjegjësi nga opozita për atë çka ndodhi më 21 janar, Ruçi theksoi se puçet janë imagjinatë e një “burreci” dhe duke e akuzuar si vrasës Berishën, vlerësoi se do vijë dita kur Berisha do ti dorëzohet drejtësisë. “Dil publikisht dhe thuaj pse i vrave 4 shqiptarët e pafajshëm! Thuaj kush e dha urdhrin për të qëlluar! Kush dha urdhër të qëllohet me plumba, kur kërcënimi mbi godinë ishte zero? Ndërsa po dole të thuash se i vrau Edi Rama, atëherë ke pranuar automatikisht se je fajtori” deklaroi Ruçi.

Astrit Patozi

Numri 2 i PD-së, Patozi, akuzoi opozitën si organizatoren e 21 janarit dhe demonstruesit i quajti “një bandë delinkuentësh, kriminelësh që qëllonin me çdo gjë për të shtënë në dorë institucionin dhe rendin kushtetues”. “Edi Rama është kryeofruesi e organizatori i kasaphanës. Është përgjegjës dhe organizator i vrasjeve, plagosjes së gardistëve e policëve. Ai luajti me jetën e tyre dhe më pas luajti me vdekjen... çoi viktimat në mes të një dhune që e kishte organizuar vetë”, tha Patozi.

Sokol Olldashi

Ministri Sokol Olldashi deklaroi se 21 janari ishte një tentativë e pastër grushti shteti, por ajo dështoi jo për moralin e PS-së, por falë profesionalizmit të forcave të Policisë së Shtetit e Gardës së Republikës. “Opozita orkestroi 21 janarin dhe kjo është një fatkeqësi për vendin, pasi vendi ka nevojë për opozitën", deklaroi Olldashi. Fjala e ministrit të PPT-së u shoqërua me protesta të deputetëve të opozitës, të cilët qëndronin më këmbë gjatë gjithë kohës.

Arben Imami

Fjala ministrit të Mbrojtjes iu dha në një kohë kur një grup gardistësh ishin vendosur para podiumit të ministrave, duke ndarë deputetët e PS-së, të cilët qëndronin para foltores së Kuvendit, dhe ministrat e kabinetit qeveritar. “Kjo skenë tregon qartë skenarin që ka në mend PS-ja, por këtë Parlament nuk e dhunoni dot”, tha Imami, duke u kujtuar atyre se Shqipëria është një vend i NATO-s, si dhe aspiron për integrim të saj në BE.

Vendimi i Byrosë së Kuvendit

Stërkaj, Prenga dhe Tahiri përjashtohen nga Kuvendi për 15 ditë

Byroja e Kuvendit merr masa ndaj deputetëve të opozitës, të cilët shkaktuan rrëmujë dhe konfrontime në punimet e djeshme të Kuvendit të Shqipërisë. Pas dhunës së ushtruar nga një grup deputetësh socialistë në dhunim të Kushtetutës dhe ligjit, kërcënimit të jetës së deputetëve dhe ushtrimit të dhunës fizike ndaj tyre, me kërkesë të shtatë deputetëve, si dhe me propozim të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Byroja vendosi pezullimin e punimeve parlamentare të tre deputetëve të opozitës. Paulin Stërkaj, Armando Prenga dhe Saimir Tahiri janë tre deputetët, për të cilët Byroja e Kuvendit vendosi dje përjashtimin e tyre nga komisionet parlamentare dhe seancat plenare për 15 ditë. “Byroja e Kuvendit, me kërkesë të shtatë deputetëve, mori në shqyrtim propozimin e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për përjashtimin nga seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve të deputetëve Paulin Sterkaj, Saimir Tahiri, Armando Prenga, Dashamir Peza dhe Taulant Balla”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë, të publikuar mesditën e djeshme. Gjithashtu, Kuvendi njoftoi se “në mbledhjen e saj të parë, pas dhunës së ushtruar nga një grup i vogël deputetësh socialistë në dhunim të Kushtetutës dhe ligjit, kërcënimit të jetës së deputetëve dhe ushtrimit të dhunës fizike ndaj tyre, Byroja vendosi përjashtimin nga komisionet dhe seancat plenare për 15 ditë, duke filluar nga dita e hënë, 14 shkurt 2011, të deputetëve: Paulin Sterkaj, Armando Prenga dhe Saimir Tahiri”. Gjithashtu, në njoftimin e Kuvendit thuhet se “Byroja e Kuvendit u shpreh e vendosur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar funksionimin normal të Parlamentit.”

PS padit ministrin e Mbrojtjes

“Imami kërcënoi Toçin për shkak të detyrës”

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste iu drejtua dje organit të Prokurorisë me një padi kundër ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Kështu, socialistët padisin me akuzën kanosje për shkak të detyrës deputetin e Partisë Demokratike, njëkohësisht ministër i Mbrojtjes, Imami. Pak kohë pas depozitimit në këtë institucion të një padie nga ana e ligjvënësve demokratë kundër deputetit socialist Armando Prenga, PS i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë. Shkak për këto padi ishin pikërisht përplasjet deri dhe fizike mes deputetëve të këtyre dy forcave politike në seancën e djeshme parlamentare. Për pasojë, Partia Socialiste paditi dje në prokurori Imamin. Sipas njoftimit nga selia rozë, kallëzimi ndaj ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami është bërë pas deklaratave që ky i fundit bëri në Kuvendin e Shqipërisë. Socialistët pretendojnë se ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka pasur debat verbal me deputetin e Partisë Socialiste në Vlorë, Fatmir Toçi, të cilin përveçse e ka kërcënuar, e ka fyer dhe e ka sharë me fjalor banal në sallën e Kuvendit. Sipas PS-së, kërcënimet personale të ministrit të Mbrojtjes janë bërë ndaj deputetit Toçi për shkak të detyrës.

“Nxjerrja e të dhënave hetimore për 21 janarin, skandal i papranueshëm”

Manjani i kërkon Prokurorisë të sigurojë hetim profesional e të besueshëm

Lëvizja Socialiste për Integrim përmes sekretarit për Çështjet Zgjedhore, Ylli Manjani, u shpreh dje e alarmuar për përhapjen, sipas saj, të të dhënave hetimore që janë marrë nga Prokuroria e shtetit, në rastin e hetimit të ngjarjeve të 21 janarit. Sipas Manjanit, përhapja e të dhënave të marra në mënyrë të ligjshme jo vetëm që është një shkelje e hapur e ligjit procedural penal dhe Kodit Penal gjithashtu, por është një arsye e fortë ligjore që nesër në gjykim këto prova të mos konsiderohen. “E konsiderojmë këtë akt të pashembullt, një skandal i pashembullt, që nuk shkon për shtat me parimet e shtetit të së drejtës. Kjo sjellje komprometon një sërë parimesh kushtetuese për hetimin dhe në radhë të parë komprometon parimin e prezumimit pafajësisë. Dalja e dëshmive në publik, apo e të dhënave të tjera hetimore, në kundërshtim të hapur me sa parashikon Kushtetuta e vendit, por dhe ligji procedural penal, është në fakt një arsye e fortë ligjore që nesër në gjykim këto të dhëna, këto prova, të mos konsiderohen, dhe ky është skandali”, theksoi ai. Kjo, në gjykimin e zyrtarit të lartë të LSI-së, mund të sjellë dështimin e të gjithë procesit hetimor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›