E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gueriljet antifashiste

 

Arkiva/ SIS dhe Shqipëria. Infiltrimi i grupeve guerile në Shqipëri. Kush e financoi lëvizjen anti-italiane në Pezë? Misioni Sekret i Sir Jocelyn Percy për të evakuar Mbretin Zog nga Parisi.

 

Operacioni i shërbimit sekret britanik në Shqipëri gjatë Luftës së Madhe

 

Pushtimi italian i Shqipërisë më 7 Prill 1939 kishtë bërë të mundur që rrjeti modest i shërbimit sekret britanik në Shqipëri, i përbërë më së shumti nga disa anglezë që jetonin në Mbretërinë Shqiptare, të kishtë ndaluar se funksionuari. Për këtë arsye, në pranverën e vitit 1940, me marrjen e vendimit politik në Londër, se Shqipëria do të ishtë pika e parë e goditjes ndaj interesave italiane në Ballkan, Seksioni D i Shërbimit Sekret filloi hartimin e një plani të hollësishëm. Në Londër, Jo Holland, Shefi i MIR dhe George Taylor, Shefi i Zyrës për Ballkanin, Seksioni D i SIS, hartuan një plan paraprak dhe tashmë fokusi i këtij plani u zhvendos nga Londra për në Beograd. Zyrës së SIS në Beograd ju dha drita jeshile për të filluar operacionin në Shqipëri, pasi mendohej se kishte kushtet e përshtatshme për të organizuar një "lëvizje anti-italiane e përbërë nga elementë shqiptarë të emigruar atje që kishin kontakte edhe me zbulimin jugosllav" (raport i Alexander Glen TNA PRO HS5/912).

Gjithsesi plani i Seksionit D ishte koordinim edhe me një zhvillim paralel në Greqi ku u mendua që të infiltroheshin një sërë rekrutësh të SIS për të krijuar trazira paralele me grupet guerrile që do të hynin në Veriun e Shqipërisë nga Jugosllavia. (Mbi planin e SIS në Greqi do të flasim në kapitulin e ardhshëm).

George Taylor, shefi i rrjetit Ballkanik kishte besim se personeli i tij në Jugosllavi, i udhëhequr nga tregtari i armëve Julius HANAU, një figurë e njohur në rrethet me influencë të Beogradit, do të mund të gjente personat e përshtatshëm për këtë Mision të rëndësishëm të zbulimit anglez. (Julius Hanau kishte lindur në Afrikën e Jugut në Prill të 1885. I angazhuar në SIS gjatë periudhës së të dyja Luftrave Botërore në Ballkan, Hanau ishtë pjesëtar që në fillimet e krijimit të SOE. Hanua u evakua nga Beogradi pasi zbulimi anglez mësoi se ai ishte në listat e ekzekutimit që shërbimi gjerman do të bënte sapo të hynte në Jugosllavi. Mbante gradën e nënkolonelit. Për punën e tij në Ballkan u dekorua me medaljen e Shërbimit të Shquar. U dërgua në Kajro më 1943 por vdiq nga një infarkt në zemër. Dosja e tij personale mban shënime interesante mbi aktivitetin e tij për SIS në Jugosllavi dhe vetëm një foto personale. Ishte ky personazh i pari person që do të fillonte konkretisht punën në terren për organizimin e operacionit.

Në dosjet e Shërbimit Sekret në arkivat britanike ruhet edhe një prej letrave të para të dërguara nga George Taylor mbi fillimin e Operacionit për Shqipërinë. Në Prill të 40-s në këtë letër dërguar Julius Hanau ai i bën të qartë njeriut të SIS në Beograd platformën e re të SIS përsa i përket synimeve të Italisë në Ballkan dhe nënvizon se "masa urgjente duhet të ndërmerren përpara se situata të përkeqësohet me tej". Seksioni D, shpjegon në letrën e tij Taylor, do të krijojë lidhjet me grupet shqiptare të cilat janë në Jugosllavi dhe të mundohet "për të infiltruar grupe guerrilie në brendësi të vendit si dhe të bëjë furnizime me armë ndërmjet kufirit greko-jugosllav për këto grupe sabotatore".

Julius Hanau kishte kontakte të mira me shërbimin jugosllav dhe me sa duket ka kërkuar ndihmën e tyre për të hartuar një listë me kandidatë potencialë për këtë Mision. Gjithsesi problemi parësor që Hanau kishte në përmbushjen e këtij Misioni, ishte survejimi i vazhdueshëm që shërbimet italo-gjermane i bënin atij dhe rrjetit të tij në Beograd duke krijuar shumë probleme për operacionin e Shqipërisë.

Në Jugosllavi, shërbimet gjermane dhe ato italiane ishin shumë të rëndësishme, aq më tepër kur Musolini po kërkonte të zgjeronte influencën e tij në bregun Dalmat ndërsa gjermanët tashmë kishin dalë në Hungari. Gjermanët përdornin Zyrën Gjermane të turizmit në Beograd si bazë për operacionet e tyre sekrete dhe për të survejuar rrjetin Ballkanik të SIS të drejtuar nga Hanau. (Raporti i DH/4 mbi aktivitetin e kundërspiunazhit italian në Jugosllavi)

Ekipi i Julius Hanau në Beograd ndërkohë kishte në radhët e tij atasheun naval Aleksandër Glen i cili do të shfaqet shpesh edhe në brigjet shqiptare gjatë viteve 1943-'44, John Bennett, Julian Amery djali i Ministrit i Shtetit për Indinë si dhe korrespondent i gazetës "Time" për Ballkanin, Ralp Parker.

Julian Amery i cili do të luante rol të rëndësishëm në të ardhmen e Misioneve Britanike në Shqipëri, e filloi karrierën në radhët e SIS në një kohë të rëndësishme për misionin Shqiptar. Amery, një djalë i ri, në fakt deri më atëhere kishte qenë më shumë i përfshirë në veprimtari ilegale dhe sipas tij, ai (Julian Ameri) "përdorte rrjetin ilegal çifut i cili merrej me nxjerrjen e vizave në Ballkan për informacion në dobi të Shërbimit Sekret Britanik".

Ndërkaq, kontaktet e Julius Hanau me shërbimet jugosllave dhanë edhe rezultatet e para. Me sa duket, shërbimet jugosllave kishin sugjeruar si kandidatë potencialë për Misionin e Shqipërisë, vëllezërit Kryeziu nga Gjakova. Kryezinjtë vinin nga një familje e madhe dhe me influencë nga të dyja anët e kufirit. Vëllai i tyre i madh, Ceno Bej Kryeziu, dikur kishte qenë kunati i Zogut por më pas i vrarë në një atentat misterioz në Pragë. Me sa duket, Shërbimet Italiane e kanë pasur në vëzhgim Familjen e Kryezinjve pasi në dosjen e SIS ka edhe dokumenta të cilat janë marrë nga dosjet sekrete të shërbimit italian dhe janë vënë në dispozicion të SIS. Sipas këtyre dokumenteve mund të nënvizojmë disa të dhëna. Dosja WO204/9559:

"Gani Bej Kryeziu, ish kapiten i ushtrisë jugosllave i kthyer në Shqipëri më 1924 me Zogun, më pas u emërua Prefekt i Kukësit. Mbante lidhje të vazhdueshme me autoritetet serbe... Pas vrasjes së të vëllait, Ceno Bej rekrutohet nga Shërbimet Jugosllave. Gjithmonë një pro-serb ka dëmtuar interesat shqiptare me aktivitetin e tij. Është rekrutuar nga Inteligent Service anglez dhe ka organizuar një bandë prej 300 vetësh në bashkëpunim me një oficer anglez duke penetruar në Shqipëri deri në Shalë. Ka informacion se për këtë aktivitet ka marrë 12 milionë dinarë...Jeton tashmë në Beograd me të vëllanë Hasanin dhe më vëllanë e vogël Said, një komunist i ri që ka studiuar në Paris".

Në fakt Familja Kryeziu do të luante rol të rëndësishëm në planet e aleatëve kundra pushtimit gjerman në Kosovë dhe të dhënat e Shërbimit Italian se Kryezinjtë ishin të implikuar me shërbimet serbe duhen marrë me rezerva. Kryezinjt sigurisht kërkonin që ta shtrinin influencën e tyre sa më gjërë dhe do të kërkonin të bënin aleanca në interest të tyre. Fakti se ata njiheshin si një forcë krahinore anti-italiane, do t'i rreshtonte ata natyrshëm në krahun e fuqive anti-italiane, por me sa duket nga rekomandimet jugosllave për shërbimin anglez mendohej se ardhja në pushtet e një lideri i cili kishte marrëdhënie të mira me ta, do të kishte mjaft interes për politikën jugosllave.

Burimet angleze kishin informacionin e tyre dhe për Kryezinjtë ata kishin edhe referenca të cilat të bëjnë të mendosh se Kryezinjtë kishin marrëdhënie mjaft të mira me Qeverinë Jugosllave dhe bashkëpunimi i tyre ishte më i thellë se sa mund të pranohej nga të dyja palët. (Arkivi Britanik, TNA Dosja HS 7/212) thuhet se "sipas burimeve tona në Ministrinë e Jashtëme Jugosllave, Gani Beu merrte 10 mijë dinarë në muaj nga burime sekrete të kësaj Ministrie".

Jugosllavët ju ofrojnë anglezëve një listë me emra për Zyrën e SIS e cila mundohet të përzgjedhë personat më të përshtatshëm. Kuptohet qartë nga dokumentet e kësaj periudhe se askush nga ekipi i SIS në Beograd, nuk kishte ndonjë njohje të mirë mbi Shqipërinë. Disa ekspertëve anglezë ju ishte kërkuar ndihmë për të përpunuar një sërë dokumentesh mbi çështjet shqiptare, gjithsesi, ekspertiza nuk ishte e mjaftueshme për një mision kaq të veçantë. Përveç disa prej ish-oficerëve të Xhandarmarisë së Zogut, kishte shumë pak ekspertë të mirëfilltë të çështjeve shqiptare. Emri i një Dr. Malcom Burr del për një periudhë në disa prej dokumenteve të kohës. Ai ka pregatitur disa prej memorandumeve mbi Shqipërinë, por gjithsesi jo të ndonjë niveli të lartë, dhe kjo tregon se SIS nuk kishte informacion shumë korrekt mbi gjendjen aktuale në këtë vend.

Probleme të tilla që në fillimin e Operacionit mbi Shqipërinë tregon qartë se SIS nuk ka pasur ndonjë rrjet të fortë në Shqipëri përpara pushtimit italian. Në këtë kohë Grupit të Kryezinjve i bashkangjitën si person i rëndësishëm me funksionet e Këshilltarit edhe Mustafa Gjinishi, një i ri me bindje komuniste i cili, gjithsesi, vinte me rekomandimin e Kryezinjve në këtë Mision.

Mustafa Gjinishi i cili jetonte si emigrant politik në Jugosllavi, me vonë do të bëhej një nga liderët e rëndësishëm të lëvizjes komuniste, por edhe një figurë e komplikuar për historinë e asaj periudhe, e fillon kështu aktivitetin e tij politik në një Mision të pregatitur dhe financuar nga Shërbimi Sekret Britanik. I rekomanduar nga Shërbimi Jugosllav apo jo, deri më tani, nuk del qartë përfshirja e tij në këtë Shërbim, por nëse kemi parasysh se pregatitja e Misionit të SIS bëhej me mbështetjen dhe dijeninë e plotë të jugosllavëve, nënkupton se roli i Gjinishit në këtë Mision nuk ishte i panjohur për jugosllavët.

Mustafa Gjinishi edhe pas orvatjes për t'u implikuar në këtë Mision delikat, do të mbante lidhje me oficerët britanikë në Shqipëri. I dyshuar gjithmonë prej Enver Hoxhës si njeri i Shërbimit Anglez, Gjinishi do të vuante kështu faktin se përfshirja e tij në tentativën e dështuar të Prillit 1941 për një rebelim anti italian në Shqipëri, ishtë kryer me mbështëtjen e SIS dhe me aprovimin e Shërbimeve Jugosllave. Ky fakt me siguri i është përcjellë Enver Hoxhës nga emisarët jugosllavë të cilët ndoshta kishin dijeni për rolin e tij në dobi të SIS dhe për këtë arsye, Hoxha dhe njerëzit e tij e panë atë gjithmonë me dyshim duke e mbajtur në distancë të ngjarjeve të rëndësishme të asaj periudhe.

Në fillimin e vitit 1940, SIS po përparonte në Misionin për pregatitjen e krijimit të grupeve dhe tashmë kishin në dispozicion tri grupe kryesore, të cilat kishin filluar kontaktet në Shqipëri. Një informacion mbi gjendjen reale të Shqipërisë tashmë po vinte në tavolinën e SIS në Beograd ndërmjet rrjetit të krijuar nga Lista e përzgjedhur nga SIS. Në dimrin e vitit 1940, SIS, sipas një dokumentacioni të rezervuar, dërgon në Pezë nëpërmjet një agjenti të saj shumën 500 paund në flori. Nga dokumenti që regjistron këtë dërgesë me firmën e Peter Boughey, financieri i SD/SOE për Ballkanin, thuhet: "K/ 76 një person i njohur i kësaj zone i cili ishte tashmë në Listën e SIS/SOE si një prej rekrutëve të ardhur nga Jugosllavia, e mori shumën e dërguar në adresë të tij".

Sipas dokumenteve në këtë Dosje shumë interesante të fillimit të lëvizjes anti-italiane në Shqipëri, një personazh shumë i njohur në zonën e Pezës ishte infiltruar nga shërbimet angleze dhe i financuar nga këto Shërbime i ishte caktuar detyra për të krijuar probleme për italianët. Dokumentet në vazhdim do të hedhin dritë mbi personazhin misterioz i njohur si K/76 i cili i financuar nga Shërbimet Sekrete Britanike dhe i aprovuar nga jugosllavët do të fillonte një nga lëvizjet e para anti-italiane në Shqipëri. Ka një sasi të madhe dokumentacioni ku agjentët në terren informonin mbi aktivitëtin e K/76 dhe përpjekjet e tij për të krijuar probleme në zonën e Pezës. Interesant është fakti se disa prej liderëve të hershëm të lëvizjes anti-italiane e kanë origjinën e tyre në operacionin e organizuar nga SIS gjatë pjesës më të madhe të 1940 dhe tentativës së dështuar të lëvizjes së Prillit 1941.

Deri në verën e vitit 1940, SIS/SO e mendonte se shpërndarja e një shume 40 mijë paund flori për kapedanët e Veriut, do t'i bënte ata mbështetës të planit për krijimin e trazirave në shpinë të italianëve. Jugosllavët kishin premtuar mbështetje në armë dhe municion dhe kushtet dukeshin se ishin pjekur. Por operacioni nuk do të fillonte dot pasi gjermanët që kishin sulmuar Norvegjinë dhe Danimarkën, tashmë po marshonin drejt Parisit.

Në panikun që i kapi trupat britanike pas pushtimit francez, Operacioni Shqiptar nuk pati mundësi të konkretizohej. Gjithsesi edhe në këto momente ankthi britanikët u munduan që në shërbim të planint të tyre të përfshinin edhe Mbretin Zog i cili qëndronte në një vilë të madhe shumë pranë Parisit.

Sipas kujtimeve të një prej protagonistëve të atyre ditëve, Peter Wilkinson, Dega MIR e zbulimit ushtarak u mundua që ta tërhiqte Zogun në Angli.

Shefi i Zyres Sekretë të SIS të Parisit, Peter Wilkinson, shkruan në kujtimet e tij që Drejtoria e Zbulimit Ushtarak Britanik MIR, u përpoq që të evakuonte Mbretin Zog nga Parisi por pa sukses. Ëilkinson shkruan: "Më datë 9 Qershor, Sir Jocelyn Percy, kishte ardhur me një mision sekret i dërguar nga Zyra MIR, për të pregatitur evakuimin e Mbretit të Shqipërisë Zog. Meqenëse nuk kishtë mbetur më askush në Zyrën tonë të Parisit, mu desh mua që ta shoqëroja gati gjithë ditën nga Parisi në Versajë ku Mbreti kishte një vilë të madhe, ishte i përzemërt por refuzonte të largohej nga Franca, por nëse britanikët do t'i dërgonin një anije ushtarake ai e konsideronte këtë mundësi sigurisht i shoqëruar nga personeli i tij i shumtë si dhe nga familja e tij e madhe. Pasi u përpoq gjatë gjithë ditës për t'i mbushur mendjen Mbretit, Sir Jocelin Percy u largua i zemëruar nga dështimi i Misionit të tij. Unë i sigurova një vend në avionin e fundit për në Angli i cili u largua në mbrëmjen e datës 11 Qershor nga Bucque".

 

Diçitura:

Oficeri i Shërbimit Sekret Britanik, Peter Wilkinson (në qendër) foto e fejesës, Romë 1944.

Komandanti i Xhandarmarisë Shqiptare Sir Jocelin Percy duke i paraqitur forcën në një paradë ushtarake në Shkodër, Mbretit Zog.

Somario

Shërbimet jugosllave kishin sugjeruar si kandidatë potencialë për Misionin e Shqipërisë, vëllezërit Kryeziu nga Gjakova. Kryezinjtë vinin nga një familje e madhe dhe me influencë nga të dyja anët e kufirit.

I dyshuar gjithmonë prej Enver Hoxhës si njeri i Shërbimit Anglez, Mustafa Gjinishi do të vuante faktin se përfshirja e tij në tentativën e dështuar të Prillit 1941 për një rebelim anti italian në Shqipëri, ishtë kryer me aprovimin e Shërbimeve Jugosllave.

Në dimrin e vitit 1940, SIS dërgon në Pezë nëpërmjet një agjenti shumën 500 paund në flori. K/ 76 një person i njohur i kësaj zone i cili ishte tashmë në Listën e SIS/SOE si një prej rekrutëve të ardhur nga Jugosllavia, e mori shumën e dërguar në adresë të tij.

Përveç disa prej ish-oficerëve të Xhandarmarisë së Zogut, kishte shumë pak ekspertë të mirëfilltë të çështjeve shqiptare. Emri i një Dr. Malcom Burr del për një periudhë në disa prej dokumenteve të kohës. Ai ka pregatitur disa prej memorandumeve mbi Shqipërinë, por gjithsesi jo të ndonjë niveli të lartë, dhe kjo tregon se SIS nuk kishte informacion shumë korrekt mbi gjendjen aktuale në këtë vend.

Mbreti kishte një vilë të madhe, ishte i përzemërt por refuzonte të largohej nga Franca, por nëse britanikët do t'i dërgonin një anije ushtarake ai e konsideronte këtë mundësi sigurisht i shoqëruar nga personeli i tij i shumtë si dhe nga familja e tij e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›