Guardiola përgëzon Seviljan,Ronaldo shijon vendin e parë
Ndërkohë, Kanute akuzon Fabregas se e quajti atë një “terrorist”
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ishte i mbushur me vrer pas barazimit pa gola ndaj Seviljes, të cilës ia uroi pikën e fituar. “Duhet ta përgëzojmë mbrojtjen e Seviljes dhe heroin Havi Varas. Sidoqoftë, mendoj se luajtëm mirë, por duhet të përgëzojmë Seviljen dhe të fitojmë të martën. Nuk është kurrë lehtë të fitosh ndaj një ekipi që luan aq në mënyrë difensive, me nëntë lojtarë në mbrojtje, pasi nuk ka fare hapësira. Sevilja kishte vetëm një rast. Ne kishim 77 për qind të zotërimit të topit dhe dështuam të shënonim një gol, pavarësisht rasteve të shumta. Dua të falënderoj të gjithë tifozët që ishin të pranishëm”, tha Guardiola. Por ka vrer edhe nga ana tjetër. Sulmuesi i Seviljas, Frederik Kanute ka pohuar se mesfushori i Barcelonës, Çesk Fabregas e ka quajtur ‘terrorist’, arsye për të cilën ai u kacafyt me ish-mesfushorin e Arsenalit. Incidenti, i cili rrodhi nga penaltia e diskutueshme e akorduar nga gjyqtari në fund të takimit, irritoi Kanuten për të protestuar, kurse më pas, ai goditi Fabregasin, gjë që la të besohet se vërtet mesfushori katalan e quajti terrorist sulmuesin e Seviljas. Këto pohime të Kanutes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por kështu është duke u përfolur nëpër mediat spanjolle. Edhe trajneri i Seviljas refuzoi të flasë, megjithëse aludoi se ai incident nuk ndodhi rastësisht.
Ndërkohë, në kampin madrilen, ka rënë qetësia që të sjell vendi i parë. Sulmuesi i Real Madridit, Kristiano Ronaldo ka thënë pas ndeshjes ndaj Malagas, se për të më e rëndësishme ishte që ekipi të fitonte sesa tregolëshi i realizuar. “Unë jam i kënaqur me golat e mi, por ajo që është vërtet e rëndësishme ka të bëjë me fitoren e skuadrës, pa marrë parasysh a shënova unë apo jo. Nuk merakosem nëse shënoj apo jo, brengosem kur nuk fitojmë. Ne kemi bërë një paraqitje fantastike, pjesa e parë ishte më e mira këtë sezon.” Kristiano Ronaldo ka 10 gola deri më tani në La Liga, po aq sa edhe Lionel Mesi i Barcelonës
Primera Division
Të shtunën
Gijon – Granada 2-0
Satander – Espanjol 0-1
Malaga – Real Madrid 0-4
Barcelona – Sevilja 0-0
Dje
Betis Sevilja – Valekano 0-2
Sociedad – Getafe 0-0
Atletiko Madrid – Majorka X-X
Osasuna – Saragoza X-X
Valencia – Atletik Bilbao X-X
Vilareal – Levante X-X