E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Gërdeci mori tatëpjetën që me Mediun

11/02/2011  Prokuroria asnjëherë nuk sqaroi se çfarë e pengonte për rihapjen e çështjes

Tashmë duhet të analizohet situata, pasi do jetë tepër vonë

TIRANE-Dështimi i procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit ka sjellë reagimin Komisionit shqiptar të Helsinkit. Nëpërmjet një deklarate KSHH shprehet i zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, e cila nuk mundi të japë zgjidhje duke vendosur drejtësi për autorët e akuzuar si shkaktarët e tragjedisë së 15 marsit në fshatin Gërdec. KSHH thekson se procesi gjyqësor mori tatëpjetën që në fazën kur gjykata i pushoi çështjen ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pavarësisht këtij vendimi Prokuroria shqiptare asnjëherë nuk doli publikisht për të sqaruar mekanizmat ligjorë që e ndalonin për rihetimin e Mediut. Mënyra si u hetua dhe u gjykua çështja e Gërdecit janë provë vlerësimi për funksionimin e organeve të drejtësisë në Shqipëri. Komitetit shqiptar i Helsinkit deklaron se nxjerrja e të pandehurve nga qelitë ka lëkundur besimin e publikut të gjerë e kryesisht të familjarëve të viktimave të drejtësia. KSHH e nis analizën që në fillim të hetimeve të Gërdecit kur u pushua ndjekja penale ndaj ish- ministrit Fatmir Mediu. KSHH kujton faktin që Prokuroria nuk sqaroi kurrë publikisht bazën ligjore që e pengonte atë që ti kërkonte Kuvendit autorizim për ndjekjen penale të këtij deputeti. “Situata aktuale e këtij procesi gjyqësor është edhe pasojë e zvarritjeve si në fazën e hetimit, ashtu edhe të gjykimit të çështjes. Ne jemi të mendimit se, në këto kushte, deklaratat dhe akuzat e ndërsjella midis organeve të Prokurorisë, të gjyqësorit dhe Dhomës së Avokatisë, nuk e përmirësojnë situatën, gjendja duhet të analizohet thellë dhe me përgjegjësi”,-thuhet në deklaratë. Sipas KSHH, tashmë është koha për analizë të thellë të kësaj situate, pasi në rast të kundërt publiku i gjerë ka të drejtë të mendojë për mosfunksionimin e këtyre institucioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›