E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi pranë titullit

Nga Express më 29 maj 2011 në ora 20:17

Hysi e ka bërë një hap të madh drejt titullit. Bardh e zinjtë fituan me rezultat minimal ndaj Besës, kurse Prishtina e mposhti Lirinë. Vëllaznimi shënoi fitore të madhe në Mitrovicë ndaj Trepçës ’89, kurse Flamurtari ende mban shpresat gjallë për mbijetesë, pas fitores kundër KEK-ut. Drenica e siguroi mbijetesën, kurse Ferizaj pothuajse u përshëndet nga Superliga.

Hysi – Besa 1:0

Hysi e ka bërë një hap tjetër të madh drejt titullit të kampionit të Kosovës, të parin në histori të vetë. Skuadra llapjane ia ka dalë ta mposht me vështirësi Besën me rezultat minimal, në kryendeshjen e tensionuar të xhiros së 31-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Pejanët janë mbajtur mjaft mirë, por ata u dorëzuan në pjesën e dytë, respektivisht në minutën e 77-të. Në fakt, gjyqtari Muhedin Ferati ka akorduar penallti për vendësit pasi në zonën e rreptësisë pejane u ndal Mentor Zhdrella.

Me këtë rast, udhëtuesit reaguan ashpër ndaj gjyqtarit, për këtë vendim. Sidoqoftë, kapiteni Zhdrella ishte i saktë nga 11 metërshi (79’). Kjo fitore e mban Hysin 4 pikë përpara përcjellësit kryesor, Prishtina, dy xhiro pa përfunduar kampionati.

Prishtina – Liria 3:1

Prishtina ka fituar ndaj Lirisë, duke i mbajtur gjallë shpresat matematikisht për titull të kampionit. Bardh e kaltrit kanë qenë më të mirë se Liria në çdo aspekt. Megjithatë, prizrenasit kanë befasuar në minutën e 34-t me anë të Fatih Karahodës, i cili e shfrytëzoi një gabim të portierit vendës, Flamur Neziri.

Mirëpo, në pjesën e dytë prishtinasit i treguan ‘dhëmbët’. Për vetëm 8 minuta, ata shënuan tri gola. Isuf Llumnica shënoi dy herë nga penalltia (49’ e 51’). Në rastin e parë u ndal Fazliu nga Brando, kurse në të dytin Saliagiiq nga Duraku. Ndërsa, golin e tretë për mikpritësit e realizoi Suad Saliagiq (53’), i cili mori një top të mirë nga shoku i repartit, Astrit Fazliu.

Drenica – Trepça 3:1

Drenica e siguroi edhe matematikisht mbetjen në Superligë pas fitores ndaj Trepçës. Drenicasit fituan me meritë ndaj kampionit aktual të Kosovës. Taulant Dajaku ka shënuar dy gola (21’ e 77’) për kuqezinjtë, kurse një gol tjetër e shtoi Besim Bajraktari (80’). Në anën tjetër, për udhëtuesit golin e vetëm e shënoi sulmuesi Enis Fetahu, në minutën e 56-të.

Trepça ’89 – Vëllaznimi 1:2

Vëllaznimi e ka shënuar njërën nga fitoret më të rëndësishme të sezonit. Gjakovarët fituan në Mitrovicë ndaj Trepçës ’89, për të mbetur në pozitën e cila qon në barazh. Heronj të Kuqezinjve ishin Mark Milicaj (38’) e Rilind Juniku (65’), derisa golin e vetëm për vendësit e realizoi Agron Shabani në minutën e 60-të. Tifozeria mitrovicase ka mbetur e zhgënjyer me mosangazhimin sa duhet të ‘Xehetarëve’ në këtë duel.

Flamurtari – KEK-u 1:0

Flamurtari beson ende në mbijetesë. Skuadra prishtinase fitoi ndaj KEK-ut me rezultat minimal, për të mbetur një pikë prapa Vëllaznimit, i cili gjendet në pozitën që qon në barazh. Golin e fitores së kuqezinjve prishtinas e realizoi Emir Rama në minutën e 50-të. Flamurtarët besojnë deri në fund.

Ballkani – Ferizaj 5:1

Ferizaj pothuajse i humbi gjasat për mbetje në ligë, pas humbjes së thellë nga Ballkani. Në anën tjetër, therandasit pothuajse e siguruan mbijetesën. Fillim Guraziu e konfirmoi formën e mirë duke shënuar dy gola (4’ e 55’).

Dy gola realizoi edhe Mentor Kryeziu në minutat 51 e 89. Kurse, golin e fundit për ekipin Portokalli e shënoi Zylfallari. Ferizajasit i bëri të ëndërrojnë përkohësisht Egzon Shabani në minutën e 34-t, kur e barazoi rezultatin.

Duhet cekur se mysafirët në pjesën e dytë luajtën me një lojtar më pak, pasi që Egzon Mustafa u ndëshkua me karton të kuq.

Tabela
1. Hysi-69
2. Prishtina-65
3. Liria-44
4. Besa-43
5. Trepça-42
6. Drenica-41
7. Trepça ’89-40
8. KEK-u-40
9. Ballkani-38
10. Vëllaznimi-35
11. Flamurtari-33
12. Ferizaj3-29

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›