E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxarri: Siti plot me cilësi, por ne luajmë ndeshjen tonë

SHKRUAN: Jeton Selimi 22-11-2011 17:37

Nga ana tjetër, tekniku Mançini u kërkon të tijve që të jenë të përqendruar, pasi në të kundërt mund të hasin vështirësi sikurse edhe në ndeshjen e parë të luajtur në “Etihad Stadium”

Luhet këtë javë ndeshja e pestë e fazës në grupe të Champions League dhe ka disa nga ato ndeshje që do të përcaktojnë shumë për të ardhmen e klubeve në kompeticionin më të rëndësishëm në kontinent. Padyshim, ajka e mbrëmjes është Napoli-Mançester Siti, me italianët që luajnë ndoshta mundësinë e fundit për kualifikim. Trajneri i Napolit, Valter Maxarri, e vlerëson Mançester Sitin si një prej ekipeve më të mira në botë. Mançini javën e kaluar tha se ai beson se ekipi i tij tani luan në nivel të Barcelonës dhe Real Madridit. Dhe Maxarri pajtohet me bashkëvendësin e tij. “Pajtohem me Mançinin në këtë vlerësim të tij. Ekipi i tij është në një nivel me Barcelonën, Realin dhe Bajern Mynihun. Ata janë një ekip i mrekullueshëm. E kam parë takimin kundër Njukastëll në Premier Ligë. Ka aq shumë kualitet në atë fushë kudo që ata luajnë dhe mendoj se ata mund ta mposhtin këdo që dëshirojnë. Sikur ta kisha edhe unë buxhetin 200 milionësh të Mançinit… E dimë se do të jetë shumë e vështirë ndaj tyre, por ne shpresojmë”, ka thënë Maxarri. Nga ana e tij, Mançini mendon se ata janë në një formë në prag të ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampionëve ndaj Napolit. Mançini thotë se lojtarët e tij ishin ‘të nervozuar dhe naivë’ pasi e lejuan Edinson Kavanin t’i jepte avantazhin Napolit në ndeshjen e parë mes dy ekipeve, por beson se skuadra e tij tani është më e pjekur. “Ishte ndeshja jonë e parë në Ligën e Kampionëve dhe ne ishim të shqetësuar. Ne u dhamë atyre shumë hapësirë për kundërsulme dhe Napoli ishte fantastik me lojtarë si Kavani, Laveci dhe Hamshik. Por nëse ne përqendrohemi mund t’ia dalim mbanë”, ka thënë Mançini. Ndeshja tjetër e grupit A mes Bajernit dhe Vilarealit, është thjesht një formalitet për t’u kryer nga bavarezët, që do të blindonin vendin e parë.

Inter pa Shnajderin

Uesli Shnajder është problemi më i madh i Interit në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Trabzonsporit. Mesfushori holandez pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes miqësore me Gjermaninë duke bërë që ai të qëndrojë jashtë fushave të lojës për rreth 2-3 javë që do të thotë se nuk do të luajë ndaj Tabzonsporit. Kjo situatë nuk është pritur mirë as nga Ranieri dhe as nga drejtuesit e Interit. Shnajder në ndeshjen me Gjermaninë luajti edhe pasi ndjeu një problem në pulpën e këmbës së djathtë duke e menduar të parëndësishme. Por rezultoi e kundërta dhe Ranieri tani duhet të mendojë për krijimin e një skeme loje pa Shnajder kundër Trabzonsporit. Trajneri italian ka shumë mundësi që ndaj turqve të aktivizojë Kutinjon, ndërkohë që Stankovic mund të luajë në një pozicion më të avancuar. Në mbrojtje u rikthyen Lusio dhe Nagatomo, ndërsa sulmi mund t’i besohet Diego Militos dhe Mauro Zarates, me këtë të fundit që u bashkua me vonesë me skuadrën pasi kishte harruar pasaportën në shtëpi. Megjithatë, Ranieri do të synojë fitoren pasi vetëm kështu do të mund të shmangë përplasjen direkte me CSKA-në e Moskës.

Champions League

Sot

Grupi A

Napoli – Mançester Siti 20:45

Bajern Mynih – Vilareal 20:45

Grupi B

CSKA Moskë – Lilë 18:00

Trabzonspor – Inter 20:45

Grupi C

Mançester Junajtid – Benfika 20:45

Ocelul Galaci – Bazel 20:45

Grupi D

Olimpik Lion – Ajaks 20:45

Real Madrid – Dinamo Zagreb 20:45

Nesër

Grupi E

Bajer Leverkusen – Çelsi 20:45

Valencia – Rajsing Genk 20:45

Grupi F

Arsenal – Borusia Dortmund 20:45

Marsejë – Olimpiakos 20:45

Grupi G

Zenit – Apoel Nikosia 18:00

Shakhtar Donjeck – Porto 20:45

Grupi H

Bate Borisov – Viktoria Plzen 19:00

Milan – Barcelona 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›