Eto‘o: Do të shkoj tek Interi
Sipas gazetës italiane "La Repubblica", Samuel Eto‘o ka refuzuar transferimin tek anglezët e Totenhemit. Sulmuesi kamerunas duket se i është përgjigjur interesimit të teknikut Huande Ramos se dëshiron të përfaqësohet me Interin. Prej kohësh klubi që militon në Premiership e ka vendosur lojtarin në krye të listës së dëshirave. Madje, të hënën, trajneri Ramos dhe disa përfaqësues të lartë të "Hotspur" kishin udhëtuar drejt Spanjës për të filluar bisedimet me Barcelonën për Eto‘o. "Marca" bëri të ditur se palët arritën marrëveshjen e transferimit, sipas së cilës katalanët do të përfitonin afro 50 milionë euro. Megjithatë, problemi kryesor ishin përfitimet financiare të sulmuesit, i cili pretendonte më shumë se 9 milionë euro rrogë sezonale që i ofronte Totenhemi. Gjithsesi, e përditshmja italiane shkruante se arsyeja e vërtetë e këtij refuzimi është dëshira e Eto‘o për t‘u bërë pjesë e Interit. "Nuk mund të luaj në Londër, do t‘i bashkohem Interit", mësohet t‘i ketë thënë 27-vjeçari anglezëve. Edhe pse ka arritur të shënojë 18 gola me Barçën, ky nuk ka qenë një sezon i mirë për kamerunasin. Ndërkohë, në mediat britanike theksohej se Barcelona i ka propozuar Interit një shkëmbim që mund t‘i kënaqë të dyja klubet: katalanët marrin mbrojtësin rumun Kristian Kivu, ndërsa në Milano transferohet Eto‘o. Trajneri i ri i "blaugranave", Pep Guardiola, i ka shprehur dëshirën drejtuesve të Barcelonës të blejnë Kivun (së bashku me mesfushorin e Seviljas, Keita, që kushton 14 milionë euro), lojtar që te zikaltërit nuk është integruar plotësisht.