Zëvendësministri i Jashtëm P. Selimi zhvilloi një vizitë zyrtare në Oslo

Gjatë qëndrimit në Oslo, Selimi pati takime të larta me zyrtarë të diplomacisë norvegjeze. Një takim të veçantë, Zëvendësministri Selimi zhvilloi me Sekretarin e Shtetit, Torgeir Larsen.
Selimi potencoi lidhjet e fuqishme bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe falënderoi shtetin e Norvegjisë për përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.
Sekretari i Shtetit Larsen konfirmoi se MPJ e Norvegjisë vazhdon ta ketë prioritet edhe për vitet në vijim Kosovën, duke vazhduar me nivelin e lartë të përkrahjes financiare që e bën Norvegjinë donatorin e të dytë bilateral për nga projektet. Sekretari Larsen komplimentoi Qeverinë e Kosovës për qëndrimin shumë të qëlluar dhe progresiv gjatë mbajtjes së zgjedhjeve serbe, duke u mundësuar qytetarëve me nënshtetësi të dyfishtë votimin e organizuar nga OSBE.
Zëvendësministri Selimi u takua edhe me Elisabeth Walaas, Drejtoreshë e Përgjithshme e Ministrisë së Jashtme norvegjeze, të cilën e njoftoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon si dhe për qëndrimet e MPJ-së së Kosovës për çështjet kyçe të bashkëpunimit multilateral dhe rajonal në Kosovë. Zonja Walaas ofroi përkrahje të fuqishme për angazhimet e Ministrisë së Jashtme të Kosovës në bashkëpunim rajonal dhe tha se pret që Kosova të ketë benefite konkrete nga angazhimi pozitiv i shtetit të ri në rajon.
Ministria e Jashtme e Norvegjisë e shtroi edhe një drekë pune për zëvendësministrin Selimi të udhëhequr nga drejtori politik për seksionin e Ballkanit Perëndimor në MPJ të Norvegjisë, ambasadorin Hakon Blankenborg. Në drekë pune u diskutuan mundësitë që MPJ e Norvegjisë të përkrah financiarisht projektet e diplomacisë publike dhe kulturore të MPJ së Kosovës, si dhe të jap ndihmë teknike në procesin e liberalizimit të vizave, pasi që Norvegjia është anëtare aktive e komunitetit të Schengenit. Ambasadori Blankenborg u shpreh pozitivisht për mundësinë e përkrahjes së projekteve nga MPJ, duke i quajtur ato si investim i duhur në rritjen e vizibilitetit të Kosovës në fushën e diplomacisë publike.
Gjatë qëndrimit në Oslo, zëvendësministri pati takim edhe me drejtorin e Institutit Norvegjez për Politika të Jashtme dhe profesorin Ulf Sverdrup nga Universiteti i Oslos, në të cilin Selimi ka diplomuar. Prof. Sverdrup shprehu interesim për strategjinë e MPJ-së në procesin e njohjeve por edhe ngritjeve të kapaciteteve interne dhe premtoi angazhim të Institutit të mirënjohur norvegjez për bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Gjatë vizitës në Oslo, zëvendësministri Selimi pati takime pune edhe me udhëheqësit e kompanisë së njohur Snohetta, arkitektët e së cilës dizajnuan objektet si Muzeu 9/11 në Nju Jork, operën e Oslos dhe Bibliotekën e re të Aleksandrisë, ndërsa për Selimin u organizua një pritje edhe në shkollën internacionale Berg në Oslo, në të cilën zëvendësministri ka vijuar mësimet gjatë fundit të 1990-a.