E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bomba” e Moxhit: Kam përgjimin që do trondisë Italinë

ITALI- Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit Luçiano Moxhi ka lëshuar një deklaratë “bombë” përsa i përket procesit të Calciopolit. “Një përgjim i ri do të trondisë gjithë procesin. Më 27 shtator do të dal unë të flas dhe do ta shihni, - deklaroi Moxhi. – Ky element i ri thotë që është bërë një proces me dashje vetëm për të hequr qafe Juventusin dhe për të vënë në qendër të vëmendjes klube të tjerë. Në futboll shumë gjëra nuk duken, por unë kam bërë vetëm atë që bëjnë të tjerët. Shumë gjëra kam nisur t’i mësoj tani që jam jashtë kësaj bote.

Me këtë përgjim të ri do të provohet gjithçka unë kam thënë deri më tani edhe pse njerëzit e kanë kuptuar që i gjithë procesi ka qenë një farsë”, shtoi ai. Luçiano Moxhi është i akuzuari kryesor i procesit të Calciopolit, që lindi në vitin 2006, me zbulimin e përgjimeve nga Prokuroria e Napolit. Ai akuzohet se përfitonte ndere për Juventusin, duke u bërë shantazh arbitrave të Serisë A, ndërsa kishte lidhje të ngushta me dizenjatorët e tyre në Federatën Italiane të Futbollit.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›