E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gryka: Motivi, intervista ime në "Shqip"

Një ditë pas plagosjes së Marjan Grykës, ish-truprojës së Azem Hajdarit, Policia e Shkodrës nuk e ka zbardhur ende ngjarjen, duke lënë enigmë autorët dhe motivet. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se, në lidhje me ngjarjen, është ngritur një grup i posaçëm pune nga ekspertë të kriminalistikës dhe të mjekësisë ligjore në bashkëpunim dhe me prokurorin e rrethit. Por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje. Pak çaste pasi është plagosur Marjan Gryka, në një komunikim me mediat, ai ka akuzuar për plagosjen e tij segmente të caktuara të politikës së dy kampeve, të cilat nuk janë të interesuara të zbardhet vrasja e Azem Hajdarit. Gryka thotë se ky atentat ka ardhur pas intervistës së tij në gazetën "Shqip", ku kërkonte rihetimin e vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari. "Pasi kam bërë publike në gazetën ‘Shqip‘ se do rihapim dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, më kanë ardhur mesazhe kërcënuese nga numra malazezë dhe këto kërcënime u bënë realitet me atentatin", ka deklaruar Gryka. Ai shton se "mbarë shqiptarët e dinë pse presidenti i shoqatës ‘Azem Hajdari‘ u qëllua. Historia përsëritet. Kështu u qëllua dhe Azem Hajdari", -u shpreh Marjan Gryka, ish-truproja e deputetit demokrat. Duke treguar ngjarjen, i dëmtuari ai shprehet "kam qenë së bashku me një mikun tim duke udhëtuar për në lagjen turistike të ‘Zogajt‘, kur 200 metra pa hyrë në ‘Zogaj‘, dy persona me maska e të veshur me uniformë policie kanë dalë përpara makinës. Kujtova se ishte postbllok policie dhe ndalova, por sapo ndalova jam qëlluar me pesë plumba. Por fatmirësisht, vetëm një plumb më goditi në këmbë". Duke folur për motivet, Marjan Gryka shprehet se "kam kërkuar të rihapet dosja e Azem Hajdarit dhe këtë e kam bërë para pak muajsh. Kjo si duket nuk i ka pëlqyer politikës, e cila më bëri atentat, ndaj jam i bindur se më qëlluan vetëm për motive politike, se kam kërkuar të zbardhet plotësisht vrasja e Azem Hajdarit. Për sa u përket konflikteve personale, ju them se nuk kam sherr me asnjeri". Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë ngritur disa pista hetimi dhe asnjëra prej tyre nuk po neglizhohet, duke nisur që nga motivet politike dhe deri tek ato personale të të dëmtuarit. Marjan Gryka, ish-truproja i Azem Hajdarit dhe kryetari i shoqatës "Azem Hajdari", është qëlluar rreth orës 22:00 të së shtunës në aksin rrugor Shkodër-Zogaj, ndërsa po udhëtonte me automjetin e tij luksoz "Mercedes Benz" me targa të Tiranës. Në drejtim të tij janë zbrazur pesë plumba pistolete, një nga të cilët e ka plagosur në këmbë. Një person tjetër, mik i Marjan Grykës, i cili ndodhej brenda makinës, i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit, duke e dërguar atë në spital dhe duke njoftuar policinë për ngjarjen. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Shkodrës, mjekët kanë siguruar se Marjan Gryka nuk ka asnjë rrezik për jetën. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar pesë gëzhoja pistolete në cilësinë e provës materiale, si dhe janë marrë me kujdes të gjitha gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur brenda dhe jashtë makinës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›