E Diel, 1 Nëntor 2026

“Arrest në burg” gardistit “Kujtoja se po gjuaja me plumba mësimorë”

11/02/2011  Avokati Gjokutaj kërkon masë të lehtë për Llupon. Prokuroria: Të rrijë në burg

TIRANE-Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit në burg për efektivin e Gardës së Republikës Agim Llupo, i cili akuzohet nga Prokuroria si personi që ka qëlluar në drejtim të demonstruesve të 21 janarit. Rreth orës 13:00 gardisti është shoqëruar për në gjykatë me pranga në duar nga forcat e policisë. Pasi janë futur në sallë të gjitha palët e procesit gjyqësor, me kërkesë të prokurorit Ervin Karanxha gjykata vendosi që masa e sigurisë të zhvillohej me dyer të mbyllura. Për gati dy orë e gjysmë debat, mbi argumentet juridike mes prokurorit dhe avokatit mbrojtës të Llupos, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve shefit të njësisë speciale të Gardës së Republikës. Mësohet se vetë efektivi i Gardës Agim Llupo s’ka pranuar të flasë në gjykatë, por ka autorizuar avokatin Genci Gjokutaj që të flasë në emër të tij. Gjatë zhvillimit të procesit Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës disa prova, si ekspertizën balistike të automatikut MP-5, fotokopjen e regjistrit të armëve të Gardës, si dhe disa dëshmi, që sipas pretendimeve të akuzës ngrinin dyshimin e arsyeshëm se autori i vrasjes së shtetasit Zivër Veizi ishte personi i arrestuar Agim Llupo. Mbi këto prova Prokuroria ka kërkuar lënien në burg të gardistit, deri në përfundim të veprimeve hetimore. Nga ana tjetër avokati, Gjokutaj mësohet të jetë shprehur se provat e administruara nga Prokuroria nuk mjaftojnë për të caktuar një masë kaq të rëndë, duke kërkuar që ndaj klientit të tij të vendoset një masë më e lehtë. Ai ka theksuar se ekspertizat e Prokurorisë nuk janë të plota, duke mos u mbështetur dhe me prova të tjera që do tregonin autorin e vrasjes. Më tej avokati Gjokutaj mësohet se ka pohuar se ngjarja në fjalë është tërësisht aksidentale dhe aspak e qëllimshme. Burime pranë gjykatës thanë se Gjokutaj është shprehur se klienti i tij ka hapur zjarr vetëm në ajër dhe se asnjëherë nuk e ka drejtuar armën në drejtim të turmës. Ai ka shtuar se gjatë gjithë kohës është qëlluar me plumba manovër dhe mësimorë. Në rastin konkret, ku Prokuroria i referohet vrasjes së shtetasit nga Gjirokastra Zivër Veizi ka shumë mundësi që oficeri i Gardës së Republikës Agim Llupo të ketë ngatërruar plumbat nga mësimorë në luftarakë, çka ka sjellë dhe vrasjen e demonstruesit të Partisë Socialiste. Të paktën këtë qëndrim Llupo ka mbajtur dhe gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët, ku për rreth 6 orë me radhë ai ka dhënë sqarime duke filluar nga plani i masave, urdhrat që jepeshin nga lart, si dhe deri në rastin konkret të vrasjes së demonstruesve që ndodheshin në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Llupo ka ngulmuar se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht dhe nga pakujdesia e tij, pasi kishte hapur disa herë zjarr me plumba manovër, por pas disa minutash ata janë pajisur sërish me municion. Sipas dëshmisë së dhënë në Prokurori, ai s’kishte dijeni se i çfarë tipi ishte municioni duke menduar se plumbat ishin mësimorë dhe jo luftarakë. Mirëpo këto pretendime nuk kanë shpëtuar nga prangat oficerin e Gardës, i cili u arrestua në orën 03:00 të mëngjesit në ambientet e Prokurorisë së Tiranës. Kanë qenë prokurorët ata që kanë firmosur urdhrin e arrestit, ndërsa efektivat e policisë kryen menjëherë ekzekutimin e tij, duke shoqëruar Agim Llupon në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›