E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i paralizuar

Bosnja sot nuk është në luftë, por nuk është në të vërtetë as në paqe. Shteti po rrotullohet në vend dhe është duke pritur një vijë të jetës nga BE-ja, SHBA-ja dhe shtetet tjera. Por ky shpëtim shoqërohet me kushte-krijimin e shtetit të fuqishëm dhe të centralizuar. Ky shtet mbështetet nga pjesa më e madhe e boshnjakëve dhe kroatëve, por kundërshtohet nga serbët, duke e vazhduar kështu edhe më tutje bllokadën politike të pasluftës. Nga Express më 29 maj 2011 në ora 19:00

Me arrestimin e Ratko Mladicit, përgjegjësit kryesor për luftën në Bosnje ose janë prapa grilave, ose kanë vdekur. Por përçarjet etnike, të nxitura nga ata, vazhdojnë të jetojnë në këtë shtet dyzfunksional, i cili po përballet me mosbesimin e njëjtë mes popujve, i cili edhe provokoi gjakderdhjen më të madhe në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Gjasat janë të vogla që të shpërthejë konflikti mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, me bashkësinë ndërkombëtare e cila po vëzhgon nga afër situatën në vend. Por mbajtja nën sipërfaqe e tendosjeve, është e vetmja gjë që kanë qenë në gjendje ta bëjnë gjatë 16 viteve të kaluara BE-ja, SHBA-ja dhe fuqitë tjera të mëdha.

Bosnja sot nuk është në luftë, por nuk është në të vërtetë as në paqe. Shteti po rrotullohet në vend dhe është duke pritur një vijë të jetës nga BE-ja, SHBA-ja dhe shtetet tjera.

Por ky shpëtim shoqërohet me kushte-krijimin e shtetit të fuqishëm dhe të centralizuar. Ky shtet mbështetet nga pjesa më e madhe e boshnjakëve dhe kroatëve, por kundërshtohet nga serbët, duke e vazhduar kështu edhe më tutje bllokadën politike të pasluftës.
BE-ja i ka thënë Bosnjës se nëse dëshiron të anëtarësohet, atëherë duhet ta krijojë një qeveri më të fuqishme qendrore. Por në rrugë, vizionet e ndryshme për atë se cila duhet të jetë ardhmëria e Bosnjës, pasqyrojnë përçarjet në krye të shtetit.

Në Banja-Llukë, kryeqytetin e pjesës serbe të Bosnjës, Igor Gajic prishë fytyrën, kur pyetet për jetën në Bosnjën e bashkuar.
“Unë nuk e di madje as himnin e shtetit”, thotë ai.

Përderisa ai flet, rreth 2 mijë protestues po demonstronin në Pale, qendrën e serbëve gjatë luftës, kundër arrestimit të Mladicit në Serbinë fqinje. Mladici akuzohet për vrasjen e 8 mijë meshkujve boshnjakë në Srebrenicë dhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës.

Në mesin e protestuesve në Pale: një qen, mbi trupin e të cilit mund të lexohet mbishkrimi “Tadic”.

Referenca është e qarte: serbët në Bosnje e konsiderojnë presidentin e Serbisë, Boris Tadicin, si tradhtarë, për shkak se dha urdhrin për arrestimin e gjeneralit serbë, i cili kreu disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës, në kuadër të përpjekjeve të serbëve, për t’u ndarë nga Bosnja.

Në Perëndim, në Mostar, kroati i Bosnjës, Vjekoslav Barcic, flet për ekzodusin e bashkëkombësve të tij në Kroacinë fqinje, e cila i pajis ata me pasaporta.
“Kanë mbetur shumë pak prej nesh. Është vështirë ta duash këtë shtet në formën e tanishme”, thotë ai.

Në Sarajevë, Munevera Lutovic, fajëson serbët për luftën dhe paralizën e pasluftës.
“Kush e di se kur do të shërohen plagët”, thotë Lutovic.

Ndjenjat e këtilla i karakterizojnë pjesën më të madhe të institucioneve të shtetit, nga nivelet me të ulëta, e deri te presidenca tri-anëtareshe. E paraparë si një mjet për ndarjen e pushtetit, presidenca është shndërruar në një pengesë për ndërtimin e shtetit, ngase anëtarët nuk po arrijnë të pajtohen për atë se si duhet të duket shteti.
Anëtari serb i presidencës, Nebojsha Radmanovic, dëshiron që Republika Serbe të zgjerojë edhe më shumë autonominë e saj, nëse nuk shkëputet. Por Bakir Izetbegovic dhe Zhelko Komsic, anëtari boshnjak dhe ai kroat të presidencës, angazhohen për një shtet të bashkuar të tri grupeve etnike, me një qeveri të fuqishme qendrore.

Pikëpamjet e serbëve pasqyrojnë ato që i kanë pasur para dy dekadave njerëzit si Mladici dhe shefat e tij, presidenti i ndjerë serb, Slobodan Miloshevici dhe Radovan Karaxhici, i cili tani po gjykohet para Tribunalit të OKB-së. Ishte fushata serbe për t’u shkëputur nga Bosnja dhe për t’u bashkuar me Serbinë, pasi që Bosnja u shkëput nga Jugosllavia, ajo që ndezi luftën në vend.

Marrëveshja e pasluftës e ndan vendin në dy rajone autonome-një për serbët dhe rajonin tjetër, të cilin e ndajnë boshnjakët dhe kroatët. Dy rajonet janë të lidhura në mënyrë të brishtë nepërmjet presidencës, parlamentit dhe qeverisë.

Kjo i mundëson Milorad Dodikut, udhëheqësit të Republikës Serbe, për të nxitur çështjen e ndarjes, me qëllim të sigurimit të koncesioneve, për të cilat kroatët dhe boshnjakët frikësohen se do të dobësojnë institucionet qendrore.

Dodik së fundi ka anuluar referendumin, i cili do të vinte në dyshim autoritetin e sistemit juridik të vendit-dhe të Valentin Inzkos, administratorit të Bosnjës, të emëruar nga BE-ja-por vetëm pasi që mori garanci nga zyrtarët më të lartë të BE-së se brengat e tij do të adresohen.

Në prill, parlamenti serb kishte paralajmëruar se do të vë në dyshim autoritetin e Inzkos dhe ligjshmërinë e të gjitha vendimeve, të marra nga ai.

Vizionet e këtilla dalluese e kanë mbajtur qeverinë e Bosnjës jo-funksionale, duke frustruar negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe SHBA-ja për ndryshime kushtetuese, për të thjeshtësuar rregullin politik dhe për të forcuar qeverinë qendrore. Dallimet gjithashtu po ndikojnë në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Për disa muaj, Bosnja u suspendua nga ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, ngase federata kombëtare refuzoi që të zëvendësojë presidencën trianëtarëshe me një president të vetëm.

Federata mori vendimin për një president të vetëm, vetëm pas ndërhyrjes së FIFA-s.
Dallimet e këtilla etnike e kanë zhytur vendin në probleme ekonomike dhe paqartësi politike, duke e shndërruar atë në një vend ku mund të forcohet radikalizmi islamik.
Bosnja është një shtet i dobët i decentralizuar, theksohet në raportin e State Departmentit amerikan, në të cilin fajësohen zyrtarët serbë se po tentojnë të minojnë strukturat federative. Përpjekjet e serbëve po pengojnë përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe financimin e terrorizmit, thuhet në raport.

Komentet e bëra nga kandidatët serbë dhe boshnjakë, gjatë zgjedhjeve të fundit kombëtare në shkurt, e pasqyrojnë këtë ndarje.

Dodik e quajti Bosnjën si shtet absurd, duke theksuar se më së miri do të ishte nëse Bosnja ndahet në mënyrë paqësore.

Në anën tjetër, Bakir Izetbegovic, i biri i presidentit të Bosnjës gjatë luftës, Alija Izetbegovicit, kërkoi nga politikanët që të gjejnë një vijë të mesme, duke theksuar se “prioritet është përparimi i përshpejtuar në shtegun drejtë BE-së”.

Analistja politike, Tanja Topic, fushatën parazgjedhore e krahasoi me atë të viteve të 90-ta, kur Jugosllavia komuniste sapo ishte shpërbërë dhe Bosnja ishte e ndarë përgjatë vijave etnike për atë se a duhet të bëhet pjesë e Serbisë fqinje apo të jetë shtet i pavarur shumetnik.

“Pra, për saktësisht 20 vjet jemi rrotulluar përgjatë vijave të njëjta politike”, kishte theksuar Topic.(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›