Guardiola: Vija ka besimin tim
Trajneri i Barcelonës konfirmon se sulmuesi nuk është jashtë planeve të tij
David Vija nuk po ecën ashtu siç duhet, por trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, garantoi se ka besim të plotë tek ai, pas ndeshjes së fituar 4-0 ndaj Saragozës në La Liga. 29-vjeçari u la jashtë 11-shes titullare për të 4-n ndeshje radhazi, teksa Guardiola hodhi në fushë, të shtunën, treshen sulmuese Mesi, Sançez, Kuenka. Vila u fut si zëvendësues në minutën e 67-të dhe shënoi golin e 4-t të Barçës, ndërkohë që Guardiola u detyrua të shpjegonte vendimin e tij për të mos i dhënë më shumë minuta spanjollit në ndeshjet e fundit. “Kur ju them se kam shumë besim te Vila, e them seriozisht”, u shpreh Guardiola në një konferencë pas ndeshjes. “Tiago nuk u aktivizua gjithashtu, edhe pse po luan në nivele të larta, ashtu sikurse dhe Andres Injesta. Nuk mund të justifikoj çdo rast, që ai ka qenë një zëvendësues. Jo të gjithë mund të luajnë, por unë u besoj të gjithëve. Njoh çdo lojtar dhe e di se ç’mund të japin ata në fushë”. Guardiola i thuri lëvdata më pas Lionel Mesit, i cili shfaqi një tjetër performancë të mirë, duke shënuar edhe golin e dytë për Barçën. “Mesi nuk ankohet, as nuk bie në tokë, nëse nuk ndjen vërtet dhimbje”, u shpreh Guardiola i entuziazmuar, pasi argjentinasi ndjeu realisht dhimbje, pas një dueli gjatë ndeshjes. “Isha i shqetësuar për të, por më tha se ndihej mirë, kështu që vendosa ta lija ende në fushë. Ai na dha shumë gjëra, pasi mund të zhbilancojë në çdo moment takimin”.