Guardiola mbetet trajner i Barcelonës

Pep Guardiola dëshiron të mbetet si trajner i Barcelonës, pasi udhëhoqi ekipin drejt titullit të dytë në Ligën e Kampionëve në tre sezonet e fundit.
Para se Barcelona të mposhtë Manchester Unitedin 3-1 të shtunën në Wembley, kishte spekulime se mund të jetë ndeshja e fundit e Guardiolas si trajner i gjigantit katalan.
“Synoj të mbetem edhe për një vit, e pastaj do të shohim”, tha 40-vjeçari Guardiola. Në shkurt, ai vazhdoi kontratën e tij me Barcelonën deri në fund të sezonit të ardhshëm.
“E ardhmja ime do të jetë e vështirë pasi do të jem në një klub tjetër me futbollist tjerë dhe do të mendoj ‘ku janë ky lloj i futbollistëve?”, shtoi Guardiola i cili si futbollist i ndihmoi Barcelonës të fitojë kupën e saj të parë evropiane në Wembley më 1992.
Guardiola ka fituar 10 tituj duke përfshirë dy Liga të Kampionëve në tre vitet e tij nën drejtimin e ekipit ku shërbeu si futbollist për 17 vite.